Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Shtatori muaji i trashëgimisë, specialistët: Ministria e Kulturës të jetë e vetëdijshme për vlerat, kujdesi ndaj monumenteve ka rënie të madhe

Shtatori muaji i trashëgimisë, specialistët: Ministria e

Shtatori është muaji i trashëgimisë kulturore. “Trashëgimi dhe edukim” është tema e këtij viti në kuadër të muajit të trashëgimisë kulturore, i cili sipas ministres së Kulturës Elva Margariti do të jetë një muaj “zbulimi” i thesareve tona të çmuara. Muaji i trashëgimisë sipas ministres Margariti është kthyer në traditë, pasi lidhet me një datë të rëndësishme, ku më 29 shtator shënohet Dita Kombëtare e Trashëgimisë, por dhe Ditët Europiane të Trashëgimisë. Ndërsa ministrja e Kulturës dje nisi urimin për muajin e trashëgimisë, specialistë të fushës shprehen se në vendin tonë prej vitesh ka humbur ai kujdes që ka qenë dikur për monumentet e kulturës. Akademiku Emin Riza thotë, se monumentet e kulturës janë dëshmia më autentike e trashëgimisë historike të një populli dhe Shqipëria shquhet për një pasuri të rëndësishme. Por sipas tij nëse deri në vitet ’90 kishte kujdes dhe vëmendje pas këtyre viteve humbi ai kujdes, që ka qenë dikur. “Shqipëria deri në vitet ‘90 ka qenë ndër vendet e para të Europës për sa i përket përkujdesjeve profesionale për ruajtjen e kësaj trashëgimie të pazëvendësueshme. Këto nuk janë vetëm konstatimet e mia, por janë dhe të specialistëve e profesionistëve evropianë, që kanë folur pasi kanë njohur praktikën shqiptare në fushën e monumenteve të kulturës në vend para viteve ‘90. Por fatkeqësisht pas viteve ’90 kujdesi për ruajtjen e monumenteve të kulturës në Shqipëri ka një rënie jashtëzakonisht të madhe, e cila sigurisht që është shoqëruar dhe me dëmtime të pariparueshme”, thotë akademiku Riza. Profesor Emin Riza është një ndër emrat e shquar të restauruesve shqiptarë dhe një nga studiuesit më të mirë në fushën e ndërtimeve të vjetra. Sipas tij është e domosdoshme, që në radhë të parë të konsiderohen të metat që vërehen në ruajtjen e monumenteve, sepse pa njohur dobësitë nuk mund të bësh ndërhyrjet adekuate profesionale për të bërë ndryshimin e kësaj gjendje. “Është rasti për të njohur këtë gjendje aspak të përshtatshme për vlerat që kanë këto pasuri, dhe më pas për rifillimin e një ndërhyrje profesionale të nivelit të duhur, i cili në thelbin e tij siç thotë karta ndërkombëtare e restaurimeve ka vijimësinë e ndërhyrjeve mirëmbajtëse”, thekson Riza.

Kthesa e institucioneve

Ky është muaji i trashëgimisë, por sipas akademikut Emin Riza duhet të ketë një kthesë rrënjësore nga institucionet për kujdesin dhe punën që bëhet me monumentet e kulturës në vend. “Duhet një kthesë rrënjësore dhe që të bëhet kthesa në radhë të parë institucionet kompetente me në krye Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë gjendje jashtëzakonisht dëmtuese për vlerat e monumenteve dhe pastaj sigurisht të fillojë përmirësimi, që do të jetë një kthesë e rëndësishme dhe e shoqëruar me përkujdesje të vijueshme gjithëkohore për këto vlera”, shprehet akademiku Riza. Restauratori edhe piktori Adrian Devolli i angazhuar nga viti 1979 deri në 1988 në Institutin e Monumenteve të Kulturës, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se para ‘90 kishte brigada në terren, që jepnin kontributin e tyre për ruajtjen e kësaj pasurie kombëtare, ndërsa sot nuk është më ajo vëmendje. Në reagimin e tij Adrian Devolli thotë se dëmtimet vijojnë, ndërsa thotë se Ministria e Kulturës duhet të bëjë transparente sa është fondi që shkon për mirëmbajtjen. “Nëse ministrja e Kulturës thotë muaji i trashëgimisë, Ministria e Kulturës të bëjë të ditur sa fonde do hedhë për mirëmbajtjen e objekteve. Sa do të jetë fondi, që do të hidhet për mirëmbajtjen dhe konservimin e afreskeve? A mund të jenë transparentë në Ministri të Kulturës për këtë? Dëmtimet në monumentet e kulturës vazhdojnë. Nëse nuk bëhen procese konservuese kjo punë ka marrë fund dhe do jetë tepër vonë”, shprehet restauratori Devolli, një nga zërat në mbrojtje të vlerave. Trashëgimia kulturore në vendin tonë përballet me probleme të ndryshme, e përballë kësaj gjendje zëri i specialistëve vazhdon më kritika në drejtim të institucioneve.