BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Shembja te materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Latif Lazimi: Shteti të ndalojë këtë sulm të ndërtimeve karakteristike të Tiranës

Shembja te materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Latif

Tirana ka humbur fizionominë karakteristike që trashëgonte, me shembje të godinave që përfaqësonin këtë trashëgimi. Kështu shprehen specialistët e fushës së trashëgimisë kulturore, ku sipas tyre institucionet duhet ti mbrojnë. Reagime të shumta solli dhe shembja te ndërtesa e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Përfaqësues të shoqërisë civile, specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore e më gjerë shprehen kundër shembjes në ndërtesën, që mban status monument kulture. Arkitekt restaurator dr. Latif Lazimi thotë se përgjegjësia për çfarë po ndodh është edhe e Ministrinë e Kulturës si dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare ( IKTK). Arkitekti Latif Lazimi shprehet se godina e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” ka status monument kulture, dhe si e tillë duhej të ishte e mbrojtur. “Godina e maternitetit është monument kulture dhe çfarë do justifikimi, që të përdoret për ta prishur atë nuk qëndron”, shprehet arkitekti Lazimi, i cili dhe më herët ka reaguar për problemet që janë me godinat monument kulture. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” është shpallur monument kulture i kategorisë II, që në vitin 2007. Referuar asaj që shkruhet në tabelën që prezanton projektin, prishja bëhet për të mundësuar rikonstruksionin e godinave të këtij materniteti, si dhe ndërtimin e një godine të re me tre kate. Në reagimin e tij arkitekti restaurator Latif Lazimi thekson se puna në këtë godinë me status monument kulture duhej bërë sipas ligjit, në fuqi. Arkitekti pohon se në të gjitha rastet godina duhej restauruar pa u prishur. “Kanë nxjerrë foto, që duan ta rikonstruktojnë. Në të gjitha rastet ajo duhet të restaurohet, sipas ligjit në fuqi për monumentet e kulturës dhe jo të prishet. Nuk është se e kundërshtoj unë, por e kundërshton ligji i monumenteve një veprim të tillë”, thotë dr. Lazimi. Përballë kësaj që po ndodh me ndërtimet që janë karakteristike dhe bërë dekada më parë në Tiranë, dr. Latif Lazimi arkitekt restaurator bën thirrjen që shteti duhet të ndalojë këtë sulm. Sipas tij, ndërtimet e tilla duhet të mbrohen. “Tashmë Tirana ka humbur fizionominë karakteristike, që trashëgonte me gjithë këto prishje të godinave që përfaqësonin këtë trashëgimi. Thirrja është që shteti duhet të ndalojë këtë sulm karshi ndërtimeve karakteristike të Tiranës dhe ti mbrojë e ti restaurojë ato që kanë mbetur”, shprehet dr. Lazimi.

Denoncimi për ndërtesën

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore denoncoi më parë shembjen e fasadës së maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, në bulevardin “Zogu i Parë”. Duke publikuar edhe një video realizuar para godinës, arkitektja Doriana Musai shprehej se projektues është Instituti i Ndërtimit, ndërkohë po kryen punime në një godinë e cila konsiderohet monument kulture e kategorisë së dytë dhe sipas ligjit në të nuk duhet të ndërhyhet, pasi është në mbrojtje të Ministrisë së Kulturës. Ndërsa të dielën, Komuniteti profesional dhe stafi i Universitetit “Polis”, si dhe AUA - Unioni i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë, shprehën keqardhjen e madhe dhe protestën e tyre të vazhduar për mënyrën aspak profesionale dhe të përsëritur se si po kryhet ndërhyrja e rikonstruksionit në ndërtesën e radhës historike të Tiranës, maternitetit historik “Nëna Geraldinë”. Në një deklaratë thuhej se kjo ndërtesë historike - ashtu si parku, stadiumi, teatri dhe shumë vila të viteve ‘20-‘30-të, përfshihet në fondin e objekteve me status special dhe/ose monument kulture, dhe i përkasin një periudhe mjaft interesante të modernizimit të kryeqytetit. Mjaft e kritikueshme vijon deklarata, mbetet edhe heshtja e institucioneve të specializuara publike-shtetërore për mbrojtjen e trashëgimisë. Materniteti u projektua nga arkitekti italian Tito Chioni, në vitet 1939-40 (Casa Materna e Infanzia) si maternitet i Tiranës. Chioni ishte njëri nga arkitektët italianë që u morën me ndërtimet në Tiranë në periudhën e viteve 40-të të shekullit të kaluar. Ndërtesa e ka ruajtur këtë destinacion që nga fillimi i saj.