BREAKING NEWS

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën deklaratën ‘bombë’ për atë që fshihet pas pandemisë së COVID-19: Ky krim nuk del me armë në dorë, është i nivelit të lartë!

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën
x

Kultura

Shfaqja “Sot, 8 ditë” vepër e shkruar në 1932, më e mira në “Ditët e Komedisë Shqiptare”

Shfaqja “Sot, 8 ditë” vepër e shkruar në 1932,

Komedia “Sot, 8 ditë” u shpall më e mira në edicionin e 15 të festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”. Para publikut në ditët e këtij festivali u prezantuan me shfaqjet e tyre teatro nga Gjilani, Podujeva, Tirana, Gjakova dhe teatri i Preshevës, të cilën e organizoi shtëpia e kulturës “Abdulla Krashnica”, në Preshevë. Komedia shqiptare “Sot, 8 ditë” është shkruar nga autori Josip Rela dhe në skenë me regji nga Elona Hyseni. Vepra teatrore është prodhim i teatrit Metropol nga Tirana, i cili me këtë vepër është fitues i tre çmimeve në festivalin "Ditët e Komedisë Shqiptare", në Preshevë. Komedia shqiptare "Sot, 8 ditë" produksion i teatrit Metropol në Tiranë u vlerësua me çmimet “Aktori më i mirë jo protagonist” që shkoi për Margent Caushin, dhe regjia më e mirë, shfaqja më e mirë në festivalin e komedisë, që këtë vit zhvilloi edicionin e 15 të tij. Juria e festivalit përbëhej nga regjisori Fatos Berisha, Musa Isufi dhe Kastriot Saqipi. Festivali u hap më datë 4 nëntor për të vijuar deri në datën10. Në këtë komedi shqiptare interpretuan aktorë Elona Hyseni, Ermir Hoxhaj, Xhino Musollari, Ermir Jonka, Margent Caushi, Klea Konomi, Alba Shtëmbari, Klodjana Keco, Ergys Baki, Glen Shutina, Valdano Bajram dhe Joana Omeraj. Në një status të saj regjisorja Elona Hyseni shprehet me vlerësime për festivalin e komedisë shqiptare, që u zhvillua në Preshevë, ku shfaqja e saj u shpall më e mira. “E lumtur që shfaqja "Sot, 8 ditë" produksion i teatrit Metropol mori tre kurora dashurie, tre çmime (Aktori më i mirë jo protagonist, regjia më e mirë, shfaqja më e mirë). Faleminderit Jonida Beqo për suportin në këtë projekt. Faleminderit Valon Nuhiu për ftesën në Preshevën tënde të vogël, por me zemër të madhe dhe gjithë stafin e jashtëzakonshëm të teatrit "Abdulla Krashnica", që na dhuruat një dashuri të munguar, skenën. Jurinë, që me vlerësimin e tyre ma mbushën zemrën plot gëzim”, shkruan mes të tjerave Hyseni.

 Vepër e vitit 1932

Një komedi karakteresh shkruar nga dramaturgu dhe poeti arbëresh i Kroacisë Josip Rela, “Sot, 8 ditë” u soll skenë më parë në kuadrin e edicionit të tretë të festivalit "Metrofest 3", që u zhvillua në teatrin Metropol. Festivali pati në qendër të vëmendjes veprat shqiptare të harruara ose që nuk janë vënë asnjëherë në skenë, sjelljen në kohë dhe formën se si komunikojnë këto vepra në ditët e sotme. Një djalë dhe një vajzë të dashuruar janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin, apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend? Një komedi keqkuptimesh e sqarimesh shkruar që në vitin e largët 1932 nga autori arbëresh i Kroacisë Josip Rela, është një pjesë me dy akte, qëllimi i së cilës është të nxjerrë në pah pafytyrësinë, vrazhdësinë dhe imoralitetin e shtresës së lartë. Josip V. Rela (1895-1966), shkrimtar dhe dramaturg i shquar nga Zara e Kroacisë njihet si themelues i dramaturgjisë shqiptare në ish-Jugosllavi dhe është shumë i njohur në Kosovë. Poet dhe autor i trembëdhjetë veprave ndër të cilat “Nita”, “Sot 8 ditë”, etj, lindur dhe rritur në fshatin Arbanas të Zarës në Kroaci, ai punoi si mësues dhe drejtor teatri e drejtor shkolle në Zarë. “MetroFest” erdhi si një festival i ri, që u organizua për herë të parë në teatrin e Metropolit, në sezonin e vjeshtë-dimrit 2017, me temë drama Shqipe. Sipas organizatorëve, ky festival u mendua të nxisë punën e re dhe kërkimin artistik të fuqive krijuese, që duan të mbështesin gjallimin e veprave shqiptare dhe takimin e tyre me publikun e gjerë në një frymëmarrje të përbashkët.