BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Studiuesit apel institucioneve: Pas 1990 rënie e kujdesit për gjuhën nga shteti, të miratohet një ligj që u jep zgjidhje problemeve

Studiuesit apel institucioneve: Pas 1990 rënie e kujdesit për

Mbrojtja  e gjuhës shqipe është një detyrim shtetëror. Një ligj përkatës nga shteti, sipas studiuesve do ti jepte zgjidhje problemeve me të cilat përballet gjuha shqipe sot. Gjuhëtarë dhe studiues morën pjesë në konferencën shkencore me temë “Presionet e gjuhës”, që vunë në dukje problemet me të cilat përballet gjuha shqipe. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Fakultetin e Histori-Filologjisë organizuan konferencën kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës. Në aktivitet morën pjesë dhe referuan prof. dr. Sabri Laçi, dekan i Fakultetit të Histori-Filologjisë, prof. dr. Shezai Rrokaj, përgjegjës i Departamentit të Gjuhës, gjuhëtarë e studiues të gjuhës si prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Mimoza Gjokutaj, prof. dr. Mimoza Kore, prof. dr. Aljula Jubani, prof. asoc. dr. Lindita Xhanari dhe të tjerë. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli u shpreh se qendra që ajo drejton do të mbështesë kërkime shkencore. Kjo sipas drejtoreshës Alda Bardhyli do ti japë prioritet zërit të shkencës. “E?shtë detyra e shkencës, e gjuhëtarëve, pastrimi i gjuhës dhe mbrojtja e saj, njëkohësisht është dhe një detyrë kombëtare. Qendra do të mbështesë kërkime shkencore, me në fokus shqipen dhe do t'i japë prioritet zërit të shkencës dhe gjuhëtarëve në projektet e saj”, tha Bardhyli. Konferenca “Presionet e gjuhës” mblodhi gjuhëtarë dhe studiues të ndryshëm, por në fjalën e tij, dekani i fakultetit prof. dr. Sabri Laçi tha se në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 gjuha shqipe është ngritur në nivelin e gjuhës letrare, të pranuar nga të gjitha pjesët e kombit. Problem sipas dekanit Sabri Laçi është, sepse pas vitit ’90 pati një rënie të kujdesit për gjuhën, ku ai u shpreh dhe për mungesën e një ligji. “Pas vitit 1990, është vënë re një rënie e kujdesit për gjuhën nga shteti dhe shoqëria shqiptare. Në ligjërimin e shkruar e të folur, për fat të keq, kjo gjendje vijon edhe në ditët tona, ndonëse kushtetutat e të dy shteteve shqiptare e shpallin mbrojtjen e gjuhës si detyrim shtetëror. Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë ende një ligj për gjuhën, ndonëse projektligji përkatës është depozituar prej kohësh në të dy kuvendet”, tha ai.

Shkelje e normave të gjuhës

Sipas prof. dr. Sabri Laçit, në botime, në gazeta e revista, në televizione dhe në dokumentacionin zyrtar vërehen shkelje të rënda të normave të gjuhës letrare. Në vijim të fjalës së tij në këtë konferencë prof. dr. Laçi theksoi se duhet treguar respekt për gjuhën tonë. “Ka një vërshim të fjalëve të huaja të panevojshme, të cilat po e venitin gjuhën, duke u zënë vendin fjalëve të bukura shqipe. Në fushën e drejtshkrimit, mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç është tregues i mungesës së respektit për alfabetin tonë. Në televizione po depërtojnë modele të huaja theksimi, që prishin melodinë dhe metrikën e frazës, e cila nuk tingëllon më si shqip. Është rasti sot t’u drejtohemi shkollës, shtypit dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në ligjërimin publik, me thirrjen që të tregojnë respekt për gjuhën tonë, e cila është tipari kryesor që na dallon prej të tjerëve dhe na bashkon ne shqiptarët në një komb”, tha prof. dr. Laçi. Sipas studiuesve, shteti duhet të ketë kujdes për gjuhën, ku dhe institucionet shkencore duhet të propozojnë modele për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare. Për dekanin Fakultetin e Histori-Filologjisë prof. dr. Sabri Laçi duhet krijuar një mjedis i pastër nga ndotjet gjuhësore. “Është dita për t’i bërë thirrje shtetit që të kujdeset për gjuhën, në radhë të parë, duke miratuar ligjin përkatës, i cili do t’u jepte zgjidhje shumë problemeve, duke krijuar një mjedis të pastër nga ndotjet gjuhësore e shkeljet e normave të gjuhës letrare. Është dita, gjithashtu, t’u kujtojmë institucioneve shkencore dhe gjithë studiuesve të shqipes, se u takon atyre që të identifikojnë modele dhe të propozojnë zgjidhje efikase në të mirë të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare”, tha mes të tjerave prof. dr. Laçi në prani të gjuhëtarëve dh studiuesve. Sipas tij, edukimi i qytetarëve shqiptarë për përdorimin e programeve informatike të korrigjimi në gjuhën shqipe do të mundësonte shkrimin saktë të teksteve në postën elektronike dhe në rrjetet sociale, duke i bërë një shërbim të mirë gjuhës shqipe dhe përdoruesve të saj. Konferenca u mbajt në mjediset e Fakultetit të Histori-Filologjisë, duke respektuar masat ndaj covid-19.