Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sot dita e monumenteve, specialistët: Trashëgimia kulturore po shkatërrohet në mënyrën më brutale

Postuar: 18/04/2019 - 07:22

Dëmtimet në fushën e trashëgimisë kulturore në vend sipas specialistëve janë të shumta. Edhe sot në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës si dhe të Siteve Arkeologjike ata shprehen se përgjegjësia për dëmtimet është institucioneve të trashëgimisë. Specialistët shprehen se sistemi i trashëgimisë në vend më shumë është për tenderimet se sa për mbrojtjen e  monumenteve. Në reagimin e tij akademiku Emin Riza thekson se vlerat unikale të trashëgimisë sonë duhen mbrojtur, por sipas tij pas viteve ’90 institucionet në vend kanë një rënie të theksuar në mbrojtje të monumenteve. “Monumentet ndërtimorë të kulturës së mbarë gjinive mbrojtëse, kultit, banimit dhe të tjerë janë vlera të papërsëritshme historiko kulturore. Si të tilla këto vlera unikale duhen ruajtur si prej organeve mbrojtëse të tyre ashtu dhe mbarë qytetarëve”, pohon akademiku Riza. Hartues i dosjes së Gjirokastrës dhe Beratit në UNESCO, akademiku Emin Riza vijon se ndërhyrjet mirëmbajtëse në monumente nuk kanë qenë sa duhet. “IMK që prej vitit 1990 ka një rënie të theksuar në veprimtarinë për mbrojtjen monumenteve, dhe veçanërisht prej Ministrisë së Kulturës që merret me mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve është e domosdoshme që të tregohet një kujdes shumëfish më i madh se sa ai sotshmi, sepse monumentet e kulturës që humbasin identitetin e tyre, pra origjinalitetin e tyre megjithëse mund të rindërtohen, rindërtimet janë kopje e origjinalit. Prandaj ndërhyrjet e vijueshme mirëmbajtëse siç thotë karta e restaurimit të Venecias janë thelbi i veprimtarisë që emërtohet restaurim i monumenteve. Një problem është, që sot nuk ka më profesionistë si dikur në institucione”, vijon akademiku Riza. Ai shton se qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit duan shumë më tepër mirëmbajtje. “Berati ka rrezik nga zjarri veçanërisht lagjia Mangalem dhe Goricë. Trualli mbi të cilin ngrihet Mangalemi është i tillë që ka ndërtime pranë njëra- tjetrës dhe çdo zjarr përhapet me shpejtësi të madhe dhe duhet të bëhen instalime për mbrojtjen nga zjarri. Por dhe Gjirokastra ka pasur dëmtime jo pak, është rreziku me banesat në rast se nuk do të vijojnë mirëmbajtja dhe ndërhyrjet për restaurime”, vijon akademiku.

 Pas ’90 koha më e keqe për monumentet

Për prof. dr. Neritan Cekën në Shqipëri pas ’90 është koha më e keqe për trashëgiminë kulturore në vend. “Me ngjarjen nëkatedralen Notre Dame, që është një katastrofë natyrisht vertikale, që i ndodh një monumenti dhe për shkaqe që nuk janë të lidhura me kujdesin që tregohet në Francë për monumentet dhe mund të quhet thjesht një aksident, ndërsa në Shqipëri kemi një katastrofë horizontale, që po shkatërrohet e gjithë trashëgimia kulturore në fushën e monumenteve në mënyrën më brutale që i ka ndodhur këtij vendi, që nga koha e Turqisë. Nuk ka pasur kohë më të keqe për trashëgiminë kulturore se vitet pas 1990”, tregon arkeologu Ceka. Sipas tij sot bëhet 100 herë më pak për monumentet. “Në raportet me vitet ‘80 kur ka qenë lulëzimi i arkeologjisë dhe i kujdesit për monumentet e kulturës në vend pavarësisht nga sistemi që ekzistonte në krahasim me atë periudhë ne jemi 100 herë më pak”, pohon ai. Por sipas tij sistemi sot në fushën e trashëgimisë është absurd. “Sistemi ministri dhe agjenci që varen nga ajo, është më absurdi që ekziston në të gjithë botën. Nuk ka një sistem më absurd, ku monumentet menaxhohen direkt nga ministria dhe drejtorë që varen prej tyre. Ky sistem është vënë në një pseudoreformë që u bë në 2008 dhe kishte synim kontrollin e tenderimeve. I gjithë sistemi punon për tenderime”, vijon arkeologu Neritan Ceka. Shqetësues për prof. dr. Neritan Cekën është dhe mungesa e specialistëve në institucione. “IMK përgatit tema referenca që bëhet nga njerëz që nuk kanë lidhje me monumentet, nuk kanë grada shkencore në një vend që kanë qenë gjithmonë profesorë, që bëhen nga drejtorë dhe nëpunës të ministrisë që nuk kanë qenë te monumentet, që nuk kanë bërë kurrë një artikull. Një injorancë e plotë që pretendon të menaxhojë një pasuri, që është në zhdukje e sipër”, vijon ai. Për arkeologun përballë këtyre problemeve rezultati është katastrofa në trashëgimi. “Nuk ka më specialistë në IMK, nuk ka më karrierë në institute. Rezultati sot është katastrofa. Unë kam komunikuar me ministren më parë nuk më flet, kam komunikuar me kryeministrin nuk më dëgjon. Nuk dëgjon Meksin, Emin Rizën, Gjerak Karaiskaj, Muzafer Korkutin, nuk dëgjon gjithë gjeneratën. Brezi që na edukoi Gani Strazimiri, Selim Islami, Jovan Adami, Skënder Anamali, Frano Prendi, Lazër Papajani, Koço Zhegu, pra plejadë pa fund njerëzish që krijuan këtë pasuri dhe tani e ka marrë në dorë një brez i papërgjegjshëm. Brezi që menaxhon sot pasurinë kulture në fushën e monumenteve të kulturës është i papërgjegjshëm”, shprehet prof. dr. Ceka. 18 prilli, është shpallur Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve Arkeologjike nga organizatat e trashëgimisë botërore ICOMOS dhe UNESCO, që prej vitit 1982. 

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/08/2019 - 07:54

Kisha e Shën Kollit në fshatin Vodicë të Kolonjës do të restaurohet. Prej disa ditësh kanë nisur punimet.

Postuar: 18/08/2019 - 07:52

Autoritetet shqiptare janë vënë më në fund në lëvizje për të ndalur rrënimin e Kalasë së Gjirokas

Postuar: 15/08/2019 - 07:38

Regjisori i njohur Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rënd

Postuar: 15/08/2019 - 07:36

Në vilën e ish diktatorit, Cine Tarkovsky fton për një bashkëbisedim të hapur me fituesin e Palme

Postuar: 15/08/2019 - 07:35

Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk ësht

Postuar: 14/08/2019 - 07:33

Teatri i Kukullave ka përfunduar turin  “Erdhi Teatri”, duke shëtitur fshatra të

Postuar: 14/08/2019 - 07:31

“Shkodra Jazz Festival” mbërrin këtë vit në edicionin e dhjetë.