BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Shembja te “Mbretëresha Geraldinë”, Emin Riza: MK dhe Instituti i Monumenteve kanë përgjegjësi, zero mbrojtje për monumentet e kulturës

Shembja te “Mbretëresha Geraldinë”, Emin Riza: MK dhe

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës kanë përgjegjësinë për çfarë ndodh me objektet, që kanë statusin monument kulture. Akademiku Emin Riza shprehet se përgjegjësia e MK dhe IMK është dhe te ndërtesa e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë. Për prof. dr. Emin Rizën objektet që kanë status monument kulture duhet të ruhen dhe të restaurohen, por sipas tij fatkeqësisht në Tiranë nuk është treguar vëmendje sa duhet nga institucionet. Specialist i fushës së trashëgimisë kulturore si dhe ish drejtor në IMK, Emin Riza thekson se godina e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” duhej të ishte e mbrojtur për vlerat e saj. Por ai thotë se është një kohë, që për objekte që kanë status monument kulture nuk po tregojnë vëmendje. “Ndërtesa e maternitetit, që është monument i kategorisë së dytë do të thotë se ruhet vetëm vëllimi origjinal dhe pamja e jashtme. Vlerat e kategorisë si kam thënë unë, por i ka ligji. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës kanë përgjegjësinë kryesore. Në radhë të parë e ka IMK përgjegjësinë, që duhet të bëjë menjëherë deklarimin, protestimin e tij në dukje të kësaj shkelje të rregullores së mbrojtjes së vlerave kulturore”, shprehet akademiku Riza. Ndërsa e kundërshton mënyrën se si u ndërhy dhe u shemb te ndërtesa e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, akademiku Emin Riza thotë se është IMK që duhet të vendosë në projekt. Sipas tij edhe nëse është projektues Instituti i Ndërtimit, miratimi kalon dhe te IMK. “Patjetër duhet të vendosë Instituti i Monumenteve. Për çdo ndërhyrje në objekte me status monument kulture ka lidhje IMK dhe MK. Secili institut që të bëjë projekt qoftë dhe ndërtimi duhet të marrë leje te IMK. Leja e projektit te një monument kudo qoftë dhe në cilëndo kohë të jetë ndërtuar duhet të merret për zbatimin te IMK. Pse është dëmtuar nga tërmeti godina te materniteti, nuk do të thotë që ndërhyrjet nuk do të bëhen nga IMK. IMK varet nga ministria, që të dyja kanë përgjegjësi për ruajtjen e monumenteve, por tek ne bëhen çudira”, thotë akademiku Riza.

Ndërtimet lidhen me periudha të caktuara

Emin Riza është ish drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës para vitit 1990. Me ligjin e ri të trashëgimisë kemi Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Kulturës, përkatësisht nga Instituti Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Edhe më parë akademiku Emin Riza ka pohuar për problemet, që janë në objekte të ndryshme, por sipas tij çdo ndërtim lidhet me periudhën që është ndërtuar. Edhe ndërtesa e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, sipas akademikut Riza ka historinë e saj. “Tirana po humb një pjesë të trashëgimisë së saj kulturore. Çdo ndërtim lidhet me periudhën, që është ndërtuar. Çdo periudhë ndërtimore ka karakteristikat e saj në çdo vend të botës. Kështu që është një vlerë historike dhe godina e maternitetit. Një ndërtim në vetvete interesant dhe tregon shkallën e zhvillimit ndërtimor, që kishte Shqipëria në ato vite. Çdo godinë me status monument kulture nuk duhet të shembet, por restaurohet”, shprehet akademiku Riza. Prej vitesh sipas akademikut Emin Riza specialistët nuk pyeten. Akademiku shpreh keqardhjen, që puna me monumentet e kulturës sipas tij është zero. “Unë kam qenë ish drejtor i IMK dikur, por sot puna ka ndryshuar. Veprimtaria për mbrojtjen e monumenteve të kulturës në Shqipërinë e pas 1990 ka ardhur drejt zerimit, është zero”, thotë akademiku Riza. I dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019, materniteti “Mbretëresha Geraldinë” do të rikonstruktohet. Për këtë nisi shembja e ndërtesës ekzistuese për t’i hapur rrugën më pas edhe zbatimit të projektit për realizimin e tij, ku projektues është Instituti i Ndërtimit. Ndërtesa u projektua nga arkitekti italian Tito Chioni në vitet 1939-‘40 (Casa Materna e Infanzia) si maternitet i Tiranës. Tito Chioni ishte njëri nga arkitektët italianë, që u morën me ndërtimet në Tiranë në periudhën e viteve ‘40-të të shekullit të kaluar. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” është shpallur monument kulture i kategorisë II, në vitin 2007.