BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Skënder Jaçe: Vështirësitë me filmin nisin që nga skenari e deri te mungesa e kinemave, dikur kishim një brez të shkëlqyer skenaristësh

Skënder Jaçe: Vështirësitë me filmin nisin që

Kineasti Skënder Jaçe e shikon shumë problem mungesën e kinemave në vend. Sipas tij nëse një film ka premierën duhet të jetë në disa qytete, dhe jo të mbetet vetëm në Tiranë. Në intervistën për “SOT” kineasti Skënder Jaçe flet për problemet që sjell ky rrjet i shkatërruar kinemash në vendin tonë, dhe thotë se filmi nuk shkon te publiku me forcën e tij. Mes problemeve, kineasti flet dhe për skenaristët si dikur, ku sipas tij mungojnë sot. Si drejtues i projektit “Open Cinema”, Skënder Jaçe tregon për edicionin e këtij viti. Ai thotë se “Open Cinema” ka krijuar një shtrat. Kjo sipas tij jo vetëm për natyrën si një kinema shëtitëse që promovon vlerat më të mira në gjithë rrethet e Shqipërisë, ku kinemaja është inekzistente, por dhe për vetë faktin se publiku njihet nga afër me aktorët e filmit, me nostalgjinë e filmit të shkuar, me këngën e bukur shqiptare nëpërmjet këngëtarëve që ftohen. Projektuar dhe realizuar nga “Cinemania Production” me Skënder Jaçe dhe mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe bashkitë e qyteteve, “Open Cinema” gjallëron jetën artistike në vend prej disa vitesh.

-Projekti juaj “Open Cinema” do të vijojë këtë vit në disa qytete të vendit. Është edicioni i pestë që pritet të zhvillohet, si producent çfarë do të sjellë këtë vit ky projekt me filmat për publikun?

 Natyrisht do të kemi surpriza për dashamirësit e kinemasë në 12 qytete të Shqipërisë. Këtë vit ne hyjmë në edicionin e pestë të projektit tonë “Open Cinema”, që tashmë ka krijuar një shtrat. Kjo jo vetëm për natyrën si një kinema shëtitëse që promovon vlerat më të mira në gjithë rrethet e Shqipërisë ku kinemaja është inekzistente, por dhe për vetë faktin se publiku njihet nga afër me aktorët e filmit, me nostalgjinë e filmit të shkuar, me këngën e bukur shqiptare nëpërmjet këngëtarëve që ne ftojmë në netët e “Open Cinema”. Kthehet në një show të vërtetë artistik, një praktikë kjo që ndiqet në të gjithë botën pothuajse në stinën e verës.

-Ju keni disa vite, që jeni në qytete të ndryshme të vendit. Sa ndjehet mungesa e filmit shqiptar?

Shikoj që filmi shqiptar është i kërkuar. E kuptojmë kur ne pas filmit shqiptar vijojmë me ndonjë film të huaj dhe lëvizin njerëzit. Kanë qejf që të ndjekin filmin shqiptar, kanë qejf gjuhën e tyre në ekranin e madh. Më vjen mirë që duhet kultivuar kjo lloj shije për të mbushur sallat e kinemasë, që premiera e filmit shqiptar të mos jetë e vakët. Por natyrisht që filmi prek ato momentet kyçe sociale që kalon shoqëria jonë, dhe bëhet më i dashur dhe më i pranueshëm ku qytetari ndjen veten.

-Në këtë gjendje, çfarë do të donit të ndryshonte për kinematë?

Kinemaja është një iniciativë private. Shteti të ketë politika për të favorizuar ata që investojnë në këtë fushë të minuar në vendin tonë, pasi dihet që gjithë infrastruktura e kinemave është e shkatërruar. Këtu duhet një ndihmesë dhe një politikë me ligjet, që ashtu siç kanë shtetet fqinje që kush hap një kinema në 10 vjet nuk ngacmohet me taksa, që mos të jetë i kufizuar çmimi i biletës me qëllim të afrohet publiku. Më pas një diskordancë kaq e madhe 30 vjet është prishur kjo lloj kulture kinemaje. Mendoj këtu kanë frikë investitorët të futen në këtë fushë, pikërisht sepse e shikojnë se nuk është fitimprurëse, nuk mund të quhet biznes ende në Shqipëri kinemaja. Kinematë duhet ndihmuar në vendi tonë, por dhe prodhimi kinematografik do një ndihmë, një subvencionim, duhet një ligj që të ndihmohet prodhimi i filmit nëpërmjet sponsorizimit. Qendra Kombëtare e Kinematografisë me atë buxhet që ka nuk mund të financojë dot një film, që të shfaqet në të gjithë botën pa frikë në kuptimin e gjithë parametrave. Flas jo vetëm nga ana artistike, por dhe teknike, sepse filmi ka rregulla për tu futur në kinema. Mendoj që duhet një dashuri për filmin shqiptar, duhet një ndihmë konkrete që ai të ecë dhe të futet në rrjedhën e zhvillimit. Por në vendin tonë është shumë problem mungesa e sallave të kinemave. Filmi del dhe shfaqet premierë, por vetëm në 1 apo 2 salla. Filmi shqiptar nuk është prezent në rrethe, nuk kemi kinema. Unë kam qenë me filmat në sallat që kanë institucionet në rrethe dhe kam vënë re që publiku ka interes. Edhe pse ato salla të teatrove ishin dhe pa ngrohje dhe pa infrastrukturën e duhur. Ne i shikojmë kur vemi në rrethe, në pallate kulture ku sallat pikojnë, janë të shkatërruara, pa ngrohje dhe pa infrastrukturën, që duhet.

-Si kineast për ju sa është i vështirë realizimi i projektit kinematografik me filmin?

Vështirësitë fillojnë me filmin, që nga skenari.

-Çfarë ndodh me skenarin në filma?

Ne dikur kishim një brez të shkëlqyer skenaristësh që ikën, por gjinia e filmit do njerëz të përgatitur për skenarin. Nuk mundet një skenarist të bëjë edhe skenarin edhe dialogët. Jashtë është e ndarë, ai që merret me dialogun bën vetëm dialogët, skenari është tjetër gjë. Shpeshherë ne vuajmë për dialogë në filma. I kemi dialogë të zgjatur, të lodhshëm, pikërisht se këta njerëz të kualifikuar mungojnë te filmi. Këtu mendoj që të kemi vajza dhe djem të rinj, që duhet të specializohen jashtë në vendet fqinje siç ka qenë dikur para ‘90 që i çonte shtetit. Duhet të shkojnë të mësojnë se çfarë është skenari. Skenari është gjuhë e filmit. Sot është e mundshme, që ti akordohet QKK një buxhet për të çuar të rinjtë me studime jashtë në fushën e filmit, mund të dërgohen 2-3 të rinj në vit qoftë për skenarin dhe regjinë. Vetëm kështu do të mundet të jemi më mirë, pasi filmi nuk është si dje, sot ka kualitete të tjera. Filmi sot ka të dhëna të tjera dhe formati po ndryshon dita -ditës. Jemi në një teknologji ndryshe nga më parë. Filmi duhet të eci me kohën në prodhimin e tij ndaj ne çalojmë në shumë gjëra.

 -Ju këtë vit në qershor zhvilloni edicionin e pestë me “Open Cinema”. Si lindi ideja për këtë projekt dhe sa ka qenë i vështirë për ju?

Ideja lindi tek kinemaja shëtitëse dhe ato verore, të cilat në kohën që lamë pas ishin tepër të preferuara në Shqipëri. Natyrisht është një format, që në botë është tepër prezent e sidomos në stinën e verës, ku njerëzit duan sa më shumë argëtim të kulturuar. Aq më tepër mungesa e kinemasë në shumë rrethe të Shqipërisë e bën këtë aktivitet edhe më të dobishëm, për të ndjekur në ekranin e madh filmat e rinj shqiptar dhe nostalgjinë e kinemasë së shkuar. Vitet e para kanë qenë të vështirë, pasi nuk ishte akoma koncepti për kinemanë përjashta dhe kinemanë verore, gjëra që kanë qenë shumë prezent në kohën tonë. Çdo qytet kishte kinema, Durrësi dikur kishte tre salla kinema verore. Qytetet në përgjithësi kanë pasur kinema verore. Dhe nuk ka gjë më të bukur që nën çatinë e qiellit të shikosh një vepër kinematografike.

-Këtë vit “Open Cinema” siç ju jeni shprehur nis nga Patosi. Pse kjo zgjedhje?

Këtë vit nisim nga fundi i muajit qershor dhe mendojmë nga qyteti i naftës Patos. E nisim edicionin e pestë në Patos, sepse është një qytet që ka pasur një histori shumë të bukur dhe me filmin. Aty ishin vendosur shumë familje ruse, që ashtu si dhe në Kuçovë ata binin filmat e tyre nga Ambasada Ruse dhe ishte privilegj, dhe populli i shikonte atë kohë filmat para se të dilnin në kinematë e Tiranës.

 -Meqë jemi në fushën e kinematografisë, kineastët në reagimet e tyre herë pas here shprehen se duhet më shumë buxhet për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë nga shteti për projektet, që financon. Në gjykimin tuaj, çfarë po ndodh?

Mendoj që këto dy vite do të ishte luks të flisje për buxhet me dy flama të mëdha që na zunë. Ne kemi tërmetin dhe njerëzit po flenë përjashta. Me këtë gjendje që ne kemi, duhet pranuar ky realitet sa të kalojmë këtë gjendje. Është luks të flasim që nuk ka lekë filmi, me gjithë kërkesat që ne kemi si kineastë, pasi jemi goditur nga dy flama të mëdha. Duke parë vendin që është me këtë gjendje duhet pranuar ky realitet i vështirë me filmin.

- Çfarë do të donit më tepër në ndihmë në fushën e artit nga Ministria e Kulturës?

Ministria e Kulturës mendoj, që duhet ti kushtojë më shumë vëmendje filmit. Jo në kuptimin e menaxhimit, por të mbështetjes të projekteve që ajo ka. Ministria e disponon një fond për projekte të caktuara, ku ka dhe festivale. Unë e kam më tepër për promovimin për të krijuar kulturën e kinemasë, ose dhe për mbështetjen e regjisorëve apo skenaristëve me një fond për të shkuar në një shtet. Ministria e Kulturës mund të bashkëpunojë përshembull me ministrin e Bukureshtit, etj. Mund të gjendet gjuha e bashkëpunimit në këtë fushë, që të futet në rrugë filmi.

 -Sa qytete kanë sot kinema?

Ne kemi Millennium në Tiranë dhe atë “Kadri Roshi” në Kuçovë që funksionon, por me projekte. Janë shumë pak për Shqipërinë. E gjithë Shqipëria s’ka kinema siç duhet të kohës. Kjo është gjendja aktuale e rrjetit të kinemave, që filmi nuk mund të thotë forcën e tij edhe kur është i bukur.

-Çfarë po ndodh me të drejtën e autorit?

Unë mendoj që televizionet kanë një pirateri të tmerrshme, dhe për sa kohë që televizionet shfaqin filma pa origjinë për mua do të thotë nuk funksionon. Kjo e para, por kemi dhe faqet e tmerrshme të piraterisë në internet.

-Në fushën e filmit, keni ndonjë projekt që ju do ta realizoni?

Unë kam një skenar shumë të bukur. Një film dokumentar me elementë artistik.

Intervistoi Julia Vrapi