BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Kultura

Shembja e teatrit, aktorët dhe regjisorët kundër: Pa të nuk ka histori, aty u ndërtua shkolla e parë e artit dramatik

Shembja e teatrit, aktorët dhe regjisorët kundër: Pa të nuk

Teatri Kombëtar është pjesë e trashëgimisë, dëshmi i shumë ngjarjeve dhe në atë skenë janë dhënë me qindra shfaqje. Regjisorë dhe aktorë shprehen se në atë teatër janë bërë shfaqje madhështore dhe nuk ka pse të preket godina. Artistët kundërshtojnë vendimin e fundit të qeverisë për kalimin e pronës së Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës, ku sipas tyre është një vendim jo i drejtë. Një godinë historike, që sipas artistëve nëse shembet humbet historia e teatrit në vend. Regjisori i njohur Saimir Kumbaro thotë se godina e Teatrit Kombëtar jo vetëm ka vlera për trashëgiminë tonë, por aty lindi edhe Filarmonia e Shtetit. “Teatri Kombëtar është pjesë e trashëgimisë kulturore. Është dëshmi i shumë ngjarjeve, që kanë kaluar në atë truall. Është ndërtuar në kohën e Italisë. Po të kishte gjuhë ai do të fliste shumë. Ka qenë fillimisht kinema -teatër “Savoja” dhe shërbente për dëfrimin e publikut. Unë jam rritur në atë teatër dhe nga ai teatër lindi Filarmonia e Shtetit, trupa e baletit të operës dhe më vonë Teatër i Shtetit”, shprehet regjisori Saimir Kumbaro. Në reagimin e tij regjisori tregon se në atë godinë me rëndësi historike kaluan shumë ngjarje në kohën e diktaturës, por u ndërtua dhe shkolla e parë e artit dramatik. “Ai teatër ka dhënë me qindra shfaqje teatrore. Kanë kaluar me dhjetëra aktorë. Në atë teatër u ndërtua shkolla e parë për aktorë “Aleksandër Moisiu”. Ai teatër është dëshmitar i gjyqeve të famshme pseudokolaboracionistë, ku Enver Hoxha vrau dhe kunatin e vet Bahri Omarin, në atë sallë u bë gjygji. Një atë teatër u ndërtua shkolla e parë e artit dramatik, ku mbaroi Mario Ashiku, Edi Luarasi, Serafin Fanko, Rikard Ljarja etj, të gjithë korifenjtë e teatrit dhe të kinematografisë. Është një vepër, që është monument kulture”, vijon regjisori. Në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, regjisori Saimir Kumbaro del kundër vendimit më të fundit të qeverisë. “Në Pragë kemi shtëpinë e Kafkës, që ruhet dhe turistët atje shkojnë. Nuk shkojnë me parë grataçelat. Ne në Tiranë i kemi me shumë pakicë monumentet e kulturës dhe i shkatërrojmë. Vendimi i fundit i qeverisë, nuk është normale në një kohë pandemie të bësh të tilla veprime. Janë 160 teatro në Paris, jo një por dhjetë teatro duhen në Tiranë me këtë popullsi që ka, se ku i gjejnë vendet është puna e tyre. Po mos prishin të vjetrën për një ngrehinë të re, që si intereson asnjë njeriu”, vijon regjisori Kumbaro.

Shfaqje madhështore në atë teatër

Aktor dhe regjisor Naun Shundi thotë se vendimi i qeverisë për Teatrin Kombëtar është në shkelje. “Unë nuk jam jurist dhe nuk di të them është shkelur apo jo Kushtetuta që iu kalua nga pronë e Ministrisë së Kulturës në pronë të Bashkisë së Tiranës. Nuk jam kompetent për këtë punë, por me ç’thotë presidenti i Republikës unë i besoj që thotë që këtu është shkelur Kushtetuta, dhe kjo është e padiskutueshme”, pohon Shundi. Me një aktivitet të vlerësuar në jetën artistike, Naun Shundi shprehet se godina e Teatrit Kombëtar përmbush kapacitete dhe nuk ka arsye pse të preket. “Teatri Kombëtar është godina më e mirë në të gjithë territorin e Shqipërisë që përmbush të gjitha kapacitetet, duke filluar nga akustika, tek pamja, tek shikimi, tek skena, etj. Pra është gabim i madh ta prishësh atë skenë. Ajo ka kaq vite që është ndërtuar nga italianët dhe ka rezistuar. Në Teatrin Kombëtar janë bërë shfaqje madhështore dhe duhet thjesht të rikonstruktohet godina, kolltuqet, lozhat, sistemi i ajrimit, sistemi ngrohjes, sistemi i ndriçimit, sistemi i fonisë, etj. Nuk ka arsye të preket godina e Teatrit Kombëtar”, pohon Shundi. Aktorja Eliona Thomaraj shprehet se në një kohë pandemi qeveria ka gjëra më emergjente për t’u marrë, duke kundërshtuar dhe vendimin e fundit për Teatrin Kombëtar. “Vendimin më të fundit të qeverisë e shikoj si një hile, që gjatë gjithë kohës përpiqet që t’ia hedhë popullit. Qeveria nuk kishte pse ta kalonte nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës teatrin, ka gjëra shumë më të rëndësishme më emergjente dhe kjo që u bë së fundmi është një hile, për më tepër në kohë pandemie”, shprehet Thomaraj. Aktorja pohon se godina e Teatrit Kombëtar ka shumë vlera dhe pa atë nuk ka histori teatri në vend. Sipas aktores Eliona Thomaraj, Teatri Kombëtar për Shqipërinë presupozon dhe simbolizon vetë teatrin. “Pa Teatrin Kombëtar nuk ka histori teatri dhe pa histori teatri neve do shkrihemi shumë shpejt, do shpërbëhemi shpejt. Nëse shembet godina e Teatrit Kombëtar humbet historia e teatrit shqiptar. Duhet të trajtohet me dashuri dhe jo të mbyllet për dy vjet, që po bëjnë çmos për ta shkërmoqur”, pohon aktorja. Për një pjesë artistësh godina e Teatrit Kombëtar jo vetëm nuk duhet prekur, por duhet investuar për tu rregulluar, është pjesë e trashëgimisë që duhet ruajtur dhe jo shkatërruar.