BREAKING NEWS

Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve komunikon vendimin e fundit

Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19,
x

Kultura

“Sekrete Mjeshtërie”, me 15 portrete e intervista profesionistësh

“Sekrete Mjeshtërie”, me 15 portrete e intervista

Materiale për zanate të veçanta dhe intervista me profesionistë janë pjesë e botimit “Sekrete Mjeshtërie”, që u promovua dje në Muzeun Historik Kombëtar. Libri-album “Sekrete Mjeshtërie” përmban një cikël me 15 portrete e intervista profesionistësh, restauratorë, këpucëbërës, garderobiere, violinapunues, kinomekanikë, etj. Sekrete mjeshtërie lindi si një nismë e Ministrisë së Kulturës, ku këto materiale janë mbledhur nga gazetarja Alma Mile në bashkëpunim me fotografin Aldo Bonata. Gjatë promovimit në Muzeun Historik Kombëtar ishin të pranishëm edhe disa nga personazhet e këtij botimi. E pranishme në këtë promovim, ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh mes të tjerave se ky projekt lindi si nevojë për të qenë pranë së thjeshtës. “Ky është një cikël që nisi në një moment për të vënë theksin tek njerëzit e thjeshtë, edhe pandemia na theksoi edhe më shumë që kemi bërë gjënë e duhur”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti. Në këtë botim, që u mbështet nga Ministria e Kulturës janë përfshirë zanate si krijues instrumentesh muzikorë, përfaqësuar nga Erli Gurra; gurgdhendës, përfaqësuar nga Muhedin Makri; drugdhendës, përfaqësuar nga Isuf Skënderi; restaurator, përfaqësuar nga Frederik Stamati; këpucar, përfaqësuar nga Ramazan Cani, sahatçi, përfaqësuar nga Syri Tufina, si edhe disa zanate të tjera shumë të veçanta për kohën në të cilën jetojmë. Gazetarja Alma Mile u shpreh se një nga synimet është nxitja e traditës, që edhe brezat e rinj të ndjekin traditën e të parëve. “Këto zanate janë të trashëguara ndër breza nga baballarët apo gjyshërit, sikurse janë Tufinat, të cilët brez pas brezi vazhdojnë të ndreqin sahate dhe ora në Tiranë. Kemi punues këpucësh, që edhe ky është zanat i trashëguar dhe thuajse të gjithë e kanë marrë zanatin në të njëjtën mënyrë. Edhe për mua kjo punë ishte një zbulim, pasi nuk i dinim që ishin”, tha në fjalët e saj Mile. Gjatë promovimit drugdhendësi Isuf Skënderi mes të tjerave u shpreh dhe për mungesën e një muzeu etnografik. “I vetmi kryeqytet në botë, që nuk ka muze etnografik. I lutem zotit të më jap shëndet se dua që të bëj diçka të tillë, të ndërtoj një muze etnografik në Tiranë”, tha mes të tjerave Isuf Skënderi drugdhendës.