BREAKING NEWS

Zbardhen detaje nga kanosja me armë në Bulqizë, mësohet arsyeja pse u qëllua ndaj punonjësit të sigurimeve shoqërore, kishte debatuar në telefon për...

Zbardhen detaje nga kanosja me armë në Bulqizë, mësohet
x

Kultura

"Shqipëria Misterioze: Pasqyrime në një histori të panjohur të filmit”, me prodhime shqiptare në Vjenë

"Shqipëria Misterioze: Pasqyrime në një histori të

"Shqipëria Misterioze: Pasqyrime në një histori të panjohur të filmit", titullohet retrospektiva e kuruar nga Louise Burkart me filmat shqiptarë ndër vite, që po shfaqet në ekranin e kinemasë Metro Kinokulturhaus të Arkivit të Filmit në Austri. Janë 11 tituj filmash, që po shfaqen në Vjenë, prodhime të ndryshme të kinemasë shqiptare, që janë realizuar në kohën e Kinostudios, por dhe vite më pas. Drejtoresha e AQSHF Iris Elezi shprehet se kjo retrospektivë, që nisi më datë 23 janar dhe do vijojë deri më 5 shkurt, po realizohet falë bashkëpunimeve me disa institucione.

“Retrospektiva e kuruar nga Louise Burkart, me titull "Shqipëria Misterioze: Pasqyrime në një histori të panjohur filmi" në Metro Kinokulturhaus të “Film Archiv Austri”, bashkëpunim i AQSHF, Arkivi i Filmit Austri, Ambasada Austriake Tiranë, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK), Ministria e Kulturës dhe Bunkerfilm +”, thotë Elezi.

Për drejtoreshën e arkivit të filmit në Shqipëri, është një program fantastik, me filma të kuruar nga Louise Burkart, ku do të shfaqen edhe imazhe mbresëlënëse shqiptare. “Lum ata që janë në Vjenë dhe mund ta ndjekin programin fantastik të kuruar nga Louise Burkart, me 11 filma artistikë dhe 1 të shkurtër nga fondi i AQSHF, pas 1 viti pune. Imazhe mbresëlënëse shqiptare do të shfaqen në këtë retrospektivë të parë të kinematografisë sonë në “Film Arkiv Austria”. Çdokush që mundet duhet ta përjetojë këtë festë të filmit shqiptar në zemër të Vjenës”, tregon drejtoresha Elezi. Kjo retrospektivë me filmat shqiptarë, pas Vjenës në Austri do të vijojë të jetë dhe në Frankfurt në muajin shkurt. Por më pas në muajin mars do të jetë në Zyrih të Zvicrës.

Filmat në Vjenë

Në filmat që janë pjesë e kësaj retrospektive të filmit shqiptar në Vjenë, përmendim tituj si “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Kapedani”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Në Festivalin e 11 të Këngës”, “Shembja e idhujve”, “Lulëkuqet mbi mure”, etj. Në listën e filmave të zgjedhura nga kuratorja janë dhe filmat “Tomka dhe shokët e tij”, “Zëri i gjakut, zëri i tokë”, “Gjallë”, “Tirana viti zero”, “Gjeneral Gramafoni”, etj. Prodhime të filmit shqiptar para dhe pas viteve ’90 janë këtë herë përzgjedhja e kuratores së njohur Louise Burkart, projekte kinematografike që janë realizuar nga regjisorë të njohur, por kanë angazhuar në role dhe aktorë të njohur shqiptarë, si dhe emra të rinj. Filmi “Nusja dhe shtet rrethimi”, 41 vjet pas premierës shqiptare u shfaq një vit më parë në Austri. Filmi prodhim i vitit 1978 shënoi premierën e tij ndërkombëtare në “Viennale”, që është një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane.

Nëpërmjet këtij filmi me skenar të Helena Kadaresë dhe regji të Kristaq Mitros e Ibrahim Muçajt, promovohet një pjesë e thesarit të kinematografisë shqiptare. Filmi u përzgjodh në “Viennale” për të qenë pjesë e programit të filmave europianë, që trajtojnë Luftën e Dytë Botërore. Me muzikë nga Kujtim Laro, në role janë Rajmonda Bulku, Llazi Serbo, Thimi Filipi, Sotiraq Bratko, Kastriot Çaushi, Gjergj Lala, Marta Burda, për të vijuar dhe me aktoret Behije Çela, Pavlina Mani, Zyliha Miloti, Vitore Nino, etj. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, i vitit 1976, me regjisor Dhimitër Anagnostin, skenari i të cilit u bazua në romanin "Bonjakët" të shkrimtarit Petraq Qafëzezi. Ngjarja zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu me të tjera ngjarje dhe histori janë dhe filmat e tjerë, që janë realizuar nga regjisorët e njohur shqiptarë, pjesë e kësaj retrospektive.