BREAKING NEWS

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur  në 24
x

Kultura

Specialistët italianë dhe shqiptarë, inspektim në muzeun Etnografik në Kavajë

Specialistët italianë dhe shqiptarë, inspektim në muzeun

 Specialistët italianë dhe ata shqiptarë të trashëgimisë kulturore, po vazhdojnë inspektimet në muze dhe objekte të ndryshme të vendit. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën me dije, se grupi i specialistëve italianë ishte në Kavajë për të inspektuar muzeun pas tërmetit të nëntorit.

“Në vijim të punës, grupi i specialistëve italianë dhe specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore e DRTK Tiranë inspektuan Muzeun Etnografik të Kavajës”, shprehet IKTK, ndërsa ka publikuar dhe foto gjatë këtij inspektimi në Kavajë. Disa ditë më parë, Ministria e Kulturës shprehej se pas ngjarjeve sizmike të ndodhura në 26 nëntor të 2019, kishte kërkuar pjesëmarrjen e ekspertëve të huaj për të ndihmuar autoritetet shqiptare në administrimin e urgjencës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Ambasada Italiane iu përgjigj thirrjes dhe mbështeti me misionin "Task Force Italiana U4H". Ky mision i parë konsiston në njohjen dhe vlerësimin e nevojave aktuale nëpërmjet studimeve në terren”, njoftonte Ministria e Kulturës. Muzeu Etnografik në Kavajë është një nga ndërtesat më karakteristike të qytetit. Kjo banesë i përket ndërtimit të banesave me çardak. Në qendër të saj janë vendosur dy shtëpitë e zjarrit, anash saj dy dhoma të tjera, kurse në ballinën e tyre përgjatë këtyre ambienteve shtrihet hajati. Në krahët e tij përbri dy dhomave anësore fill pas dyerve që të çojnë në to, ai ngrihet duke formuar dy sofa. Këto ambiente dalin jashtë hajatit në formë krahësh të ngritur nga trualli 1.2 metra. Tavanet e kësaj ndërtese janë punuar me dekor kurse dritaret në dy ambientet anësore kanë rrjetë druri, telajo xhamash dhe kapakë druri.

Godina është e ndërtuar në fillimet e shekullit XVIII dhe fundit XIX prej familjes së Arkaxhijeve, kryesisht me tulla, mure prej qerpiçi dhe gurë. Sipërfaqja e saj është 434 metra katrorë. Muzeu ndodhet në lagjen “Skuraj” të qytetit dhe përmban shumë vlera autentike si veshje popullore dhe objekte të tjera qysh nga periudha Ilire,1400-1600 mesjeta e hershme, 1831-1912 të rilindjes , 1912-1939 të pavarësisë, 1945-1990 të socializmit. Muzeu Etnografik në Kavajë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe është mbresëlënës për tu vizituar.