Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Streha mes reve”, në garën zyrtare të filmave indipendent në“Film Fest Muenchen” në Gjermani

Postuar: 22/06/2019 - 07:30

Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina është përzgjedhur në “Film Fest Muenchen” në Gjermani, në garën zyrtare të filmave ndërkombëtar indipendent. Filmi “Streha mes reve” pas premierës botërore në festivalin “Black Night”, në Tallinn të Estonisë po vijon të prezantohet në festivale të ndryshme. Për regjisorin Robert Budina festivali i filmit në Muenchen të Gjermanisë është i teti, ku filmi merr pjesë në konkurrime zyrtare. “Është festivali i tetë, që merr pjesë filmi dhe është në garën zyrtare të filmave ndërkombëtarë indipendent. Ka rëndësi gjithashtu se filmi do të dalë dhe në kinematë gjermane”, pohon Budina në reagimin e tij. “Film Fest Muenchen” do të zhvillohet në Gjermani nga data 27 qershor deri më 6 korrik. Është një festival, që sjell në konkurrim prodhime filmash nga shtete të ndryshme të botës, dhe Shqipëria do të përfaqësohet me filmin “Streha mes reve”. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Virus Shala, etj. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe prodhuar nga producentja Sabina Kodra (Era film) në bashkëprodhim me RTSH dhe Cristian Nicolescu, Rumani (Digital Cube). Më herët si regjisor Robert Budina është shprehur se puna e tij ka qenë gjithmonë për të sjell një film me cilësi sa më të mirë. Më herët, në shënimet e saj producentja Sabina Kodra shprehej se ky projekt lindi në përpjekje për të bërë jo thjesht një film, por që shpreh vlera të veçanta, që nuk i has shpesh në kultura të tjera. “Unë i propozova regjisorit Robert Budina idenë time për këtë projekt, dhe meqë të dy kishim një eksperiencë të përbashkët të bashkëjetesës fetare në familje, ai u rrëmbye menjëherë prej saj, për veçantinë që kjo temë ofron dhe mundësinë e madhe për ta rrëfyer atë në mënyrë po aq të veçantë”, shkruan producentja. Në muajin mars të këtij viti filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina u shpall fitues i çmimit “Global Vision Award” në “Cinequest Film Fest” në San Jose SHBA.

Historia e filmit

Filmi “Streha mes reve”, rrëfen historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë. Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri- tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre.  Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë. Në të ri të tij, Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij. Filmi e pati premierën në Shqipëri në datën 13 dhjetor 2018. “Streha mes reve” është filmi i dytë artistik me metrazh të gjatë i skenaristit dhe regjisorit Robert Budina. “Streha mes reve” u xhirua nga drejtori i fotografisë së Radu Jude, Marius Panduru (i cili gjithashtu ka xhiruar filmin “Album”, triumfues në festivalin e filmit të Sarajevës në 2014), montazhier Stefan Tatu (Wolf) dhe kompozitor Marius Leftarache.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/07/2019 - 07:54

Festivali Multikulturor i Beratit erdhi në edicionin e tij të gjashtë, me një program të pasur në ditët e tij.

Postuar: 21/07/2019 - 07:52

Ekspozita “Duke pikturuar filmin” vjen me vepra të piktorit Shyqyri Sako.

Postuar: 21/07/2019 - 07:51

Përballë problemeve, që janë në aktivitetin artistik artistë të ndryshëm shprehen se nuk gjejnë m

Postuar: 20/07/2019 - 07:44

Gjithmonë kam qenë i mendimit që racat dhe etnitë e ndryshme të njerëzimit janë si një buqetë me

Postuar: 20/07/2019 - 07:42

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, me skenar dhe regji nga Kushtrim B

Postuar: 20/07/2019 - 07:41

Sezoni artistik në teatro ka përfunduar, por për artistët Ministria e Kulturës duhet të riorganiz

Postuar: 19/07/2019 - 07:28

Filmi “Streha mes reve” pas pjesëmarrjes në “Munich Film Fest” do të shfa