BREAKING NEWS

Yuri Kim nxjerr foton dhe paralajmëron ndryshimin e madh në Shqipëri

Yuri Kim nxjerr foton dhe paralajmëron ndryshimin e madh në
x

Kultura

Studiuesit: Kritika letrare më shumë në lavdërime, ka nisur të zbehet hierarkia e vlerave

Studiuesit: Kritika letrare më shumë në lavdërime, ka nisur

Kritika letrare nuk ndjek procesin letrar, sepse më shumë është në lavdërime apo dhe parapëlqime personale. Kështu shprehen studiues të ndryshëm në reagimet e tyre për këtë problematikë, që është në vendin tonë me kritikën letrare. Nuk është hera e parë që pohohet ky problem, por për autorë dhe studiues të ndryshëm ajo kritikë që duhet të jetë e shkruar nga njerëz kompetentë mungon në krijimtari. Studiuesi Xhahid Bushati është i njohur për shkrimet e tij apo dhe studimet, por për kritikën letrare ai thotë se në vendin tonë deri më tani nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Kjo sipas studiuesit Bushati bën që të mos ketë materiale, ku të evidentohen dhe prirjet e letërsisë. “Jo vetëm tani që po mbyllet ky vit, por ka disa vite që kritika letrare nuk është në lartësinë e duhur dhe nuk e ndjek procesin letrar. Realisht libra ka plot që dalin në qarkullim, por kritika letrare në të gjitha nivelet, për librat që janë në nivelin parashkollor, shkollor por dhe për të rritur, jo vetëm që është e zbehtë por nuk po shohim dot studime, që ti evidentojnë prirjet e letërsisë qoftë për fëmijë apo dhe të rritur. Më shumë ka mbetur kritika në rolin recensionit, lëvdatave dhe të parapëlqimeve personale të atyre që e shkruajnë. Zakonisht këto bëhen kur ka promovime librash”, thotë në një reagim të tij studiuesi. Me keqardhje studiuesi Xhahid Bushati shprehet se kjo që po ndodh ka bërë, që të zbehet dhe hierarkia e vlerave në vendin tonë në letërsi. Sipas tij, sot nuk kemi kritikët e duhur për procesin letrar. “Po të shikosh pëlqimet dhe lavdërimet që i bëjnë autorit apo autores, me të thënë mendja se kemi letërsinë më të mirë që mund të ekzistojë. Në një kohë që unë jam i mendimit, që ka nisur të zbehet dhe hierarkia e vlerave të letërsisë shqipe, por dhe më e zbehtë ka nisur të bëhet kritika letrare. Ne nuk kemi kritikë, por dhe studiues”, vijon Bushati.

Veprat kanë nevojë për mendimin kritik

Edhe pse kritika duhet të ndjekë procesin letrar në krijimtari, për studiuesin Xhahid Bushati edhe institucionet kanë një pjesë të përgjegjësisë. Sipas tij, mund të ketë dhe konkurse duke ndihmuar ata autorë, që kanë vepra në tërësi për kritikën. “Kur flasim për institucionet kemi universitete që të ketë një lloj vëmendje për këtë rrugë të kritikës dhe studiuesve, e dyta Ministria e Kulturës në këtë rast Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit të organizojë një konkurs siç ka bërë për poezinë, romanin, të rinjtë, edhe për kritikën të ketë konkurs ku studiuesit letrar të sjellin veprat. Edhe dy libra sikur të sponsorizojë do të ishin dy modele të mira për letërsinë e bashkëkohësisë, do të shikonim se si ecën letërsia jonë në procesin e saj”, thotë Bushati. Për shkrimtarin Vasil Premçi në vendin tonë nuk pranohen shkrimet kritike kur flitet për probleme, që mund të ketë në veprat e ndryshme letrare. Sipas tij kjo nuk pranohet dhe është bërë modë që të pranohet vetëm ai shkrim me lavdërime. “Kritika letrare ka ardhur duke u shuar, pra duke shkuar në zero sepse kritika letrare do dije, kulturë, profesionizëm, do studime, do angazhim nga njerëz kompetent, nga njerëz me krijimtari me përvojë në fushën letrare. Për fat të keq dhe ata njerëz që ne kemi nuk janë përkrahur, qoftë nga situata dhe klima. Klima shtetërore që është negative, por dhe klima sociale dhe shoqërore nuk e pëlqen kritikën. Ai që kritikon mbetet kundërshtar dhe shpallet “armik” i tyre, qoftë kur kritikohet te ministria apo dhe individë. Në faqet letrare kritikët i gjejmë shumë pak dhe është bërë modë që në promovime duhet vetëm lavdëruar, ndryshe as pranohet as pranohesh në ambiente”, thotë shkrimtari Premçi. Përballë kësaj problematike, sipas studiuesve çdo vepër letrare ka nevojë për mendimin kritik.