BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Sokol Angjeli, Niada Saliasi dhe Dori Çaushi me veprën “Muslimani”, në “Netët e leximit të dramës shqipe”

Sokol Angjeli, Niada Saliasi dhe Dori Çaushi me veprën

“Netët e leximit të dramës shqipe” në edicionin e katërt në Teatrin Kombëtar nisën me veprën shqiptare “Muslimani”, nga autori Enver Petrovci. Leximi artistik i veprës së Enver Petrovcit, "Muslimani" u bë me aktorë Sokol Angjeli në rolin e Dinit; Niada Saliasi në rolin e Nitës dhe Dori Çaushi - Narratore. Realizimi televiziv nga Lorin Terezi, Luan Shkodrani dhe Edison Shalci. Leximi artistik i veprës shqiptare “Muslimani” nga Enver Petrovci ishte livestream në Facebook të Teatrit Kombëtar. Enver Petrovci është i njohur në skenën teatrore shqiptare, si aktor dhe regjisor. Një nga artistët e vlerësuar të teatrit shqiptar, i cili në “Netët e leximit të dramës shqipe” vjen me veprën teatrore “Muslimani”. Leximi artistik i veprës së parë teatrore ishte më 26 mars në orën 19:00. Vepra e Enver Petrovcit tregon për Dinin, që është pensionist e musliman i devotshëm dhe falet pesë vakte, bashkë me të shoqen. Ata kanë një vajzë të vetme, Hanën e cila vendos të martohet me një amerikan të krishterë. Për këtë shkak Dini (60 vjeç) e dëbon përgjithmonë atë nga familja. Ndërkohë, gruaja e tij vdes dhe Dini mbetet vetëm. Pas shtatë viteve vetmi, në banesën e tij hyn Nita, (40 vjeç) një grua e ve, e cila prezantohet gjoja se e ka dërguar Ministria e Punëve Sociale, me qëllim që të kujdeset për të. Dinit në fillim nuk i pëlqen kjo marrëdhënie por me kohë ndërron mendje, madje edhe dashurohet me Nitën. Ajo në të vërtetë është e dërguar dhe e paguar nga Hana, me qëllim t’a bindë babanë e saj të pajtohet me të. Insistimin e Nitës për pajtim, Dini gjithmonë e refuzon. Në fund, Nita thotë se nuk do të vijë më te ai, ajo i pranon se nuk punon në ministri, por të gjitha gjërat që i ka blerë (telefonin, televizorin, kasetofonin, ushqimet madje edhe kujdesin për të) e ka paguar e bija e tij, Hana. Dinit, edhe pse i pëlqen sjellja e Hanës, nuk pranon pajtimin me të bijën, por Nitës i propozon të jetojnë bashkë në banesën e tij. Nita pranon të jetojë me të, por e informon se edhe ajo është e krishterë. Në atë moment Dini e kupton vajzën e tij Hanën dhe pranon të pajtohet me të me një kusht, që Nita të jetojë me të.

Leximi i dramës shqipe

“Netët e leximit të dramës shqipe” në Teatrin Kombëtar u konceptua për herë të parë në vitin 2014 nga institucioni për promovimin e dramaturgjisë shqipe. Edicioni i fundit i aktivitetit “Netët e leximit të dramës shqipe” u zhvillua në vitin 2017. Vjet në kohën kur shpalli edicionin e katërt, Teatri Kombëtar shprehej se pas suksesit dhe impaktit shumë pozitiv me komunitetin artistik dhe teatërdashësit në edicionet paraardhëse, “Netët e leximit të dramës shqipe IV” vijnë në një formë të re. Të kushtëzuar prej pandemisë aktiviteti “Netët e leximit të dramës shqipe IV” zhvillohet online dhe do të shtrihet gjatë gjithë këtij viti. Veprat më të mira të këtij edicioni sipas Teatrit Kombëtar do të jenë pjesë e kalendarit artistik për vitin 2022, me shpresën që skenat të rihapen. Në edicionin e katërt të konkursit “Netët e leximit të dramës shqipe”, Teatri Kombëtar publikoi disa ditë më parë grupin e parë të veprave, që do ti nënshtrohen leximit artistik. Tetë vepra shqiptare janë në grupin e parë të përzgjedhjes nga Teatri Kombëtar, për leximin artistik me aktorët. Në edicionin e katërt bazuar në shpalljen që kishte bërë më parë Teatri Kombëtar, janë dorëzuar 23 vepra shqiptare. Pas grupimit të parë që Teatri Kombëtar ka publikuar, institucioni bënte me dije se në javët në vijim do të shpallet edhe grupi tjetër me veprat teatrore shqiptare, që do të jenë pjesë e leximit artistik.