Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sulejman Rushiti: Situata në kulturë dhe art njësoj si para 20 vitesh, Ministria e Kulturës të bëjë një riorganizim të jetës kulturore

Postuar: 25/05/2018 - 07:53

Problemet me të cilat përballet teatri sot janë pasojë e mungesë së vëmendjes prej vitesh, ku qeveritë edhe pse janë ndryshuar nuk kanë arritur dot të sigurojnë mirëmbajtjen e tij. Artistë të ndryshëm pohojnë se problemet me të cilat përballen në jetën artiske nuk janë pak, dhe për regjisorin e njohur Sulejman Rushiti është koha që nga Ministria e Kulturës të ketë një riorganizim të politikave kulturore për artin dhe teatrin. Në intervistën për “SOT” regjisori i njohur Sulejman Rushiti tregon se mbështet artistët për kërkesat e tyre për Teatrin Kombëtar, por sipas tij përgjegjësia nuk është vetëm e një ministrie. Regjisori i njohur tregon se është një situatë problematike, ku duhet të kemi një bashkëpunim mes ministrisë dhe bashkive për të ringritur teatrot, që janë mes shumë problemeve. Reagimi i regjisorit të njohur vjen në një kohë kur po diskutohet për teatrin dhe akuzat e artistëve në drejtim të Ministrisë së Kulturës vijojnë dhe me mungesën e transparencës. Regjisori Sulejman Rushiti, një nga emrat më të vlerësuar të teatrit shqiptar sjell në Tiranë në skenën e Teatrit Kombëtar premierën teatrore “Vetëvrasësi”.

-Vepra teatrore “Vetëvrasësi” shkruar nga autori rus Nikolai Erdman pas Korçës me regji nga ju vjen në Tiranë. Pse zgjodhët kwtë vepër?

Si çdo regjisor dhe unë kam disa vepra që i mbaj derisa të vijë momenti dhe ta gjejnë dhe skenën. Një prej tyre ka qenë dhe vepra teatrore “Vetëvrasësi”. Kjo vepër sepse trajton tema të njeriut të zakonshëm për shkak se merret me individin. Merret me hallet dhe dramat që kalon ai, merret me frikën, me ëndrrat e tij të parealizuara dhe dëshirat, përplasjet që ka me shoqërinë nga njëra anë dhe nga ana tjetër merret me trysninë e shoqërisë, me sipërfaqësoren që shoqëria e ka në raport me personat që janë në hall. Secili nga këta që përfaqësojnë shoqërinë, botën e jashtme të Simonit personazh kryesor i veprës vijnë për të realizuar kauzat e tyre, dhe aspak shqetësohen se e detyrojnë drejt një akti vetëvrasës këtë person, që ka dramat dhe problemet e tij jetësore në raport me jetën e tij. Kjo është ajo që unë kam dashur ta trajtoj. Është shoqëria ajo që prodhon fenomene, dhe më pas janë sigurisht në të gjithë sferat e jetës, dhe nuk është e kufizuar vetëm tek Simoni në vepër. Por ka plot Simonë në jetë dhe raste që kërkohet nga ata që të sakrifikohen për kauza që nuk janë të tij. Ai kërkon thjesht që të ketë një vend pune, ndërsa këta kërkojnë që ta bëjnë hero dhe të sakrifikohet për kauzat e tyre madhore, për të cilat ata nuk duan që të sakrifikojnë asgjë përveçse paguajnë. Ata paguajnë që ta detyrojnë Simonin që letrën përshëndetëse vetëvrasëse t’ia dedikojë kauzës njeri për inteligjencën, tjetri për fenë, e me radhë.

-Jeni aktiv në skenën e teatrit me vlerësime dhe çmime në shfaqjet tuaja. Këtë herë ju keni bërë bashkë aktorët nga Tirana dhe Korça për të sjellë premierën tuaj të radhës në teatër...

Unë gjithmonë jam idhtar i bashkëpunimeve teatrore, sepse sjellin përvoja të ndryshme të cilat bëjnë që ne të ecim përpara. Çdo mbyllje dhe hermetizëm në art është i dëmshëm, sepse ai rritet dhe zhvillohet vetëm përmes hapjes së tij, përmes shkëmbimit të përvojave dhe kjo për mua ka qenë një mundësi e mirë. Unë gjithmonë kam folur për bashkëpunime të tilla sepse kanë rëndësi. Edhe këtë rast me shfaqjen teatrore “Vetëvrasësi”, që më parë u shfaq premierë në teatrin e Korçës dhe tani vjen në Teatrin Kombëtar në Tiranë ka qenë një bashkëpunim i frytshëm, që për mua ka rrënjë të thella në kulturën shqiptare. Korça është një qytet model dhe është dhe bashkëpunimi i parë i Teatrit Kombëtar me teatrot e qyteteve,  jam i lumtur që jam regjisori i parë që nisa me këtë cikël bashkëpunimesh që TK ka në plan ta vazhdojë.

-Jemi në sallën e Teatrit Kombëtar ku prej kohësh artistët po protestojnë duke kundërshtuar shembjen e godinës, akuzojnë Ministrinë e Kulturës për mungesë transparence. Në gjykimin tuaj kjo situatë?

Unë jo vetëm që jam në dijeni se çfarë po ndodh këto kohë, por mbase dhe 16 vjet më parë kam qenë dhe një nga nismëtarët për të firmosur mbrojtjen e teatrit, dhe në atë kohë ka qenë i ndjeri Agim Qirjaqi drejtor i TK. Kujtoj që dhe atë kohë pati një nismë për shembjen dhe mbrojtjen e teatrit. Që nga ajo kohë kjo temë vijon të jetë e gjallë. Edhe unë si atëherë dhe tani nuk kam ndryshuar mendimin për Teatrin Kombëtar, për t’u mbrojtur gjithçka që ka vlerë kulturore në vend. Për ta mbrojtur atë që quhet memoria e kombit. Por mëkati nuk është vetëm i një qeverisje dhe i një politikani. Më vjen keq sepse që nga ajo kohë e deri tani asnjë nga qeverisjet që kanë ndryshuar nuk e kanë mirëmbajtur këtë teatër si objekt. Sigurisht që aktorët e duan këtë objekt, sepse kanë lidhje emocionale, por normal që duan dhe kushte më të mira për aktivitetin artistik. Të kemi një teatër të ri është normale kjo kërkesë. Por dhe teatri ekzistues mundësisht të riparohet. Për një teatër të ri mund të gjenden dhe mjedise të tjera të mirëstudiuara dhe në funksion për teatrin. Të jetë një teatër i ri dhe të jetë dhe determinuesi i një arkitekture të re dhe moderne të Tiranës së mileniumit të ri. Unë kështu e gjykoj. Patjetër që jam me artistët. Artistët edhe pse nuk kanë drejtpërdrejtë mandatin e votës, por kanë një tjetër mandat që është i një kujdesi të përgjithshëm të memories së kombit. Sigurisht që çdo politikë i merr vendimet e veta dhe do ti kushtojnë për mirë ose për keq në zgjedhjet e ardhshme.

-Në situatën që janë sot artistët jo vetëm në Tiranë por dhe më tej akuzojnë Ministrinë e Kulturës për një sërë problemesh me të cilat ata përballen në jetën artistike, kërkojnë vëmendje, projekte, politika kulturore në ndihmë të aktivitetit artistik. Çfarë mund të na thoni, sa përgjegjësi ka ministria në këtë situatë?

Ministria e Kulturës në një shtet është ajo që merret me jetën kulturore. Ajo që unë do të doja ta them dhe si këshillë publike është se pati një periudhë hendeku disavjeçar në zhvillimin apo mirëmbajtjen e teatrit në Shqipëri. Nga sistemi i kaluar u trashëguan disa teatro që gjithashtu nuk ishin të plotë dhe të saktë në kuptimin organizativ. Ky hendek disa vjeçar e bëri të pamundur vazhdimin e mirëmbajtjes, dhe tani Ministrisë së Kulturës i bie barra që ti rregullojë të gjitha. Por duhet të kemi mirëkuptim dhe në këtë pikë. Ajo që unë mendoj është që nga ministria duhet të bëhet një lloj analize dhe strategjie për riorganizim të plotë të jetës kulturore. Këshilla ime është që gjithmonë më mirë të investohet arti i gjallë. Ne e patëm një rast shumë të keq në Maqedoni nga qeverisja e kaluar. Qeveria atje investoi shumë në kulturë, por në pjesën e statujave, e me radhë. Por ato janë gjëra që nuk gjenerojnë kulturë, dhe sot për këtë ditë është shumë mirë që të investohet dhe në sfera të tjera. Teatri është një nga elementët më të rëndësishëm të jetës kulturore të një vendi. Teatri edhe pse duket se nuk gjeneron të ardhura, megjithatë gjeneron të ardhura, gjeneron debat në shoqëri, ngritje të nivelit. Teatri nuk është e keqja e domosdoshme, por e mira e domosdoshme. Për mua duhet të bëhet një analizë, një strategji nga ministria për ringritjen e të gjitha teatrove që kanë mundësi sigurisht në bashkëpunim dhe me bashkitë e ndryshme. Në çdo vend ka teatro që janë në nivel kombëtar me të cilët merret ministria dhe unë do të thosha që në këtë nivel duhet të jetë teatri i Korçës, Shkodrës, Durrësit, Vlorës dhe Tirana për traditën kulturore, dhe më pas në bashkëpunim mes ministrisë dhe bashkive të bëhen dhe teatro të tjera. Dhe të bëhet një teatër kombëtar, që të jetë respektivisht mbarëkombëtar që do të jetë filtri i fundit i të gjitha aktiviteteve kulturore. Unë si regjisor si gjithmonë mbështes artistët dhe nuk është asnjëherë humbje që të investohet në teatër nga shteti. Problemi ynë është se për artin dhe kulturën, në institucionet tona ka pak investime. Unë mendoj se të gjitha shtetet që janë aspirante për në Unionin Evropian do të përballen në fazën e integrimit me rregulloret evropiane, që për kulturën do të kërkojnë më tepër investime. Sa më parë të bëhen këto ne eksesin në Unionin Evropian do ta kemi dhe më shpejt. Kjo është normë që nëse duam të bëjmë shoqëri me standarde europiane duhet që ti zbatojmë para se ne të bëhemi pjesë e këtyre shoqërive.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 17

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 13:55

Aktori i njohur i skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare,  Neritan Liçaj tregon se është bërë pjesë e këtij profesioni prej rreth 25 vitesh dhe pavarësisht këtij fakti thotë se ende nuk di shumë rreth tij.

Postuar: 21/10/2018 - 07:47

Aktori i njohur italian Michele Placido është shprehur për Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar shem

Postuar: 21/10/2018 - 07:46

Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” prezanton për publikun më shumë se 180 gravura

Postuar: 20/10/2018 - 07:44

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen &

Postuar: 20/10/2018 - 07:42

Më skenar dhe regji nga Gjegj Xhuvani ka mbaruar xhirimi i filmit “Liqeni im”.

Postuar: 20/10/2018 - 07:41

 Orkestra Simfonike e Vlorës vjen me një koncert në teatrin “Petro Marko” me ras