BREAKING NEWS

Me kë do ta formojë PS-ja qeverinë pas 25 prillit? Rama i jep përgjigjen e prerë gazetarit

Me kë do ta formojë PS-ja qeverinë pas 25 prillit? Rama i jep
x

Kultura

Shfaqja “Djali plangprishës” e 1961 në “Nostalgjinë e teatrit”, nga Teatri Kombëtar

Shfaqja “Djali plangprishës” e 1961 në

“Nostalgjia e teatrit” do të jetë gjatë gjithë këtij muaji çdo të diel nga Teatri Kombëtar. Institucioni shprehet se në ciklin “Nostalgjia e teatrit” do të kujtohen disa nga veprat më të bukura teatrore, që janë vënë në skenë për publikun vite më parë. Teatri Kombëtar bën me dije se kjo nuk do të vijë vetëm përmes fotografive, por dhe materialeve të tjera. “Ju ftojmë të na ndiqni çdo të diel të muajit prill në ciklin “Nostalgjia e teatrit”. Kujtojmë së bashku shfaqjet më të bukura përmes fotografive, fletëpalosjeve, posterave e skicave nga arkiva historike e Teatrit Kombëtar. Çdo të diel, ora 10:00”, shprehet Teatri Kombëtar për këtë cikël që po vijon këto ditë. “Nostalgjia e teatrit” nisi këtë muaj me një vepër, që u loz vite më parë në skenë nga një kastë aktorësh të njohur të teatrit tonë. Behët fjalë për veprën teatrore “Djali plangprishës”, që ishte premierë në vitin 1961. Teatri Kombëtar shprehej të dielën, se kjo vepër ishte me regji nga Andrea Malo dhe u ndoq me mbi 7 mijë spektatorë atë kohë. “Sot rikujtojmë së bashku shfaqjen “Djali plangprishës”. Një kryevepër e shkrimtarit estonez E. Ranet dhe regji nga Andera Malo, e cila u ndoq nga plot 7238 spektatorë. Premiera 2 prill 1961. “Djali plangprishës” solli në skenë një kast të mrekullueshëm aktorësh të përbërë nga Drita Pelinku, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Sandër Prosi dhe Ndrek Luca”, shprehet Teatri Kombëtar në ciklin “Nostalgjia e teatrit”, ndërsa ka publikuar dhe disa materiale të tjera rreth kësaj vepre. “Djali plangprishës” është një dramë me tre akte. Piktor në vepër ishte Hysen Devolli. Andrea Malo është një nga ata artistë që hodhën themelet e Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Ai punoi në këtë teatër si aktor, regjisor dhe më vonë drejtor i tij. Erdhi në teatër që në vitin 1945, duke interpretuar në pjesën e parë “Topazi” e me radhë në afro 40 role, ku vlen të përmenden rolet e drejtorit të postës në komedinë “Revizori”. Si regjisor Andrea Malo vuri në skenë pjesët teatrore “Në tufan” dhe “E bardha dhe e zeza” nga Fadil Paçrami, “Martesa e avokatit” nga Foqion Postoli, “Pas vdekjes” e Andon Zako Çajupit, “Djali plangprishës” nga E. Ranet, “Martesa” e Nikolai Gogol, “Ylli i alpeve” nga A. Pano, “Nora” e Henrik Ibsenit, “Xhaxha Vanja” e Anton Çehov, etj. Vitet e fundit të jetës punoi si pedagog në Insitutin e Lartë të Arteve. Andrea Malo nderua me titullin “Artisti Merituar”.

Teatri në vite

Cikli “Nostalgjia e teatrit” ka vijuar nga Teatri Kombëtar, duke risjellë në vëmendje veprat teatrore që janë vënë dekada më parë në skenë. Ky cikël nisi gjatë kohës së pandemisë, ku Teatri Kombëtar ashtu si dhe të tjera institucione po vazhdon me një program artistik online. Teatri Kombëtar është inauguruar si i pari teatër profesionist shqiptar, në 17 majin e vitit 1945. Në regjinë e Sokrat Mios u shfaq komedia “Topazi”, që u quajt si “shfaqja themeluese e TK”. Aktorët e parë të Teatrit Profesionist ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrekë Shkjezi, Liza Vorfi, Behije Çela, Liza Vorfi, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Shumë shpejt në teatrin profesionist erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur si Marie Logoreci, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Lora Kovaçi, Besa Imami, Vjoleta Manushi si dhe regjisori i porsa diplomuar Pandi Stillu. Për herë të parë në Shqipëri për teatër është folur në periudhën e Rilindjes Kombëtare, në fund të shekullit të XIX-të. E para shfaqje e dokumentuar nga burimet arkivore është “Dasma e Lunxhërisë” e Koto Hoxhit vënë në skenë në vitin 1874 nga djemtë e shkollës normale të Lunxhërisë. Për herë të parë për klube teatrore flitet në vitin 1908, ku spikasin klubi “Labëria” i Vlorës, “Vllaznia” i Shkodrës, “Drita” i Gjirokastrës, “Dituria” i Korçës, “Afërdita” Elbasan, si dhe një shoqëria e grave “Ylli i Mëngjesit”.