Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shkrimtarët apel Margaritit: Këshilli i Librit të dominohet nga personalitetet e letërsisë, jo zyrtarët e qeverisë

Postuar: 20/03/2019 - 07:24

Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit është i parashikuar në ligjin e librit, por nga Ministria e Kulturës duket se është lënë në harresë. Por për shkrimtarët këshilli nuk duhet të jetë vetëm virtual dhe pa pasur asnjë lloj funksioni, por duhet të kryejë misionin e tij për librin pranë Ministrisë së Kulturës. KKLNL nga ish ministrja e Kulturës nuk u mor shumë në vëmendje, por shkrimtarët i bëjnë apel dhe ministres Elva Margariti, që duhet të zbatohen ligjet dhe këshilli të jetë funksional. Në reagimet e tyre ata shprehen se këshilli është në ligjin e librit dhe përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës është jo vetëm që ta mbledhë herë pas here, por dhe të ketë në përbërje të tij personalitete nga fusha e librit në vend. Shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo shprehet se duke qenë me rol këshillimor duhet të ketë më tepër personalitete të librit se sa zyrtarë. “Këshilli i librit duhet të ketë personalitete të vërteta të librit. Janë edhe botuesit, por kryesorët janë shkrimtarët. Ky këshill duhet të mbrohet me të drejtën intelektuale të shkrimtarëve. Duke qenë me rol këshillimor duhet të ketë më tepër emra personalitetesh se sa zyrtarë dhe botues. Edhe nga pikëpamja e proporcioneve ata që janë në këshill janë të lidhur me shtetin, me qeverinë dhe nuk janë shkrimtarët më shumë në përfaqësim”, shprehet studiuesi Zeqo. Më tej ai shton se ligjet duhet të zbatohen dhe kërkon që të ketë rregullime në përbërjen e anëtarëve të këshillit të librit, i cili deri tani ka qenë formal dhe pa funksion. “Fakti që deri tani ky këshill është vetëm dekorativ, formal dhe nuk ka ndonjë funksion të rëndësishëm tregon se duhet të ketë tjetër përbërje dhe të funksionojë si duhet. Fakti që nuk është mbledhur prej vitesh tregon që pesha e tij institucionale është thjesht një zbrazëti, një veprim në zbrazëti. Libri ka shumë probleme, një pre tyre është dhe çështja e bibliotekave të varfra, problem mbetet dhe vlerësimi i personaliteteve të librit”, vijon më tej studiuesi Moikom Zeqo.

 Këshilli dhe funksionimi

Shkrimtar dhe botues Xhevair Lleshi gjithashtu shprehet me kritika për çfarë ndodh në punën që bën Ministria e Kulturës në fushën e librit. “Këshilli më duket si një përrallë e kotë, një dëngël që nuk ka ku të vejë më keq. Ata që duhet ta dinë se si funksion ky këshill se dinë. Ata që duhet ta dimë jemi ne autorët, por se dimë pse është ky këshill”, shprehet shkrimtari Lleshi. Për shkrimtarin Pandeli Koçi nëse me ish ministren e Kulturës Mirela Kumbaro nuk u mor vesh se çfarë bëri ky këshill, sa herë u mblodh në ministri dhe për çfarë, tashmë ministrja e re duhet të ketë vëmendje të respektojë ligjin e librit. “Këshilli nuk duhet të jetë virtual dhe klientelist. Por të jetë real dhe të jetë i dobishëm. Të funksionojë për atë që është krijuar. Për mua duhet të jetë dhe një anëtar nga letërsia për fëmijë, pra autor i kësaj letërsie, sepse ka shumë rëndësi dhe edukon brezat kjo letërsi. Ndodhet në ligj dhe nuk e dimë se çfarë bëhet me këtë këshill. Nëse nuk mblidhte rregullisht kemi moszbatim të ligjit po nga ministria. Ministrja e re e Kulturës të zbatojë ligjin dhe ta ketë në program të punës së saj për librin”, shprehet shkrimtari Pandeli Koçi. Këshilli është në ligjin aktual të librit, por në projektligjin e librit që është në faqen e ministrisë së Kulturës ai ka më pak anëtarë. Neni 10 shprehet se Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit kryesohet nga ministri përgjegjës për librin. Anëtarët e KKLNL-së janë: a) Drejtori i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit; b) Drejtori i Bibliotekës Kombëtare; c) Kryetarët e shoqatave të botuesve shqiptarë; ç) Përgjegjësi i Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës; d) Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit; dh) 3 anëtarë të tjerë, personalitete të fushës, që caktohen nga ministri përgjegjës për politikat e librit dhe leximit, për një periudhë 4-vjeçare.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:33

Libri “Mjekësia alternative shqiptare”, risi në trajtimin e sëmundjeve të kockave, volumi 1 nga autorët Ylli Merja dhe Erjola Braçi është botimi më i ri, që vjen për lexuesit nga shtëpia botuese “Mor

Postuar: 18/07/2019 - 07:31

Teatri i Operës dhe Baletit mbyll sezonin artistik me një trio shfaqjesh.

Postuar: 18/07/2019 - 07:30

Piktorit Vangjo Vasili vjen për publikun me ekspozitën e tij vetjake në galerinë e artit të qendr

Postuar: 18/07/2019 - 07:29

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë përballet sot jo vetëm me probleme financiare, por dhe me një

Postuar: 17/07/2019 - 07:30

Opera “Madama Butterfly” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë në vitin 196

Postuar: 17/07/2019 - 07:29

Ekspozita “Phos” vjen përmes fotografive nga Emira Zenelaj në galerinë FAB.

Postuar: 17/07/2019 - 07:27

Studiuesi i artit Agim Janina shprehet se artistët nuk kanë ende vendin që meritojnë dhe nga inst