BREAKING NEWS

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/ Zbulohet data e përfundimit të hetimeve për shkarkimin e Metës, ja kur përfundon puna e Komisionit Hetimor

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/
x

Kultura

Specialistët e trashëgimisë: Ta ndalen tenderat për restaurimin e monumenteve të rëndësishme, ndërhyrjet të bëhen nga ekspertë

Specialistët e trashëgimisë: Ta ndalen tenderat për

Monumentet e kulturës dëmtohen nëse kryhen ndërhyrje të gabuara. Specialistë të njohur shprehen se Instituti i Monumenteve të Kulturës sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore duhet të ketë vëmendje, që çdo ndërhyrje që bëhet në monumentet e kulturës të realizohet nga profesionistët, por sipas tyre jo gjithmonë kjo ka ndodhur ndër vite. Sipas specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore, problemet janë të shumta, por institucionet përgjegjëse si Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës sot (IKTK) duhet të tregojnë kujdes për çdo projekt, që kalon për tu zbatuar në objekte. Profesor Emin Riza është një ndër emrat e shquar të restauruesve shqiptarë dhe një nga studiuesit më të mirë në fushën e ndërtimeve të vjetra. Në reagimin e tij akademiku Riza thotë se karta ndërkombëtare e restaurimit parashikon qartë se si duhet vepruar me monumentet e kulturës, ku çdo gjë duhet bërë nga profesionistët. “E dimë që çdo projekt restaurimi duhet të kalojë në një komision të veçantë, që e miraton ose bën vërejtje apo e hedh poshtë atë nëse ka probleme. Karta e Venecias është e mrekullueshme dhe do ti rezistojë kohës. Në një pikë ajo thotë, që thelbi i restaurimit është vijimësia e ndërhyrjeve mirëmbajtëse. Pra si për të sëmurin, që sapo të fillojë një shqetësim i vogël shkon te mjeku që ta kapë që në fillim mos ta lejojë që të zhvillohet sëmundja më tej, edhe restaurimi duhet ndërhyrë sa më parë, dhe jo se është një gjë e vogël dhe s’ka gjë. Ka gjë, sepse e vogla bëhet e madhe te monumentet. Në ndërhyrje duhet të jenë profesionistët”, pohon akademiku Riza. Në mbrojtje të monumenteve të kulturës akademiku Emin Riza thotë se duhet të jetë në vëmendje të zbatohen parimet për restaurimin e objekteve dhe që të jesh një restaurator nuk mund të jesh vetëm inxhinier. “Tek ne nuk zbatohen parimet, përcaktimi i autorit që do të merret me një projekt etj, sepse varet. Tre fushat kryesore janë fortifikimet, objektet e kultit dhe banesat popullore. Unë përshembull jam marrë vetëm me banesën popullore dhe nuk kam asnjë restaurim për ndonjë kishë, kështu janë rregullat shumë të drejta për të garantuar një profesionizëm sa më të madh. Të jesh restauruator nuk mund të jesh vetëm inxhinier, por duhet të jesh edhe njohës i asaj gjinie, që bën pjesë projekti. IMK ka përgjegjësi për çfarë ndodh sot me ndërhyrjet në monumentet e kulturës”, pohon akademiku Riza.

Punimet në monumente

Specialisti i trashëgimisë kulturore Ajet Nallbani thotë se problemi qëndron se sot ata që merren me restaurime janë të panjohur në këtë fushë. Sipas tij, restaurimet në monumente duhet të bëhen me kritere si dikur. “Ata që marrin tendera janë të panjohur në fushën e restaurimeve. Nuk janë të fushës, që të ketë bërë ndonjë një restaurim dinjitoz. Tenderi duhet të jetë i tillë, sa objekte të rëndësishme ka restauruar ai duhet ta fitojë tenderin, jo sa para do më pak ai. Për mendimin tim tenderat duhen hequr nga monumentet e rëndësishme. Restaurimet duhen bërë me kriteret e para. Më parë ishin me shpenzime direkte. Vendosej brigada dhe bëheshin punët, si duhej me specialistët te koka dhe jo me tender sikur bëhet ndërtim, sepse është restaurim”, thotë Nallbani. Me kritika për IKTK, specialisti Ajet Nallbani shprehet se sot është një institucion që nuk po tregon se ka vëmendje sa duhet për punët që bëhen në monumentet e kulturës në vend. Sipas tij nëse bëhen ndërhyrje të gabuara, ky institut është përgjegjës. “IMK është bërë një vegël qorre duhet të ishte forca kryesore e parandalimit të këtyre gjërave, që të mos shkonin në KKR, por i ndalon që në fillim IMK me këshillin që ka aty, por ata i kalojnë. Pra IMK është një institucion kot. Nëse bëhen ndërhyrje të gabuara në monumente ata në IMK janë përgjegjës dhe duhet të reagojnë”, vijon Nallbani. Specialistët Emin Riza dhe Ajet Nallbani dhe më parë kanë reaguar për monumentet e kulturës në vend, ku sipas tyre nëse nuk tregohet vëmendje vlerat do të shkatërrohen.