BREAKING NEWS

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen detajet ku do të jetë selia

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen
x

Sport

Superiorja merr vëmendje në Kroaci, pas Kallakut edhe Muçi në “radarët” e klubeve kroate

Superiorja merr vëmendje në Kroaci, pas Kallakut edhe Muçi

Lojtarët e kampionatit shqiptar rrallë arrijnë të luajnë jashtë vendit, pasi atje kërkohet shumë profesionalizëm dhe natyrisht përgatitje e gjithanshme si tekniko-taktike, por edhe fizike. Pra, që një futbollist të luajë në një kampionat elitar ai duhet të jetë shumë i përgatitur. Nga futbolli shqiptar vetëm disa kokrra arrijnë të çajnë jashtë. Këtë sezon të Superiores kanë spikatur disa elementëve tek Teuta, Kukësi, Partizani, Tirana, Skënderbeu dhe Laçi, të cilët do ta kërkojnë një shans jashtë vendit. tek Kukësi është Vasil Shkurtaj e Abazaj, tek Skënderbeu Gripshi, tek Teuta Kallaku apo tek Tirana Muçi. Këta dy të fundit duket se kanë rënë në “rrjetën” e klubeve kroate, pasi ka interesime të dukshme nga klube të njohura të Kroacisë për elementët cilësorë të kampionatit. Rrahmani, Uzuni e ndonjë tjetër kanë dhënë shenja se dinë të përballen si duhet në këtë kampionat dhe kanë lënë emër të mirë, prandaj klubet kroate i dëshirojnë lojtarët e kampionatit shqiptar, duke i marrë për pak lekë e duke i shitur miliona euro. Madje klubi i Lokomotivës së Zagrebit është i “dashuruar” me shqiptarët, përderisa hapur ka kërkuar elementë në Superligën tonë.

Kallaku një tjetër shqiptar në ambiciet e Lokomotivës së Zagrebit

Dinamo e Zagrebit dhe Hajduku i Splitit janë ekipet më të njohura kroate, por ka dhe të tjera si Lokomotiva, Osijeku, NK Zagreb etj, që kanë pasur në gjirin e tyre lojtarë shqiptarë dhe e vërteta është se shqiptarët kanë shpalosur cilësi atje. Por pranohet gjerësisht se Lokomotiva e Zagrebit është e “dashuruar” me shqiptarët. Kështu shkruajnë të gjithë portalet sportive që u referohen lëvizjeve të fundit të klubit kroat. Skuadra e cila sapo e mbylli në vendin e dytë kampionatin kroat duke siguruar një vend në kualifikueset e Champions League dhe që në ekip kishte 5 shqiptarë është hedhur në sulm për shërbimet e Sherif Kallakut. Burime të sigurta konfirmojnë se drejtuesit e klubit nga kryeqyteti i Kroacisë kanë nisur zyrtarisht bisedimet me presidencën e Teutës për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit. Numri 10 i “djemve të detit” po mbyll sezonin më të mirë në karrierë ku ka realizuar 14 gola në kampionat dhe 2 gola në Kupën e Shqipërisë. Interes për futbollistin kanë shfaqur edhe 3 klube të tjerë, ndër to edhe polakët e Slask, por së fundmi është Lokomotiva e Zagrebit që është afruar ndjeshëm. Klubit kroat i ka ecur mbarë me shqiptarët dhe pasi shiti kartonin e Myrto Uzunit tek Ferencvarosh për 1.8 mln euro plus bonuse teksa më herët përfitoi 2 mln euro për transferimin e Lirim Kastratit tek Dinamo Zagreb, kërkon që të njëjtën rrugë të ndjekë edhe me Kallakun. Për momentin ende nuk është gjendur akordi përfundimtar, por mund të jetë çështje ditësh.

“Ish”-i i Tiranës firmos në Kroaci, bardheblutë mbushin arkën

Nuk janë vetëm lojtarët me etni shqiptare që pëlqehen në kampionatin kroat, por edhe futbollistët e huaj që kanë pasur një të shkuar tek klubet tona, lojtarë kryesisht nga Afrika. Kështu, së fundmi mësojmë se Tirana ka marrë një lajm shumë të mirë sa i përket merkatos. Në fakt, nuk bëhet fjalë për shitjen apo blerje të një elementi shumë cilësor, por për përfitimin që vjen nga një marrëveshje e mirëmenduar tri vite më parë. Merveille Ndockyt, i cili i shit nga Tirana te Getafe në vitin 2017 për 400 mijë euro, plus ruajtjen e 20% të kartonit, tashmë është zyrtarisht pjesë e Osijekut në Kroaci. Klubi kroat e kishte marrë nga Getafe në huazim me të drejtë blerjeje. Këtë të hënë Osijeku ka njoftuar blerjen përfundimtare të sulmuesit anësor për 550 mijë euro, sikurse parashikohej në kontratë. Për rrjedhojë Osijeku 110 mijë euro duhet t’i derdhë në arkat e klubit bardheblu, që korrespondon me 20% të kartonit.