BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Shqipëria e fundit në Europë në buxhet për artin, SPK propozon rritje fondesh, krijim të QKA dhe regjistrin për IKK

Shqipëria e fundit në Europë në buxhet për artin, SPK

Shqipëria renditet në vendin e fundit në rajon sa i takon buxhetit për artin dhe kulturën, ndërsa aktivitetin artistik e shoqërojnë dhe probleme të tjera, që kanë lidhje me çështjet ligjore. Arti dhe kultura një vektor i rëndësishëm zhvillimi, ku propozime të Skenës së Pavarur Kulturore u bënë në Forumin Kombëtar “Qeverisje për Ndryshim” organizuar nga Co-PLAN, Institute for Habitat Development dhe Westminster Foundation for Democracy. Ky forum online është konceptuar si një platformë para-elektorale, ku aktorë të shoqërisë civile nga sektorë të ndryshëm dhe me mandate të qarta përfaqësuese parashtrojnë problematika dhe artikulojnë propozime për ndryshim. Ilda Mara, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Argjiro” bëri propozime për ndryshim në fushën e artit dhe kulturës, propozime të cilat rrjeti i Skenës së Pavarur Kulturore ( SPK) nuk ka reshtur së kërkuari në vite. “Arti dhe kultura përbëjnë vetëm 0.4 për qind të buxhetit të shtetit duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë. Aspirata jonë është që në 4-vjeçarin e ardhshëm të ndërmerren politika që sikurse dhe në sektorët e tjerë, dhe sektori i artit dhe kulturës të përafrohet me ato të BE-së. Kultura duhet parë si sektor prioritar në ekonominë shqiptare dhe buxheti i saj të rritet nga 0.4 për qind në nivelin ambicioz të 1 për qind. Kjo është një nismë aktuale e rrjeteve, organizatave, artistëve në mbarë Europën: “Supporting Europe is supporting Culture, 1% for Culture!”, tha Mara, pjesë e SPK. Ndër propozime të tjera të bëra nga drejtoresha Ilda Mara ishte dhe paketë financiare lehtësuese. Mara u shpreh për parashikimin e një pakete lehtësuese fiskale për organizatat kulturore, si përshembull reduktimi i tatim burimit ( nga 15 për qind në 6 për qind si në rastin e turizmit). Në propozimet e SPK janë dhe krijimi i një fondi të dedikuar për bashkëfinancimin e projekteve të ndihmës së huaj pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE), për mbulimin e 15 për qind e bashkë-financimeve për projektet evropiane (fond i dedikuar siç funksionon në Itali, Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, Greqi). Në fjalën e saj drejtoresha e organizatës “Argjiro” Ilda Mara shprehet dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë nga shteti të organizatave dhe subjekteve, që rezultojnë fituese nga programet kulturore të BE, si Creative Europe etj, nëpërmjet mbulimit të pjesës së bashkëfinancimit që për organizatat shqiptare mbetet një sfidë financiare problematike, programet e Creative Europe kërkojnë 40-50 për qind bashkëfinancim nga organizatat fituese të granteve.

 Ndihmë për artistët e pavarur

Për Skenën e Pavarur Kulturore, ligji për të drejtën e autorit, është një avancim për rregullimin e statusit të artistit, po ka ende shumë për të arritur një zbatim transparent. Pjesë e SPK, Ilda Mara shprehet edhe për regjistrimin e artistëve të pavarur, në Drejtoritë Tatimore dhe pajisja e tyre me NIPT. Rasti i “pagës së luftës” vitin që shkoi sipas drejtoreshës së organizatës “Argjiro” ishte një shembull ku artistët e pavarur të paregjistruar nuk e përfituan, por vetëm subjektet që ishin të pajisur me NIPT. Në propozimet e saj Mara kërkoi edhe krijimin e regjistrit për Industrinë Krijuese dhe Kulturore. “Krijimi i kategorive të artistëve dhe profesionistëve të fushës art kulturë, që ka nevojë për një formalizim dhe kategorizim në regjistrin e profesioneve të rregulluara”, tha Ilda Mara. Nevoja për një Qendër Kombëtare të Arteve sipas drejtoreshës së “Argjiros” Ilda Mara është një domosdoshmëri, qendër sipas saj që të jetë dedikuar arteve pamore, arteve skenike, muzikës, festivaleve, artit të rrugës, projekteve multidisiplinore, industrisë krijuese. “Një qendër e tillë do të ishte një instrument që do të decentralizonte prodhimin artistik, e do të bënte të mundur fleksibilitetin e nevojshëm menaxherial në rritjen e buxhetit. Kemi shembuj të dy qendrave të suksesshme: Qendra Kombëtare e Kinematografisë - QKK, dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”, pohon ajo. Me rëndësi sipas SPK është dhe nxitja e investimit të biznesit në art dhe trashëgimi nëpërmjet miratimit të një ligji të veçantë ose të dispozitave të veçanta, në mënyrë që të krijohen mekanizma mbështetëse për ti çelur dritën jeshile investitorëve privatë në kulturë, ku këtu kemi dhe modelet franceze dhe italiane të investimit në art.