BREAKING NEWS

Obama, Melinda Gates dhe Fauci mbikqyrësit e laboratorit të Wuhanit në 2015 kur Bill Gates paralajmëroi rrezikun nga virusi

Obama, Melinda Gates dhe Fauci mbikqyrësit e laboratorit të Wuhanit
x

Kultura

Shkrimtarët: Ministria e Kulturës të hapë konkurset letrare për autorët e rinj dhe letërsinë për fëmijë, juria me njerëz të aftë

Shkrimtarët: Ministria e Kulturës të hapë konkurset letrare

Ministria e Kulturës duhet të zhvillojë konkurset letrare për autorët e rinj, si dhe në letërsinë për fëmijë, sepse kjo sjell dhe zhvillimin e krijimtarisë. Kështu shprehen autorë të njohur, që sipas tyre në politikat kulturore duhet të jenë në vëmendje edhe konkurset. Por sipas tyre, në çdo konkurs duhet menduar që në juri të jenë profesionistë, emra që të dinë të vlerësojnë. Shkrimtari Xhahid Bushati thotë se duhet të vazhdojë tradita e një viti më parë kur nga ministria u hap fondi për autorët e letërsisë për fëmijë. Kjo sipas tij ndihmon për letërsinë, duke shtuar se duhet më shumë vëmendje për krijimtarinë letrare. “Ministria e Kulturës duhet të ketë shumë në vëmendje autorin dhe letërsinë. Vjet ka qenë një fond për krijimtarinë letrare për fëmijë dhe mendoj që kjo duhet thelluar dhe vijojë. Por konkurset duhet të jenë të tilla, që të kenë në juri ekspertë, njerëz të aftë dhe ti analizojnë mirë veprat që do të fitojnë, dhe ti bëjnë mirë ecurisë së letërsisë për fëmijë. Mendoj që duhet të hapen konkurse dhe në letërsinë për fëmijë, por dhe një konkurs për krijimtarinë vetëm me autorët e rinj. Autorëve të rinj iu jepet një stimul, sepse në finale paraqesin pikëpamjet estetike të tyre mbi botën dhe mbi realitetin, mbi atë çfarë shkruajnë qoftë në prozë apo poezi”, pohon autori Xhahid Bushati. Në reagimin e tij shkrimtari i njohur Xhahid Bushati ndër të tjera sjell shembuj se si autorë, që janë sot të njohur në krijimtarinë letrare për të rritur kanë shkruar dhe për fëmijë. “Te letërsia për fëmijë kushdo që të vijë qoftë dhe autorë nga letërsia për të rritur i bën mirë, sepse zgjeron portretin e kësaj letërsie. Ne kemi shumë shembuj, që kalohet nga letërsia për të rritur, për shembull Xhevahir Spahiu, etj, pra njerëz që e kanë pasuruar. Edhe Diana Çuli ka botuar një libër me përralla dhe është interesant në llojin e vet. Mua kjo më pëlqen”, thotë ai.

Konkurset nxjerrin në pah vlerat

Për shkrimtarët mungesa e konkurseve sjell probleme në letërsinë për fëmijë, por dhe te autorët e rinj që nuk stimulohen. Për shkrimtarin Xhahid Bushati problem është dhe fakti se botimet në letërsi kanë jo pak vështirësi. “Mungesa e konkurseve bën që zakonisht e harrojnë, që ekziston letërsia për fëmijë. Çdo gjë i jepet spontanitetit. Ndonjë autor që ka para e boton apo ndonjë botues që është dashamirës mund të botojë. Ka dhe një problem tjetër që në letërsinë për fëmijë ka pak autorë, jo shumë që shkruajnë. Pra konkurset duhet të vijojnë dhe të jenë me juri me njerëz të aftë”, shton më tej Bushati. Për shkrimtarin Pandeli Koçi në politikat kulturore të Ministrisë së Kulturës autori dhe libri duhet të gjejnë më tepër mbështetje. Sipas tij, konkursi për letërsinë e fëmijëve dhe ai për autorët e rinj nuk duhet të mungojë. “Ne e kemi problem mungesën e konkurseve dhe autorët e rinj presin për letërsinë për fëmijë, ku mosha e këtyre të tjerëve është mbi 70 vjeç. Për të evidentuar dhe nxjerrë në pah duhet që të bëhen konkurset letrare dhe të marrin pjesë autorë të ndryshëm. Unë e kam thënë disa herë, që ka autorë të rinj në letërsi por ne nuk i njohim. Ministria të hapë konkurs për autorët e rinj deri në moshën 30 vjeç, sepse kjo ndihmon shumë”, vijon shkrimtari. Në kohën që po kalojmë shkrimtarë të ndryshëm herë pas here janë shprehur për vështirësitë që po kalojnë me krijimtarinë, duke kërkuar mbështetjen nga institucionet.