BREAKING NEWS

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr jetën ish-ushtarakut të lartë (EMRI+FOTO)

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr
x

Kultura

Specialistët: Muzetë në vend kanë nevojë të rinovohen, Ministria e Kulturës të bëjë investime

Specialistët: Muzetë në vend kanë nevojë të

Maji është shpallur si Muaji i Muzeve nga Ministria e Kulturës. Një muaj, ku gjatë kësaj kohe institucionet po prezantojnë edhe në mënyrë virtuale objektet muzeore, që përmbajnë. Por sa herë që flitet për muzetë, për specialistë të ndryshëm duhet të ketë më shumë vëmendje për këto institucione. Edhe pse janë bërë investime në disa prej tyre, sërish problemet nuk mungojnë në muzetë e rëndësishëm të vendit. Muzeu Historik Kombëtar në qendër të Tiranës sipas specialistëve prej vitesh është përballur me mungesën e investimeve. Por probleme të godinave apo dhe me pasurimin e objekteve janë dhe në muze të tjerë në vend. Për specialistë të ndryshëm ajo që duhet bërë është që nga Ministria e Kulturës të ketë vëmendje dhe për të afruar më shumë profesionistët, ata që janë marrë dhe me muzetë dikur. Për inxhinierin, arkitektin dhe ish pedagogun universitar Robert Kote muzetë kanë nevojë jo vetëm për rinovim por dhe të pasurohen me objekte. “Muzetë kanë shumë nevojë të rinovohen nga pikëpamja e përmbajtjes, nga pikëpamja e mënyrës së ekspozimit, mënyrave të reja moderne të ekspozimit”, pohon ai. Robert Kote është inxhinieri që ka drejtuar punimet e ndërtimit të Muzeut të Skënderbeut në kalanë e Krujës nga shtatori i 1978 deri në 1 nëntor të vitit 1982. Në reagimin e tij ai shprehet se profesionistë të fushës duhet të ftohen nga Ministria e Kulturës, të japin mendimet e tyre. “Ministrja e Kulturës ti ftojë të gjithë veteranët në një orë të caktuar në një sallë, ata të ulen atje dhe ti shkruajnë me dorë të gjitha ato që mendojnë. Ata të japin ndihmën e tyre në ministri, ti lënë me shkrime aty”, vijon Kote. Në reagimin e tij, inxhinieri Robert Kote shprehet se duhet punuar më shumë dhe për veprat, që mund të vendosen në vende të ndryshme. Ai sjell shembuj se kopje të objekteve të rëndësishme që janë në muze, mund të shpërndahen në vende të ndryshme. “Muzetë kanë nevojë të pasurohen me objekte mundësisht origjinale. Po ju jap një shembull, është në muzeun e Firences Davidi, që i Mikelanxhelos. Davidi origjinal është brenda në muze, por kur hyhet te piaca që është bashkia e Firences aty është një kopje e tij e madhe prej mermeri. Një kopje tjetër është në kodër të Firences. Atëherë pse ato që janë zbuluar në Butrint, kopje të tyre mos të bëhen dhe shpërndahen në vend. Pse të mbahen të mbyllura të gjithë veprat” shprehet Robert Kote.

 Puna me muzetë

Arkitekti Latif Lazimi shprehet se muzetë janë të objekte të rëndësishme, por ai shpreh keqardhjen që në këto institucione me rëndësi kanë munguar investimet prej vitesh, gjë që ka sjellë dhe probleme. “Për muzetë do të thosha se janë objektet më të rëndësishme të vendit dhe kombit tonë, ku pasqyrohet historia e tij. Duhet një kujdes i shtuar për këto objekte monumentale në mënyrë të veçantë për Muzeun Kombëtar, që kanë kaluar shumë vite pa u vënë dorë dhe duhet një rikonstruksion i përgjithshëm i tij. Po ashtu dhe muzetë që duhet të ngrihen në çdo krahinë të vendit tonë, muzetë etnografikë janë shumë të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të vendit tonë”, shprehet arkitekti Lazimi. Dikur restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës, piktori Adrian Devolli thotë se për muzetë duhet të angazhohen studiuesit dhe profesionistët. Sipas tij, duhet të pyetën specialistët e fushës në çdo vendim, që merret për muzetë. “Punën për muzetë e bëjnë studiuesit, njerëzit e mençur dhe përderisa këtu kanë ikur dhe nuk i përfill njeri shkaku dhe pasojat dihen, pasoja është e llahtarshme. Edhe rinovimi nuk është puna po rinovo mure ose tulla dhe llac, por është konceptimi i vlerave që vë brenda një muzeu. Përshembull Galeria Kombëtare e Arteve nuk është më galeri arti, por një mizerje sot, një galeri e cila edhe nga pikëpamja ekonomike nuk dinë ta menaxhojnë, nuk bëjnë as katalogë, as kolanë për autorët. Kështu është dhe problemi i muzeve te ne bëhet një jetë e varfër, jo aq aktivitete sa duhet, ku të thuhet që një muze këtë muaj lançoi këto vepra apo studime që u bënë. Kjo është shumë e rëndësishme”, shprehet Devolli. Shqetësues për piktorin Adrian Devolli është dhe fakti që nuk ka stimulim për studiuesit dhe profesionistët e fushës nga institucionet sot. Sipas tij sot mungon dhe debati shkencor, që ka shumë rëndësi. “Nuk ka stimulim të studiuesve, sepse muze do të thotë të ketë dhe seminare që mbahen për një temë të caktuar kur dihet që dhe historia e Shqipërisë deri më sot ka qenë dhe politike. Por këtu nuk janë bërë as muret, mungon debati shkencor, debati artistik, etj. Deri sa këto mungojë nuk ia vlen. Ministria e Kulturës të marrë mendimin e specialistëve, të bëjë investime në intelekt në rradhë të parë”, pohon ai. Muaji i muzeve risjell dhe njëherë në vëmendjen problemet, që janë në këto institucione, ku sipas specialistëve ka ende shumë për të bërë.