BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

“Shkëlqimi edhe rënia e shokut Zylo” e Dritëro Agollit, një film nga regjisori Fatmir Koçi

“Shkëlqimi edhe rënia e shokut Zylo” e Dritëro

“Shkëlqimi edhe rënia e shokut Zylo” është projekti kinematografik me regji nga Fatmir Koçi, për të cilin kanë nisur xhirimet. Skenari bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli është dhe filmi më i fundit i regjisorit Fatmir Koçi, i cili po zhvillon xhirimet këto kohë në Tiranë. Aktorë të njohur të kinematografisë shqiptare, por dhe të rinj janë në rolet e filmit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Për ministren e Kulturës Elva Margariti që ishte në xhirime, është kënaqësi që në këtë projekt kinematografik ishin shumë të rinj. ““Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një nga romanet jo vetëm më të mirë të shkrimtarit Dritëro Agolli, por të të gjithë letërsisë shqipe, tashmë po kthehet edhe në film. Një film me skenar dhe regji nga Fatmir Koçi, prodhim i shtëpisë kinematografike "KKoçi Production". Ishte kënaqësi të shihja kaq shumë të rinj, jo vetëm në rolet kryesore të filmit, por edhe në paskuinta, çka na jep besim se një brez i ri aktorësh e kineastësh kanë nisur udhëtimin e tyre”, shprehet ministrja e Kulturës në një status në Facebook, ndërsa ka postuar edhe foto gjatë xhirimeve të filmit më të fundit të regjisorit të njohur Fatmir Koçi. Në rolet kryesore në filmin “Rënia dhe shkëlqimi i shokut Zylo” janë aktorët Aleks Seitaj dhe Donald Shehu, por në role përmendim dhe aktorët e njohur si Kastriot Çaushi, Petrit Malaj, Sokol Angjeli apo dhe Kristaq Pilo, për të vijuar dhe me të tjerë emra tjerë. Në rol vjen dhe aktori i ri Endri Çela, si dhe të tjerë artistë të rinj që janë pjesë e filmit më të fundit të regjisorit Koçi. Ky film i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë është bashkëprodhim me shtëpinë filmike “Circle Production”, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe shtëpinë filmike “KINO OKO”, Maqedonia e Veriut.

Vepra e Agollit

Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” shkruar nga Dritëro Agolli rrëfen historinë e ngritjes në karrierë të një burokrati komunist në periudhën e diktaturës në Shqipëri. Te personazhi i Zylo Kamberit ndërthuret komedia, grotesku, zhgënjimi, normaliteti, etj. Shoku Zylo është një nga qindra e qindra nënpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e Zylos. Në të vërtetë Zylo Kamberi është një figurë tragjikomike. Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tij është me zë të ulët. Veprimet e tij përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike. Për burokratët dhe servilët është shkruar jo pak, por faji përgjithësisht i është hedhur njërës palë: ose eprorit arrogant, ose vartësit të përulur. Kurse në romanin humoristik të Dritëro Agollit, Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë “Zylyftar” dhe “Demir”, të dy janë shkaktarë situatash që e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, por edhe të pezmatohet disi. I botuar në vitin 1973, romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” mbetet një nga librat më të lexuar edhe sot e kësaj dite. Shkrimtari Dritëro Agolli sipas shkrimeve të kritikës, në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ka trajtuar me një stil satirik, temën të cilën e njohim të gjithë ne, përmes absurditetet e burokracisë dhe rregullave të vështira të socializmit. Tema dhe gjuha e romanit është bërë në atë formë, sa kurrë nuk do ta humbasë orgjinalitetin e saj, por do të jetë gjithmonë universale.