BREAKING NEWS

‘S’do lemë gur pa luajtur’, kryeministri Rama niset drejt SHBA dhe jep lajmin e madh për qytetarët

‘S’do lemë gur pa luajtur’, kryeministri Rama niset drejt
x

Kultura

Shpresa Milaqi me ekspozitën “Rrugëtim” në Muzeun Historik Kombëtar, 96 punime në akuarel, vaj dhe vizatime

Shpresa Milaqi me ekspozitën “Rrugëtim” në Muzeun

Ekspozita “Rrugëtim”, me 96 punime në pikturë dhe vizatime është hapur prej disa ditësh në Muzeun Historik Kombëtar. Piktorja e njohur Shpresa Milaqi Bajko vjen për publikun me një ekspozitë personale, duke prezantuar një krijimtari të pasur. Punët në ekspozitën personale të piktores janë realizuar në një hark kohor nga viti 2013 deri në 2020 dhe në “Rrugëtim” është një përzgjedhje e tyre. E hapur që në datë 17 tetor në muze ekspozita “Rrugëtim” ka ngjallur kureshtjen e vizitorëve që nuk mungojnë për të parë punët e piktores Shpresa Milaqi, por nuk ka munguar dhe vlerësimi i kritikëve të artit. Piktorja vjen me këtë ekspozitë në Tiranë pas asaj me titull “Melodia e Jetës”, që hapi në muajin gusht në qytetin saj të lindjes Durrës. Ekspozita në Tiranë ku prezantohen 96 punime, janë kryesisht në akuarel, vaj dhe vizatime. Ekspozita “Rrugëtim” vjen me portrete familjare, peizazhe, natyrë të qetë, etj. Piktorja Shpresa Milaqi thotë se punët në këtë ekspozitë personale janë më shumë të vitit 2020. “Janë punime që janë realizuar në harkun kohor të viteve 2013-2020. Por pjesa më e madhe që janë në këtë ekspozitë janë të vitit 2020, sepse ishte dhe një periudhë sa i takon pikturës më frytdhënëse dhe qëndrimi në shtëpi na bëri të punojmë më tepër, por që janë sjellë me një frymë tjetër”, thotë ajo. Në Tiranë piktorja Shpresa Milaqi Bajko prej disa ditësh është mes vlerësimit të vizitorëve që nuk mungojnë në MHK, ndërsa thotë se në këtë ekspozitë ka dashur pak nga të gjitha veprat e saj. “Unë doja ti gërshetoja të gjitha së bashku. Më erdhi mirë tek i ndërthurja portretin, natyrën e qetë, peizazh, sepse dhe larmia të bën që ta shikosh dhe më me dëshirë të tërë ekspozitën, sepse dhe numri i punëve është i madh”, thotë ajo.

Aktivitet me vlerësime në pikturë

Kritiku i artit Agim Janina i pranishëm edhe në hapjen e ekspozitës në Tiranë vlerëson punën dhe krijimtarinë e piktores. Në një reagim të tij ai thotë se rritur e formuar në qytetin e Durrësit, në një bashkësi artistike të gjallë e të vlerësuar, piktorja Shpresa Milaqi Bajko shpërfaq shqetësimet e kohës në akuarele, punime në vaj dhe vizatime. “Tablotë mund të shikohen edhe si një ditar viziv i kohës. Janë probleme jo vetëm për qytetin e Durrësit, por dhe probleme sociale, njerëz që vuajnë, që përplasen me dallgët e jetës, por dhe gëzime familjare shoqërore, ku nuk do mungonte deti me dallgëzimet e tij, shpërthimet e natyrës, natyrat e qeta, etj”, thotë kritiku Janina në reagimin e tij. Kritiku i artit Agim Janina vijon më tej, se piktorja Shpresa Maliqi Bajko, pjesëmarrëse në shumë ekspozita në Durrës, Berat, për të vijuar më pas në Kosovë, në Bienalet e Hanoit (Vietnam) dhe të Bangladeshit, të Çekisë, Italisë, si dhe pjesëmarrëse për shumë vite në "PranverArt", pa droje iu drejtua kryeqytetit, Tiranës këtë radhë me një ekspozitë të plotë. “Të ndërtuara me ngjyra në ballafaqime të forta, ku kalimet, nën kornizime të plota të figurave akuarelet mbartin ndjesi të këndshme. Kjo ekspozitë vjen në kushte të panevojshme për arsye të pandemisë. Por arti dhe artisti luftojnë me mjetet e veta, dhe mund edhe kapërcen vështirësitë e kohës”, vijon Janina. Shpresa Milaqi sipas kritikut, pa ndroje dhe me guxim sjell këtë ekspozitë të freskët, ku pohon se punimet dallohen të një natyre pak foviste (të egra), nga se piktorja kërkon ritmin, duke dashur të nxjerri në pah shpirtin dhe botën e saj. “Studioja e Shpresës është një rast i rrallë, kur krahas piktore është dhe stiliste shumë e mirë, kur ajo bashkë me pasionin e pikturës merret dhe me stilim e veshjeve. Çfarë i lë mangut njëra i plotëson tjetra. Shumë pyesin se ku e gjen Shpresa kohën për t'u marrë me familjen me pikturën dhe stilimet. Për të koha ka vlerën më të madhe dhe artistja e gjen gjithmonë kohën për të krijuar, sepse krijimi është një ngasje e brendshme”, shprehet kritiku Agim Janina. Për kritikun Janina, në punimet e saj shikojmë ngjyra shprese dhe si të thuash bën personifikimin e emrit me veprën e saj, një botë e bukur shpirtërore shprehur me larminë e formave koloristike jep optimizmin e jetës. Ekspozita “Rrugëtim” do të qëndrojë dhe ditën premte për vizitorët në Muzeun Historik Kombëtar.