Lajme të tjera
BREAKING NEWS

PËRDITËSIMI/ Ulen ndjeshëm rastet e infektimeve me Covid-19 në 24 orët e fundit

PËRDITËSIMI/ Ulen ndjeshëm rastet e infektimeve me Covid-19
x

Kultura

“Shqipëria e viteve 1928-1931 nga Pietro dhe Larissa Quaroni”, me imazhe unike në galerinë “Vilson Kilica”

“Shqipëria e viteve 1928-1931 nga Pietro dhe Larissa Quaroni”,

Galeria “Vilson Kilica” mirëpriti një nga ekspozitat më të veçanta, që janë hapur në COD. Ekspozita fotografike “Shqipëria e viteve 1928-1931 nga Pietro dhe Larissa Quaroni” u hap këto ditë në galerinë e artit “Vilson Kilica”, në qytetin e Fierit. Në këtë ekspozitë që më parë u hap në COD - Center For Openness And Dialogue te Kryeministria, Shqipëria e viteve 1928-1931 vjen e rrëfyer përmes fotografive nga arkivi i diplomatëve italianë Pietro dhe Larissa Quaroni. Për këtë ekspozitë të veçantë me fotografi që janë realizuar vite më parë janë përzgjedhur imazhet më unike, që hedhin dritë mbi këtë periudhë të historisë, nga një arkiv i pasur prej 780 fotosh të digjitalizuara, që familja Quaroni ia dhuroi shtetit shqiptar. Ngjarje, njerëz, jeta e përditshme, peizazhet dhe traditat e Shqipërisë në vitet 1928-1931, të vëzhguara dhe të përjetuara nga italianët Pietro dhe Larissa Quaroni janë pasqyruar në fotografitë e digjitalizuara të prezantuara për herë të parë në Shqipëri në ekspozitën që pas COD tani është në Fier. Ndërsa ka publikuar dhe një foto që është në ekspozitën në Fier, COD shprehet për prezantimin me Pietro dhe Larissa Quaroni, udhëtimi i të cilëve na mundëson sot të vëzhgojmë Shqipërinë e viteve 1928-1931. “Në këtë imazh ata pozojnë me veshje popullore shqiptare, duke u përfshirë jo vetëm përmes objektivit të aparatit por edhe si subjekt i këtij mjedisi”, shkruan COD. Ekspozita u hap më datë 13 gusht dhe Bashkia e Fierit bën me dije se do të qëndrojë gjatë dy muajve në galerinë e artit “Vilson Kilica”. “Një ekspozitë e veçantë që përgjatë muajit gusht dhe shtator do të ofrojë për artdashësit fierakë mbi 80 fotografi të përzgjedhura nga arkivi prej 780 imazhesh të familjes Quaroni, ekspozuar në kuadër të ekspozitës shëtitëse të COD”, shprehet bashkia.

Ekspozita, me interes historik dhe social

Kjo ekspozitë që u çel përmes fotografive më 13 gusht në galerinë “Vilson Kilica” vjen në vijim dhe të tjerave që janë hapur më parë me punime të artistëve të ndryshëm, ku më e fundit ishte me piktura. Nga organizatorët e këtij aktiviteti në qytetin e Fierit është shprehur edhe kontributi i Ambasadës Italiane në vendin tonë, që bënë të mundur çeljen e kësaj ekspozite edhe në galerinë “Vilson Kilica”. Të gjitha fotot e digjitalizuara, mund të shihen sipas një renditjeje kronologjike në formë projeksioni filmik, në këtë ekspozitë. Është dëshira e familjes Quaroni, që gjithë arkiva fotografike Quaroni, “Albania 1928-1931” të jetë e përdorshme për të gjithë të interesuarit për historinë e Shqipërisë, si nga historianët, studiuesit, diplomatët, gazetarët, ashtu dhe studentët shqiptarë e të huaj. Ekspozita përcjell një kontekst me interes të madh historik dhe social, imazhe befasuese dhe origjinale, një përshkrim i rrallë dhe unik, veçanërisht i figurave politike dhe i personazheve që kanë dominuar skenën shqiptare të viteve ’20 dhe ’30. Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni-t, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj, erdhi në Shqipëri si bashkëshortja e Ambasadorit të Spanjës. Kur ekspozita u hap në COD, ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, tha se në qendër të kësaj ekspozite përveç Shqipërisë, Tiranës dhe viteve ’30 kemi tre breza të familjes Quaroni. Fotografitë e familjes Quaroni në COD, me imazhe befasuese nga Shqipëria e viteve 1928-1931 u ekspozuan në maj të një viti më parë ku qëndruan disa javë, ndërsa tani në gusht të 2020 janë në qytetin e Fierit.