BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Simfonitë “Mëngjeset” dhe “Pasioni” nga Haydn, në koncertin e formacionit të reduktuar të orkestrës së TKOB

Simfonitë “Mëngjeset” dhe “Pasioni” nga Haydn,

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit zhvilluan një koncert me pjesë nga kompozitori i njohur Franz Joseph Haydn. Në kushtet e diktuara nga pandemia, formacioni i reduktuar i orkestrës u ngjit të enjten në hollin koncertor, me dy simfoni të kompozitorit Franz Joseph Haydn. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehej më herët se për shkak të kufizimeve, publiku do të mungonte në sallën e teatrit, por së shpejti ky koncert mund të ndiqet në rrjetet sociale Facebook, Youtube, dhe www.tkob.gov.al. Vepra e kompozitorit Joseph Haydn luhet me profesionalizëm nga të gjithë instrumentistët e formacionit të orkestrës së TKOB, një gjë që u bë me dije dhe më parë nga dirigjenti i njohur Edmond Doko para zhvillimit të koncertit. “Muzika plot pasion e shkëlqim e madhështorit Haydn do përcillet me dashuri, përkushtim dhe profesionalizëm nga të gjithë kolegët, pavarësisht protokollit të ngurtë, muzikë dhe protokoll, binom që zbukuron, shëron e shpëton jetë”, shprehej dirigjenti i njohur Edmon Doko, i cili me aktivitetin e tij është nga artistët e vlerësuar të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nga publiku. Formacioni i reduktuar i orkestrës përbëhej nga violinë e parë Gerd Cinxo, Anduena Sula, Lueta Prevazi, violinë e dytë Gent Jazexhiu, Edlira Prosi dhe Romina Tafaj. Në violë Arian Konçi dhe Fatbardha Gëzdari, violonçel Loreta Memaj, Teuta Krypci. Kontrabas Oltjon Lila, flaut Dorela Ujkani, oboe Erik Tauzi, fagot Sadik Meniku dhe korno Denis Shegaj dhe Vildan Mumajesi. Në program të koncertit nga Franz Joseph Haydn u luajt simfonia nr. 6 “Mëngjeset” (Le Matin) dhe simfonia nr. 49 “Pasioni” (La Passione). Ky koncert që u zhvillua mbrëmjen e së enjtes dhe që do të prezantohet edhe online për publikun që mund ta ndjekë në rrjetet sociale, erdhi në vijim dhe të tjerë koncerteve që janë realizuar gjatë kësaj kohe nga artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Jeta dhe veprimtaria

Franz Joseph Haydn (1732 - 1809 ), kompozitori më i vjetër i klasikëve të Vjenës. Lindi në një fshat të vogël austriak Rorau në vitin 1732, rrjedh nga një familje e varfër zejtarësh. Qysh nga mosha 8 vjeçare shkoi në Vjenë ku mësoi në shkollën e talenteve muzikorë , ku bëhet anëtar i korit të fëmijëve të Vjenës. Në këtë shkollë ai qëndroi deri në moshën 17 vjeçare, ku pas përfundimit të shkollimit ai veproj si muzikant i pavarur. Ai punoi dhe si ndihmës kompozitor në teatrin e Vjenës, si dhe në operën e qytetit. Nga viti 1760-1790 do të jetë muzikant në pallatin e princit Hungarez Esterhazi, gjatë qëndrimit në këtë pallat ai kompozoi veprat më të njohura të tij, dhe do të njihet si kompozitor me famë botërore. Pas vitit 1790 ai largohet nga pallati dhe do të jetojë në Vjenë. U nda nga jeta në vitin 1809 në Vjenë. Krijimtaria e Haydn është shumë e pasur, ai ka krijuar në të gjitha format muzikore. Joseph Haydn me Wolfgang Amadeus e Ludwig van Beethoven, përbëjnë treshen e kompozitorëve klasikë vjenezë. Haydn është nismëtar i stilit klasiçist. Jeta në Vjenë ia mundësoi të njihej me zhvillimet muzikore, që pati shumë rëndësi në krijimtarinë e tij. Talenti i madh dhe zelli që kishte, bënë të afirmohet në qarqet muzikore qytetare. Kjo e ndihmoi të gjejë punë në pallatin e princit Esterhazi, ku mori përsipër drejtimin e orkestrës dhe të jetës muzikore në pallat. Në muzikën e Haydn ndihej fryma e melodive popullore, që e kishin rrethuar që në fëmijëri. Kontributi i Haydn në zhvillimin e stilit klasiçist është në rrumbullaksimin e gjinive të ciklit të sonatës dhe të simfonisë në katër kohë.