Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Skënder Kamberi: Ekspozimi një problem serioz për artistët, dyert e GKA i ka zënë një karakatinë me hekura...

Postuar: 21/01/2018 - 10:16

Piktori i njohur Skënder Kamberi pohon se veprat e artit në fondin e GKA mos të rrinë mbyllur, por të ekspozohen herë pas here për publikun. Mesazhi i piktorit vjen pasi sipas tij prej vitesh kjo gjë nuk është bërë sa duhet. Në intervistën për “SOT” piktori i njohur me krijimtarinë e tij brenda dhe jashtë vendit, flet dhe për problemet që shqetësojnë sot artistët shqiptarë, duke nisur që nga vlerësimi i tyre, mungesa e vëmendjes për studiot e piktorëve, etj. Sipas tij përgjegjësi kanë të gjitha institucionet e shtetit. Buxheti vijon të mbetet problem, dhe piktori pohon se duhet menduar që GKA të ketë më tepër buxhet për të blerë vepra për fondin e saj. Piktori Skënder Kamberi mbetet një mjeshtër i tablove kompozicionale në artin shqiptar të shekullit XX. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë ruhen tridhjetë e katër punime të piktorit. Në Galerinë e Arteve, Vlorë ndodhen 53 punime të artistit. Vepra të tjera të piktorit Skënder Kamberi ndodhen në Galerinë e Arteve, Gjirokastër, në Muzeun e Tepelenës, etj.

 

-Si po kalojnë ditët e janarit për ju?

Janë ditë normale, duke menduar punën time, krijimtarinë time në pikturë. Puna për mua është studimi i temave historike për shqiptarinë. Unë jam befasuar sepse nga libri i Gutenbergut, që flet për historinë e Europës në Ballkan gjeta emrin Lisimakus, që në shqip do të thotë Lisimadh dhe Syrimaku që do të thotë Syrimadh, këto fjalë por dhe të tjera më shtojnë mendimin e një shije më të gjerë të shqiptarisë. Kjo më jep mundësi të njoh epokën në ndryshim nga njëra te tjetra dhe çdo të gjej që do të më emocionojë gjatë kësaj periudhe unë do ta pikturoj. Tema mund të jetë edhe nga emigracioni, shqiptarët e largët, sigurisht dhe ajo historike. Kjo më jep të dhëna të shumta studimore dhe krijuese.

-Në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” në një prej aktiviteteve u ekspozuan dhe dy veprat tuaja realizuar vite më parë. Ju keni kërkuar që GKA mos t’i mbajë veprat mbyllur por t’i ekspozojë?

Në Pallatin e Kongreseve disa ditë më parë u ekspozuan dy vepra të miat “Rrethimi i parë i Krujës” dhe një tjetër vepër tjetër me Naim Frashërin. Në Vjenë kur ai kishte shkuar për t’u kuruar vizitoi atje muzeun, dhe kur pa armët e Skënderbeut u emocionua shumë. Unë këtë e kam në vepër pikture, dhe unë e bëra atë vepër jo vetëm me Naim Frashërin, por bashkë me të dhe disa figura të tjera kombëtare. Vepra “Rrethimi i parë i Krujës” është realizuar para 50 vitesh, ndërsa e dyta pak më vonë. Vepra “Rrethimi i parë i Krujës” ka qëndruar mbyllur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Por apeli im për institucionet në vend, GKA mos ti mbajë veprat e fondit mbyllur. Kujtoj që muzeu i Luvrit është i hapur gjithmonë me veprat për të gjithë vizitorët nga e gjithë bota, por GKA në vend që ti ekspozojë i mban mbyllur veprat e artit të fondit. Në vend që të zgjohet GKA dhe këtu kanë përgjegjësi bashkë me Ministrinë e Kulturës se çfarë po ndodh sepse e ka institucion në varësi, galeria vijon rri në gjumë. Ministria e Kulturës nuk hedh fonde për t’u zgjuar GKA, kur ka dhe tokë matanë. Kjo do të thotë që ka punë, por punën nuk e duan shqiptarët, duket kjo në realitetin tonë. Është e vështirë që të gjenden fonde për kulturën dhe artin. Nga kushdo qoftë në qeveri është e vështirë. Më vjen keq shumë nga kjo situatë, por nuk ke çfarë ti bësh.

-Piktorët pohojnë se konkurs “Onufri”, që mbështet nga ministria dhe zhvillohet në GKA ka degraduar ndër vite. Ju çfarë mendimi keni?

Konkursi “Onufri” u zbeh ndër vite. Edhe më parë kam folur për këtë konkurs. Emri është i piktorit të madh Onufri, ku e kuqja onufriane ka mahnitur dhe në Francë. Pra baza është e piktorëve, por aty në atë konkurs na prezantojnë instilacione. Po pse instilacione?

 

-GKA ka mangësi buxheti për të blerë vepra?

Portofolin e di Ministria e Kulturës. Pas viteve ’90 e tani ky është një problem i madh. Por GKA duhet të ndihmohet te kjo pjesë, duhet pasuruar fondi me vepra arti. Por çfarë ndodh me buxhetin e di qeveria, që përmes ministrisë merr dhe GKA. Të gjithë popujt kanë galeri arti shtetërore dhe kanë shumë vëmendje dhe kujdes, tek ne kjo mungon. Shteti ynë duhet ta ndihmojë Galerinë e Artit me buxhete, të ketë mundësi të blejë vepra për fondin. E kam thënë dhe më parë, kur nuk ke fonde jorgani është i shkurtër dhe iu dalin këmbët jashtë. Arti figurativ është një degë e kulturës. Arti figurativ shumohet duke dhënë fonde, por që pas viteve ‘90 se çfarë bëhet dhe se ku shkojnë ec e merre vesh çfarë ndodh. Janë dy probleme në institucionet tona sa fonde ke dhe si i përdor ato. Tek ne ky ka qenë gjithmonë problem ndër vite. Ministria ka pak buxhet për artin dhe kulturën dhe nga kjo vijojnë dhe problemet në institucionet e artit. Pyetja ime është sa fonde i ka dhënë qeveria ministrisë?

-Vjet kur në GKA u promovua studimi “Realizmi socialist shqiptar” ju u shprehët çfarë bëjnë specialistët në drejtoritë e ministrisë, mos flenë ishin fjalët tuaja?

Është një neglizhencë e madhe për studimin e artit. Janë specialistë, të mos flenë gjumë, por tani vijnë dhe turistë të huaj që duan të shikojnë dhe thesaret e vendit, që janë dhe në kishat tona monument kulture. Por çfarë kanë bërë? Asgjë. Në pikturat murale, mozaikët, veprat e artit etj, mungojnë studimet dhe botimet. Drejtoritë e artit në Ministri të Kulturës prej më shumë se njëzet vjetësh nuk kanë mundur dot të kenë vëmendje këtë pjesë, duke bërë që sot të jenë të pakta studimet dhe botimet. Pavarësisht se është Instituti i Monumenteve, që merret me restaurimet, çfarë po bëhet për studimin e veprave të pikturave murale, sepse i kanë lënë në harresë. Kot i ka ministria specialistët e saj? Po çfarë bën edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës? Pse mos merren me këto sepse është kultura jonë, historia jonë. Ne kemi mozaikët, kemi David Selenicën, etj. Të bëhen studime dhe botime për të pasqyruar artin tonë. Ministria është sektori që duhet të organizojë këto punë, i kanë lënë në harresë artet. Mozaikët dhe skulpturat antike kanë çmendur europianë dhe tek ne asgjë, i kanë lënë në heshtje. Ne kemi vepra të artit shkodran, çfarë po bëhet për to? Pse nuk botohen studime e katalogë? Arti i Shkodrës para çlirimit, ku është sot në vëllime?Një tjetër botim të jetë për artin vlonjat, mungon dhe kjo. Po ne sot kemi piktorë të kishave, duhet të botohen vlerat e tyre. Prej vitesh dhe jo vetëm tani nuk është reflektuar puna e ministrisë për artin. Ka kisha në Korçë, Elbasan, etj. Kemi Ardenicën që duhet të promovohet sa më shumë. Ardenica për mua duhet të tërheqë vëmendjen e zyrtarëve, sepse aty është bërë dhe dasma e Skënderbeut me Donikën. Vetëm për faktin që është martuar aty, u celebrua atje, është një fenomen i madh.

-Një tjetër problem sipas piktorëve është dhe mungesa e ekspozitave kombëtare. Për ju çfarë duhet bërë?

Jemi po te i njëjti problem. Aktivitet kombëtare duan para, por nuk ka. Nëse Ministria e Kulturës nuk bën, do të thotë që nuk ka para, dhe kjo kuptohet. Sigurisht që duhet të ketë më shumë vëmendje për zhvillimin e aktiviteteve, por kjo mungon dhe problem i parë buxheti. Por ne kemi dhe çudira.

-Çfarë ka ndodhur?

Ne kemi çudira, sepse e kanë zënë derën e GKA disa hekura vertikale dhe horizontale, janë ekspozuar ato karakatina. Çfarë do të thotë kjo? Ata që i kanë vënë aty e dinë këtë gjë, që për mua nuk duhej të ishte aty.

-Piktorët e njohur kanë kërkuar dhe vëmendje dhe ndihmë nga institucionet për studiot e piktorëve. Ju sa bashkoheni me këtë mendim?

Në Marsejë me sa di unë kanë kthyer lokalin në muze ai që ishte privat, pasi aty thuhej se ka fjetur Van Gog, si dhe një piktor tjetër i njohur Gogen. Ne kemi sot studio pikture që janë lënë në heshtje. Nëse shteti do mund t’i rregullojë, mund të kthehet ndonjë prej tyre dhe në muze. Por arti dihet sa vëmendje ka te ne dhe nuk presim shumë. Është mungesë kulture, nuk vlerëson piktorët shqiptarë dhe kjo jo vetëm nga një institucion, por nga të gjithë agregatët e shtetit, fillon kjo gjë që nga mirëmbajtja e studios dhe më tej. Qeveritë që ka pasur Shqipëria në mungesë fondesh i kanë lënë artistët dhe artin pa vëmendjen e duhur. Nuk ka pasur organizimet që duhen. Por kjo tregon dhe mungesë zemërgjerësie dhe mungesë vlerësimi për artin. Unë jam “Piktor i Popullit” dhe me pensionin e veçantë më kanë vlerësuar vetëm me dy kategori. Jo të gjitha pikat. Kjo tregon se qeveritë, zyrtarët kanë mungesë vlerësimi dhe mungesë zemërgjerësie për artin dhe artistin në vendin tonë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 26

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2018 - 07:39

Shfaqja teatrale "Copë Copë" vazhdoi turneun në Tiranë dhe mbrëmë u shfaq për publikun në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli".

Postuar: 12/12/2018 - 07:38

Festivali i 57 i Këngës në RTSH do të prezantohet nga Viktor Zhusit dhe këngëtarja Ana Gojla, por

Postuar: 12/12/2018 - 07:36

Ministria e Kulturës, në kuadër të vitit 2018, shpallur nga qeveria “Viti mbarëkombëtar Gje

Postuar: 12/12/2018 - 07:35

Artistët me dekada jetë artistike në skena dhe me vlerësime nga publiku, por pa vëmendje nga inst

Postuar: 11/12/2018 - 07:37

“Unë si Ti” një film nga Luan Kryeziu dhe Najada Elmazi ka përfunduar xhirimet dhe vi

Postuar: 11/12/2018 - 07:35

Qeveria dyfishon çmimin e biletës për publikun në katër ditë të javës në Teatrin Kombëtar, por rr

Postuar: 11/12/2018 - 07:33

Qendra e Realizimit të Veprave të Artit pritet të mbyllet, sipas një shkrese zyrtare që drejtori