Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Sazan: No Man’s Land” eksploron ishullin, përmes fotografisë bashkëkohore

Postuar: 13/08/2019 - 07:34

Ekspozita “Sazan: No Man’s Land”, që u hap për publikun në galerinë e Bregdetit në Radhimë, Vlorë, eksploron dimensionet e ndryshme të ishullit mes punëve të Helidon Gjergjit, Dritan Hyskës, Gaime Melonit, Abi Shehut dhe Gerta Xhaferaj. Sazani, ishulli dikur i militarizuar, sot muze i rastësishëm i rrënojave ushtarake, rizbulohet nga lentet e pesë fotografëve bashkëkohorë. Kuruar nga Elian Stefa dhe Niku Aleks Muçaj, ekspozita në galerinë e Bregdetit vendos në një kontekst të ri etapat kohore të ishullit përmes dokumenteve origjinale arkivore dhe multimediale, përfshi harta të periudhave të ndryshme, intervista dhe instalacione. Sipas dy kuratorëve, ekspozita “Sazan: No Man’s Land” (Sazani: Tokë e Askujt) është një reflektim vizual dhe përsiatje dokumentuese mbi të shkuarën dhe të tashmen e ishullit, duke i lënë hapësirë imagjinatës së publikut për një të ardhme të mundshme të Sazanit. Kuratori Elian Sefa shprehet se përveç galerisë së Bregdetit, kjo ekspozitë do të jetë dhe në vende të tjera. “Ekspozita do të udhëtojë edhe jashtë vendit për të treguar potencialin e ishullit dhe kontekstit unik, që përfaqëson”, pohon Stefa. Sipas kuratorit Niku Aleks Muçaj, kjo ekspozitë është edhe një përpjekje për ta vënë ishullin e Sazanit në hartën artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. ““Sazan: No Man’s Land’ është fillimi i jetësimit të këtij misioni”, tregon ai. Krahas fotografive, harta origjinale të periudhave dhe fuqive të ndryshme paraqitën rëndësinë ushtarake të ishullit në detaje të hollësishme teknike. Po ashtu, u shfaq një intervistë me komandantin e ishullit për 15 vjet gjatë regjimit komunist, Naim Muho, dëshmi e cila skicon një fotografi më vete të jetës kur Sazani shënonte kulmin e tij. Një instalacion i krijuar për të prezantuar Sazanin në relacion me Gjirin e Vlorës, solli një këndvështrim të ri mbi ishullin, përtej siluetës së zakonshme, që shumica janë mësuar ta shohin.

Sazani, në syrin e artistëve

Fotografia pasqyron qasjet e ndryshme stilistike dhe analitike të secilit artist të ftuar, por formati dhe përmasat mbeten konstante, duke ekspozuar rregullin dhe estetikën ushtarake. Artisti i njohur Helidon Gjergji e konsideron Sazanin një muze historik, natyror dhe ushtarak. “Është një muze i gjallë, ku objektet vdesin dhe lindin, transformohen dhe tjetërsohen, dhe për paradoks, tregojnë të vërtetën shumë më tepër se muzetë klasikë”, shprehet Gjegji. Në këtë ekspozitë artisti Helidon Gjergji prezantohet me punën “Janus”, që është një diptik fotografish. “Kur shkova në Sazan bashkë me kuratorët e disa nga artistët pashë një gjë mjaft të radhë e trishtë, një shqiponjë ngordhur për arsye jo natyrale. Në Shqipëri kanë mbetur diku në mes të 50-100 çifte shqiponjash, apo 100-200 shqiponja gjithsej. Prej asaj dite mund të themi 99-199. Njëra prehet e pakallur mbi arkeologjinë industriale të Sazanit. Titulli i punës “Janus”, që nga mitologjia është një zot, që përshkruhet me dy fytyra, njëra që shikon në të kaluarën e njëra në të ardhmen (njëfarë ngjashmërie me flamurin tonë). E kur flitet për të ardhmen aty ka gjithmonë vend edhe shpresa, për të cilën natyrisht duhet luftuar, që të materializohet”, tregon ai. Ndërsa fotografja Abi Shehu vëren se shkretia e ishullit të pushton përkundër historisë së tij si një vend dikur i jetueshëm, ndërsa sheh gjurmë të njeriut të cilat kanë marrë formën e harresës. Ekspozita “Sazani: Tokë e Askujt”, do të qëndrojë e hapur deri në shtator dhe do të jetë e qasshme për publikun, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00 në galerinë e Bregdetit.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2019 - 08:02

Besnik Mustafaj me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” u shpall “Autori i vitit” në Panairin e Librit “Tirana 2019”.

Postuar: 17/11/2019 - 08:01

Tragjedia "Medea" e Euripidit për dy mbrëmje me radhë do të jetë në skenën e teatrit &l

Postuar: 17/11/2019 - 07:58

Artistët  të ndryshëm në vend shprehen se janë të përbuzur nga institucionet.

Postuar: 16/11/2019 - 07:44

Artisti i njohur Agim Sulaj ka fituar “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”.

Postuar: 16/11/2019 - 07:43

Plani i menaxhimit të integruar i parkut kombëtar të Butrintit solli përplasjen e ministres së Ku

Postuar: 16/11/2019 - 07:40

Muzetë e Beratit gjatë këtij viti kanë qenë vende të preferuara për vizitorët.

Postuar: 16/11/2019 - 07:38

Botimet e shtëpisë botuese “Morava”, në Panairin e Librit “Tirana 2019” k