Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Kultura

Specialistët kundër MK: Butrinti me koncesion privatëve tregon paaftësinë e shtetit, e pëson trashëgimia kulturore

Specialistët kundër MK: Butrinti me koncesion privatëve tregon

Çështja e dhënies së parkut kombëtar të Butrintit me koncesion privatëve vazhdon të kundërshtohet fort nga specialistë të ndryshëm. Edhe pse nga Ministria e Kulturës muaj më parë bëhej me dije se Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit 2020-2030 është hartuar në kuadër të ligjit të ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, duke sjellë perspektiva të reja kjo gjë po kundërshtohet shumë nga specialistë të njohur. Parku i Butrintit pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci. Në ligjin e ri të miratuar njihet si “Fondacion”, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik. Por specialistët thonë se janë veprime, që po bëhen për të përfituar një grup njerëzish. Arkitekt restaurues dr. Kliti Kallamata thotë se Butrinti është pasuria më e madhe shtetërore e trashëguar, në territorin e sotëm të Shqipërisë. “Dhënia e tij për menaxhim një fondacioni me reputacion tepër të diskutueshëm tregon paaftësinë e shtetit dhe shkarjen e tij në faliment. Për më tepër, të gjitha procedurat, duke filluar që nga ligji për trashëgiminë, i përgatitur nga i njëjti fondacion, e deri tek insistimi arrogant i qeverisë për t’ia dhuruar sitin arkeologjik më me vlerë, më të vizitueshëm dhe me më shumë të ardhura këtij fondacioni pa kurikulën e përshtatshme, flasin për veprime mafioze dhe jo të ndershme me synim përfitimi nga një grusht i vogël njerëzish”, shprehet arkitekti Kallamata, një nga zërat në mbrojtje të trashëgimisë. Duke kundërshtuar fort këtë që po ndodh me parkun kombëtar të Butrintit, dr. Kliti Kallamata thotë se në shtete të tjera në botë me pasuritë kulturore nuk veprohet siç po ndodh në vendin tonë. “Asnjë shtet i Europës së qytetëruar, ku aspirojmë të shkojmë, nuk vepron në ketë mënyrë me trashëgiminë e tij kulturore”, shprehet më tej arkitekti.

Problemet që nisën me ligjin

“Plani i Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit” miratuar nga qeveria është hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF). Më parë ministrja Elva Margariti shprehej se parku i Butrintit duhet të kthehet në një “park lider”, model edhe për parqe të tjera në Shqipëri. Por për specialistin e trashëgimisë kulturore Kliti Kallamata ministrat e Kulturës ende nuk po kuptojnë pasojat të veprimeve, që po bëjnë. “Fakti që ligji për trashëgiminë u përgatit po nga ky fondacion, që tani në emër të ligjit që ka përgatitur vetë, harton një "plan manaxhimi" për ta manaxhuar vetë këtë sit, dhe ndoshta edhe site të tjera më vonë, duke marrë monopolin e manaxhimit të trashëgimisë kulturore, le shumë dyshime për "sinqeritetin" e fondacionit dhe të shtetit. Të mos harrojmë se ky fondacion dikur ishte bankë dhe qëllimi i tij sigurisht mbetet fitimi. Ajo që e pëson në këtë rast është trashëgimia kulturore. Sa për fjalët e ministrave të Kulturës ato nuk e kanë kuptuar kurrë dhe ende nuk po kuptojnë rëndësinë historike (me pasoja negative) të veprimeve që bëjnë”, thotë dr. Kallamata. Po dhe restauratori Adrian Devolli, që për dekada është marrë me restaurime të veprave të artit dhe nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës e kundërshton dhënien e Butrintit me koncesion të privatët. “Kjo që ndodh është çështje pazari. Kjo pasuri kombëtare këtij populli i ka kushtuar shumë dhe duhet të kalojë në xhepat e disa vetave. Pse duhet ta marri privati? Fjalët që thonë ministret janë hartime kalamajsh. Çfarë do të bëhet me Butrintin?”, thotë Devolli. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.