BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Studiues e specialistë: Zero kujdes për kostumet popullore, pushteti lokal dhe Ministria e Kulturës pa vëmendje

Studiues e specialistë: Zero kujdes për kostumet popullore, pushteti

Ministria e Kulturës duhet ta shikojë si një vlerë të çmuar trashëgiminë tonë kulturore materiale dhe jo materiale. Kështu shprehen specialistë dhe studiues, sipas të cilëve për trashëgiminë tonë ka vite që kujdesi ka rënë nga institucionet dhe Ministria e Kulturës. Edhe pse gjatë kësaj kohe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës janë shprehur mbi punën, që po bëhet për xhubletën dhe përgatitjen e dosjes për në UNESCO, sipas specialistëve të fushës duhet më shumë kujdes dhe investim. Sipas tyre ka humbur kujdesi për kostumografinë popullore dhe sot janë shumë individë që kujdesen vetë për këtë trashëgimi. Kryetar i shoqatës “Polifonia shqiptare”, bartësi i polifonisë Yzeir Llanaj si dhe studiuesi, kompozitori dhe organologu Mark Luli flasin për problemet, që has trashëgimia jonë kulturore. Ata thonë se përgjegjësia është te Ministria e Kulturës me politikat e saj për të vijuar dhe me pushtetin lokal. Studiuesi dhe kompozitori Mark Luli thotë se ndryshe nga vitet kur tregohej vëmendje për trashëgiminë materiale dhe jo materiale, tani kujdesi mungon nga institucionet. “Është kujdesi zero për kostumet popullore nga shteti. Mirë që jemi ne vetë, që jetojmë ende në Shqipëri dhe kemi kujdes me sa mundemi te kostumet popullore dhe instrumentet popullore. Ato veshje që kanë mbetur popullore i kanë individë privat dhe i ruajnë, si puna ime që kam instrumentet e rralla popullore. Jemi shtet, që nuk tregon kujdes, është zeruar kujdesi nga kultura”, thotë ai. Duke folur për trashëgiminë tonë studiuesi dhe kompozitori Mark Luli vlerëson punën që është bërë me xhubletën gjatë kësaj kohe. Por ai vijon se Ministria e Kulturës duhet të pyesë më shumë studiuesit për pasurinë kulturore. Studiuesi Mark Luli thotë xhubleta është unikale në botë. “Ministria e Kulturës duhet ta shikojë si një vlerë të çmuar trashëgiminë tonë, qoftë xhubletën, apo dhe pjesën tjetër të kostumeve popullore dhe instrumentet popullorë. Ministria e Kulturës të dojë studiuesit që kanë mbetur gjallë dhe të na pyes që ti tregojmë të vërtetën se kush është kultura popullore, kush janë instrumentet popullorë, kush është tradita, sepse do të vdesim ne një ditë dhe do rritet një brez i keqinformuar”, tregon studiuesi dhe kompozitori Luli në fjalën e tij.

Trashëgimia me vlera të shumta

Bartës i polifonisë dhe studiues Yzeir Llanaj thotë se ne kemi shumë vlera të trashëgimisë, ku hyjnë polifonia, lahuta, çiftelia, vallet e Tropojës, vallet Dibrane, etj. Por ai thotë se është një pasuri e rrallë e kombit shqiptar, që është lënë pas dore dhe flitet vetëm në prag të ndonjë festivali. Yzeir Llanaj “Mjeshtër i Madh”, thotë se duhet më shumë kujdes dhe investim, sepse po marrin fund kostumet e vjetra popullore. “Kostumet kombëtare duhet të mbrohen ndërmjet pushtetit lokal. Bashkitë, komunat që duhet të ngrihen si dikur qendrat kulturore për të mbajtur dhe vlerat tradicionale. Kjo jo vetëm kostumet popullore, por dhe këngët e folklorin. Baza është pushteti lokal dhe del deri te Ministria e Kulturës kryesorja”, tregon bartësi i polifonisë, që herë pas here ka reaguar në mbrojtje të kulturës popullore. Duke folur për kostumet popullore Llanaj  tregon se artistët, që sot dalin në skenë i mbajnë vetë në shtëpitë e tyre kostumet popullore. Bartësi i polifonisë Llanaj thotë se ata interesohen vetë, i riparojnë vetë dhe i reklamojnë vetë. “Interesim nga Ministria e Kulturës për trashëgiminë kulturore, pasi po merr fund kostumografia e vjetër, dhe bartësit i riparojnë vetë me sa munden kostumet popullore. Unë kam një kostum popullor 50 vjeçar dhe e mbaj prej 40 vitesh në shtëpi dhe kujdesem për atë. Trashëgimia shpirtërore dhe ajo materiale kërkon më shumë vëmendje, të ketë interesim, investim dhe të mirëmbahen”, thotë Yzeir Llanaj bartës i polifonisë. Edhe më parë bartës të polifonisë dhe studiues të ndryshëm janë shprehur për vlerat, që ka kultura jonë popullore.