Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Skulptorët ngrenë alarmin: Veprat publike të autorëve të njohur shqiptarë po degradojnë në të gjithë vendin

Postuar: 22/05/2019 - 07:25

Veprat që janë realizuar nga skulptorë të njohur janë shpërndarë në territorin e vendit, por janë jo pak të rrezikuara. Skulptorë shprehen se këto vepra që janë të autorëve të njohur si Odhise Paskali,  Janaq Paço, Shaban Hadëri etj, kërkojnë ndërhyrje nga institucionet. Skulptorët tregojnë se nuk munden dot bashkitë të kujdesen për këto vepra, por duhet të ndërhyjnë specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës për të parandaluar më tej degradimin e tyre. Dikur ishte Qendra e Realizimit të Veprave të Artit, që dhe pse me pak fonde nga Ministria e Kulturës bënte ndërhyrje sa mundej, por tani që kjo qendër është vetëm për Tiranën sipas tyre ministria duhej të mendojë një zgjidhje për të parandaluar degradimin e veprave. Skulptori Agim Rada shprehet se veprat e artit janë të rrezikuara nga veriu në jug të vendit. Ai sjell disa shembuj se ku duhet të ndërhyhet për të parandaluar shkatërrimin e tyre. “Puna e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit është e autorit Odhise Paskali kërkon kujdes. Në Drashovicë një monument  tjetër që ka nevojë për ndërhyje sepse nëse degradohet betoni është e destinuar të shkatërrohet. Monumenti i Pavarësisë në Vlorë do patjetër të restaurohet herë pas here, janë Heronjtë e Vigut gjithashtu në rrugën që shkon për Koplik edhe pse i kemi riparuara e salduar duan trajtim. Isha në Korçë dhe pashë që ishin degraduar veprat e Themistokli Gërmenjit e Mihal Gramenos që duan ndërhyrje. Monumenti i Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletini në Shkodër rrezikojnë”, pohon skulptori Rada. Sipas tij të gjitha këto vepra duan trajtim nga specialistët e fushës, sepse nëse nuk bëhet puna e duhur do të shkatërrohen. “Janë vepra arti që duan trajtim me specialistët dhe kimikate, nuk është që pastrohen me furçë e ilaç rrobash që e gërryejnë veprën dhe e shkatërrojnë. Ndaj nuk duhej të mbyllje QRVA, sepse ne i kuronim ato dhe ndaj kanë mbijetuar deri më sot, por ama probleme kanë veprat dhe duhet ndërhyrje dhe mirëmbajtje e vazhdueshme nga specialistët, duhet të ndërhyjë ministria”, vijon skulptori Agim Rada.

Veprat që duan derdhje në bronz

Skulptorët shprehen se veprat që janë në beton është e mira që të kenë derdhje në bronz, sepse kjo parandalon shkatërrimin. Skulptori i njohur Mumtaz Dhrami shprehet se Qendra e Realizimit të Veprave të Artit duhej fuqizuar, sepse shërbente në gjithë vendin për monumentet.  “QVRA duhej fuqizuar me kuadro që mbaronin fakultetin e arteve, që dinë të punojnë mozaikun, dinë të punojnë derdhjen në bronz. Odhise Paskali ka bërë grup i skulpturuar në Përmet dhe është në beton, por QRVA nëse do të funksiononte do të dërgonte specialistët e saj të merrnin kallëpe prej allçiu dhe ta derdhnin në bronz, por ajo ndërmarrje u shkri dhe Përmeti nuk ka mundësi ta bëjë atë punë. Vepra e Odhise Paskalit në Përmet duhet kthyer në bronz që të mos humbasë. Po kështu ka monumente dhe në Tropojë, që nëse i mbajnë bashkitë nuk kanë dot mundësi ta bëjnë këtë punë. Po në Gjirokastër kush do ta bëjë obeliskun”, pohon skulptori i njohur Mumtaz Dhrami. Sipas tij ishte një hap i gabuar që ministria se mbajti QRVA. “Ministria e Kulturës, që mendoi të mos mbante QRVA të mendojë për veprat, ose duhet që të ndërhyjë Instituti i Monumenteve të Kulturës, sepse ka mundësi që të hapet një klauzolë që veprat ti trajtojë IMK me specialistët e saj. Edhe monumenti që kam bërë unë te rruga e Pezës e ka lyer bashkia me të kuqe e të zezë, por nuk ka pse ta prishë ajo atë monument”, vijon më tej skulptori. Përballë këtyre problemeve, skulptori Agim Rada vijon se Ministria e Kulturës duhet të shikojë inventarin e këtyre veprave që janë realizuar nga autorë të njohur. “Në Sarandë vepra e Hoxha- Hasan Tahsin e autorit Janaq Paço ka mbetur në beton dhe është turp. Veprat në beton degradojnë me kalimin e kohës, krijojnë plasaritje, i nxehti dhe i ftohi i shpërbën. Mirë është që të kenë derdhjen në bronz, por duhet buxhet nga Ministria e Kulturës. Ne si institucion e kemi ruajtur fonderinë dhe një bashkëpunim dhe me rrethet nuk do të ishte i keq për verat”, vijon Rada. Por ai shton se ministria duhet të shikojë inventarët e saj për të parë se cilat janë veprat, që duan ndërhyrje të menjëhershme. “Institucionet e trashëgimisë kulturore duhet të kenë vëmendje ti kontrollojnë të gjitha veprat, monumente, buste etj. Unë dikur i kam pas bërë pasaportë çdo vepre dhe të shikojë inventarin e saj që ka ministria. Të bëhet një verifikim se kush ka nevojë apo jo për ndërhyrje. Por unë e di që janë dhe në veri e jug që duan ndërhyrje sepse janë në degradim, janë punë të bëra kryesisht para ‘90”, shton më tej skulptori Agim Rada.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/06/2019 - 07:41

 "Lapsi i memories" titullohet ekspozita me vizatime të artistit Anastas Kostandini, që u çel për publikun në galerinë e artit në qytetin e Pogradecit.

Postuar: 19/06/2019 - 07:40

Ekspozita “Hybrid” u çel për publikun në  qendrën e artit bashkëkohor “ME

Postuar: 19/06/2019 - 07:38

Në galerinë “Zeta” do të shfaqet ditën e enjte filmi dokumentar “Fotografët Ber

Postuar: 19/06/2019 - 07:37

Muaji i Muzikës po zhvillohet përmes aktiviteteve, por te artistë të ndryshëm kjo nismë e Ministr

Postuar: 18/06/2019 - 07:37

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, së bashku me Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe Institutin

Postuar: 18/06/2019 - 07:35

Drama “Xhelatët” shkruar nga autori Martin McDonagh është projekti më i fundit për ta

Postuar: 18/06/2019 - 07:34

Teatri i Operës dhe Baletit është një nga institucionet e rëndësishme të artit dhe kulturës në ve