Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Prag lufte mes Turqisë dhe Greqisë! Kryeministri Rama befason gazetarin grek, ja çfarë i thotë për Erdogan

Prag lufte mes Turqisë dhe Greqisë! Kryeministri Rama befason
x

Kultura

Skulptori Arben Bajo ndahet nga jeta në moshën 53 vjeçare, miqtë dhe kolegët: Një humbje e madhe, vepra e tij do të flasë përjetësisht

Skulptori Arben Bajo ndahet nga jeta në moshën 53 vjeçare,

Arben Bajo si artist përfaqëson një nga personalitetet më të rëndësishme të skulpturës bashkëkohore shqiptare, shprehen miqtë dhe kolegë të skulptorit të njohur që ndërroi jetë në moshën 53 -vjeçare. Skulptori i njohur Arba Bajo i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë ndërroi jetë mëngjesin e së dielës pas luftës prej ditësh me Covid-19. Ndarja nga jeta e pedagogut të arteve dhe artistit të njohur solli reagime të shumta, ku miq, kolegë, studentë të arteve, përfaqësues të politikës e më gjerë shprehën ngushëllimet e tyre. Në një ceremoni familjare për shkak të situatës nga koronavirusi skulptori i njohur u përcoll për në banesën e fundit. “Arben Bajo, lamtumirë mik!”, një kurorë me lule nga Fakulteti i Arteve të Bukura, që nderoi kolegun dhe pedagogun në këtë humbje të thellë për Universitetin e Arteve dhe mbarë kulturën shqiptare. Profesori i asociuar Ardian Isufi dekan në detyrë në Fakultetin e Arteve të Bukura në mesazhin e tij shprehet se është një dhimbje e madhe. “Mik, dhimbja për ty nuk ka fjalë vetëm trishtim! Pedagog dhe artist: Parajsa qoftë për ty si udhëtimi i fundit, sepse për ty arti në çdo çast e moment ka qenë parajsa jonë shpirtërore”, shprehet dekani në detyrë Isufi. Petrit Malaj dekan i Fakultetit të Artit Skenik pohon se humbja e artistit Arben Bajo ishte e papritur dhe shumë e trishtë. “Trishtim i madh. Humbja e kolegut dhe mikut tim Arben Bajo ishte e papritur dhe shumë e trishtë. Ishte i ri ende nuk mund ta besoj. Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai talentin e ka përcjellë tek studentët dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë, ndaj ndihem krenar që pata një koleg, një mik dhe bashkëpunëtor të tillë në Universitetin e Arteve”, shkruan dekani Malaj.

Humbje e madhe

Pedagogu i arteve Artan Peqini thotë se nuk i besohet ndarja nga jeta e skulptorit të njohur Arben Bajo. Skulptori Artan Peqini shpreh keqardhjen, që për shkak të pandemisë miqtë e tij nuk mundën dot të ishin të pranishëm në ceremoninë varrimit për ti dhënë lamtumirën e fundit. “Ndjesë Ben se megjithëse miqtë u përpoqën nuk mundën të bëjnë më shumë për ty, ndjesë për bisedat që le në mes e do të duhet ti kërkojmë në veprën tënde, ndjesë Ben që nuk do të jemi aty për të të hedhur një grusht dhe. Ndjesë Ben se akoma nuk po e besojmë ikjen tënde, shumë ndjesë Ben”, shkruan në një status të tij pedagogu Artan Peqini. Studiuesi i artit Ermir Hoxha, e ka të vështirë për të gjetur fjalët për ndarjen e mikut të tij nga jeta, duke thënë se është një dhimbje e madhe, një humbje që do të ndihet shumë gjatë. “Si artist përfaqëson një nga personalitetet më të rëndësishme të skulpturës bashkëkohore shqiptare, një arti që i dha formë dhe peshë skulpturës. Si pedagog ishte një nga pikat më të rëndësishme të departamentit të Skulpturës dhe një nga pedagogët më të dashur dhe më aktiv në ekspozita dhe atelier. Është një humbje, që do të ndihet thellë për shumë kohë. Bajo është skulptori më i rëndësishëm i kohës së vet dhe këtë koha do ta tregojë”, shprehet Ermir Hoxha. Pedagog i arteve piktori Helidon Haliti në mesazhin e tij shprehet se bashkë me skulptorin Arben Bajo bënë një rrugëtim me vepra të vyera. “Lamtumirë Bajo. Rrugëtim me plot vepra të vyera bëmë bashkë, por ajo artistike do shtegtojë edhe pa ty fizikisht”, pohon piktori. Prej rreth 15 vitesh Arben Bajo ishte pedagog i Departamentit të Skulpturës. Në jetën artistike Arben Bajo është nderuar me veprat e tij. Veprat e skulptorit janë të shumta. Ai do të mbahet mend si njeriu që “riktheu” Vaçe Zelën në vendlindjen e saj, në Lushnje, por edhe shumë vepra të tjera. Arben Bajo lindi në vitin 1967 në Gjirokastër, liceun e kreu në Fier dhe studioi skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë në vitet 1988-1992. Skulptori ka jetuar për afro 14 vjet në Greqi, ku bashkëpunoi me muze të ndryshme, për 6 vite ka dhënë edhe mësim në një shkollë private, derisa në 2008-ën u kthye përfundimisht në Shqipëri. Gjatë karrierës, hapi shumë ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit.