BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Kultura

Specialistët: Emergjencë konservimi i afreskeve dhe objekteve kulturore, Instituti i Monumenteve dhe ministria asnjë plan masash

Specialistët: Emergjencë konservimi i afreskeve dhe objekteve

Monumentet e kulturës në vendin tonë përballen me probleme të ndryshme. Herë pas here specialistët janë shprehur dhe për objektet e kultit, ku afresket janë në gjendje të mjerueshme. Pak ditë më parë Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore denoncoi një tjetër rast për afresket në gjendje të mjerueshme, ku përmes fotove tregohej kisha Shën Premte në Potkozhan. Por dhe për specialistë që dikur kanë qenë pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës sot ( Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore) dëmtimet do të vazhdojnë nëse institucionet përgjegjëse nuk kanë vëmendjen e duhur. Afresket në objekte të ndryshme të kultit rrezikojnë jo pak, një pjesë e tyre janë në degradim, por sipas specialistëve ka munguar ndërhyrja e institucioneve. Piktori dhe restauratori Adrian Devolli nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku është marrë me projektet të ndryshme restauruese. Por si restauruar i veprave të artit, ai shprehet se sot jemi në një emergjencë. “Jemi në emergjencë konservative për objektet e kultit monument kulture në vend. Koservim do të thotë të ruhet gjendja aktuale siç është dhe të mos vazhdojë më tutje degradimi. Kjo është faza e konservimit. Restaurimi ndahet në dy pjesë, konservim dhe studim. Shqipëria mbetet në fazën e emergjencës kulturore, që do të thotë të gjitha objektet, sepse afresku është pjesa më e dobët e objektit. Shpenzohen para pa fund dhe për konservimin e afreskut jepen pak para, sepse janë çështje të tjera. Problemi është që nëse një afresk ikën, zhduket, i bie më pas të të rrojnë muret. Pra emergjenca e konservimit të afreskut në vend”, pohon Devolli. Në reagimin e tij restauratori Devolli thotë se edhe pse flitet për ndërhyrje në ndonjë objekt, nuk ka një plan si duhet për gjendjen që janë afresket në kisha. “Nuk ka një plan të zhvillimit të ndërhyrjeve konservative dhe restauruese në veprat e artit. Si pasojë dëmtimi është i madh, që do të thotë të gjithë punët ne i bëjmë si me aksion dhe emergjenca është që të bëhen procese konservimi. Përgjegjësia është e Institutit të Monumenteve Kulturore dhe e Ministrisë së Kulturës”, shton më tej Devolli. Reagimeve në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në vend i bashkohet dhe dr. Latif Lazimi, arkitekt. Me dekada pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës dikur, ai shprehet se shumë kujdes duhet të jetë për kualifikimin e specialistëve që merren me afresket. “Instituti ka pasur sektorin e restaurimit të veprave të artit, natyrisht dhe tani e ka, por nuk e di në çfarë gjendje profesionnale janë anëtarët e këtij sektori. Për kualifikimin e specialisteve për restaurimin e veprave të artit më parë është bërë një punë e shkëlqyer, duke u drejtuar fillimisht nga prof. Hasan Nallbani dhe më tej nga Mustafa Arapi, Ardian Devolli etj. Afresket, ikonat dhe ikonostaset janë shumë të rëndësishme në interieret e objekteve të kultit dhe kërkojnë restaurator të kualifikuar për restaurimin e tyre”, pohon Lazimi.

Denoncimi i Forumit

Në ditët e fundit të qershorit, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore shkruante se kisha në Potkozhan në Mokër po vijon të shpërbëhet, ku për afresket nuk ka pasur kujdes. “Kjo është kisha Shën Premte në fshatin Potkozhan në Mokër, ku vazhdon të shërbehet, po ku afresket janë në një gjendje të mjerueshme. Emblematike është Sh. Mëria Platitera, d.m.th Lutëse, që duket sikur lutet për shpëtim me gjoksin e rrënuar. Cilësia e afreskeve është e jashtëzakonshme, por prej vitesh nuk ka asnjë kujdes dhe e vetmja përpjekje për t'i mbrojtur është bërë nga vetë prifti, që më tepër e ka llangosur afreskun”, shkruan Forumi, që e shoqëron këtë dhe me disa foto nga afresket e dëmtuara. Në reagimin e Forumit thuhet se ky objekt kulti nga jashtë duket si një ndërtesë e thjeshtë, tipike për kishat e shekullit XVIII, kur pushteti osman ndalonte ndërtimet kristiane monumentale, ndërsa nga brenda është një galeri arti dhe përqark ka një numër të konsiderueshëm kryqesh të zbukuruar dhe me mbishkrime. “Është një ishull qytetërimi i dënuar të zhduket, për shkak të injorancës, indiferencës dhe arrogancës që karakterizon ata që paguhen nga taksat tona për trashëgiminë kulturore”, shprehet Forumi. Përballë kësaj gjendje specialistët vazhdojnë të shprehen me kritika për institucionet, që sipas tyre nuk po bëjnë sa duhet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.