BREAKING NEWS

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e paralajmërime Bashës të refuzojë ofertën e Ramës

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e
x

Kultura

“Shqipëria nga Skënderbeu deri tek Enver Hoxha. Një raportim nga vendi i Shqiptarëve”, në “Ditët e Kujtesës”

“Shqipëria nga Skënderbeu deri tek Enver Hoxha. Një

Filmi dokumentar “Shqipëria nga Skënderbeu deri tek Enver Hoxha. Një raportim nga vendi i Shqiptarëve” shfaqet sot në kuadër të edicionit të gjashtë të “Ditëve të Kujtesës”, të organizuar nga IDMC në bashkëpunim me ambasadën Austriake në Tiranë, në orën 17.00 - 19.00 në zoom. Reportazhi është realizuar në vitin 1984 nga Prof. Paul Lendvai. Të pranishëm do të jenë ambasadori Austriak në Shqipëri Christian Steiner dhe drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole. Pas shfaqjes së filmit do të ketë një diskutim ku marrin pjesë, Fatos Lubonja, historiani Idrit Idrizi dhe përkthyesi që ka shoqëruar Lendvain në vitet 1980, Sokol Mici. Dokumentari nis me pamje të Tiranës së kohës dhe shtatoret e emrave si Stalini nëpër qytet dhe vetë bulevardit “Stalin”, ku qytetarët janë fokusuar në ecje. Lendvai e quan një raportim nga vendi i shqiptarëve dhe jep të dhëna mbi Enver Hoxhën, nisjen e rrugëtimit të tij politik gjatë luftës dhe kultin e individit, si “babai fotozhenik i kombit”. Filmi shoqërohet me vijën melodike të këngës “Enver Hoxha tungjatjeta”, ndërsa diktatori, shihet të takohet me grupmosha të ndryshme qytetarësh deri tek më të moshuarit. Dokumentari, përveç Hoxhës që shfaqet “gju më gju me popullin” edhe si tekst shoqërues nga folësi i filmit, vë në dukje se Marksi, Lenini e Stalini, u përdorën si mjet sundimi dhe justifikim për marrjen e pushtetit. “Ai ndjek mënyrën e Skënderbeut që 500 vjet më parë, bashkoi principatat shqiptare dhe hyri në histori, si shpëtimtari i Europës nga osmanët. Enver Hoxha si realizues i bashkimit kombëtar do të shprehej, se populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, thuhet në materialin për filmin. Dokumentari shfaq edhe prof. Aleks Budën, që flet në gjuhën gjermane dhe ndalet te disa ngjarje të historisë së Shqipërisë. Si barazpeshë me historinë zyrtare dhe qasjen ndaj mbretit Zog, në dokumentar flet edhe mbretëresha Geraldinë që kujton ikjen nga Shqipëria më 1939. Prodhimi austriak i vitit 1984, trajton çështje të ndryshme, historike, politike dhe kulturore, deri te ndarja e grave dhe burrave në radhë, sasitë e kufizuara të ushqimeve dhe dyqanet e mbyllura për mungesë produktesh.