BREAKING NEWS

Prokurorë të huaj zbarkojnë në SPAK me ligj, ndërkombëtarët marrin në patronazh gjurmimin e parave të korrupsionit dhe burgosjen e politikanëve

Prokurorë të huaj zbarkojnë në SPAK me ligj,
x

Kultura

Teatri “Aleksandër Moisiu” në 68 vjetor, artistët: Ta ngremë spektatorin në nivelin e shijeve dhe në nivelin e skenës

Teatri “Aleksandër Moisiu” në 68 vjetor, artistët: Ta

Teatri “Aleksandër Moisisu” në Durrës është hapur zyrtarisht, në 11 janar të vitit 1953. Një nga institucionet e rëndësishme kulturore në vendin tonë, ku historia e teatrit është e ndërtuar nga puna e jashtëzakonshme e një sërë personalitetesh individuale: aktorësh, regjisorësh, dramaturgësh, skenografësh, kompozitorësh e po aq dhe e një stafi të tërë teknik. Në këtë 68- vjetor të teatrit, kujtohen me mirënjohje të gjithë brezat që kanë ndihmuar në themelimin dhe krijimin e historisë së këtij institucioni. Përmes një video në materialet e teatrit, aktori i njohur Lutfi Hoxha në urimin e tij shprehet, që sa më shpejt artistët të jenë në skenë. “Përfitoj nga rasti të uroj me gjithë zemër përvjetorin e teatrit “Aleksandër Moisiu” në 68- vjetorin e tij, çdo të mirë. Pasi të kalojë kjo e flamë sëmundje e përbotshme që na ndau përkohësisht, sigurisht në këtë kolektiv të ri, lum ne e lum ju bashkë me ne që të rishihemi së bashku si një familje në sallë. Mirë se të vini në teatër ku të na jepni mundësi neve për ju dhe ju për ne”, thotë aktori në videon që ka publikuar teatri, një mesazh që i drejtohet dhe artistëve aktualë të trupës artistike. Aktori i njohur Guljelm Radoja në këtë përvjetor të krijimit të teatrit kujton gjithë kolegët e tij, që nuk janë më, por në mesazhin e tij uron dhe kolegët e tij që janë sot aktiv në këtë teatër. “Profesori im na e përmendte vazhdimisht në leksione, që misioni i teatrit është të ngrejë platendën në nivelin e skenës dhe fatkeqësia e teatrit është nëse ne do të zbresim në nivelin e platendës. Uroj nga zemra si profesionist i vjetër që jam të zhbëhet kjo diskordancë që ndodh. Fatkeqësisht ne zbritëm në nivelin e platendës. Ky brezi i ri me këto kërkesa që ka, uroj ne ta ngremë spektatorin në nivelin e shijeve, ta ngremë në nivelin e skenës. Uroj që ky teatër të mos vdesë, uroj që ky teatër gjithmonë të ushqehet në këtë brez të ri, që unë e shoh që punon. Uroj dhe gjitha të mirat”, thotë ai. Regjisori dhe autori i njohur Haxhi Rana pohon se teatri është vendi ku ecet, në majë të gishtave. “Së pari për të respektuar artistët që interpretojnë, së dyti për të mos shqetësuar spektatorët që dëgjojnë dhe së treti sepse teatri është një vend i shenjtë dhe në një vend të shenjtë ecet në majë të gishtave. Në 68- vjetorin e teatrit “Aleksandër Moisiu” , unë uroj “tungjatjeta tempulli im””, shprehet në mesazhin e tij regjisori i njohur.

Teatri në përvjetor

Teatri shkruan se për shkak të disa pamundësive fizike apo dhe gjeografike, nuk mundën në këtë urim me video të kishin disa zëra femërorë. “Ndaj e ndjejmë të nevojshëm që ky përvjetor t'u kushtohet të gjitha vajzave dhe grave aktore që kanë ndihmuar për të bërë historinë e teatrit "Aleksandër Moisiu”. Falenderim e mirënjohje për: Semiha Ishmi, Bernardina Qerraxhia, Ferial Alibali, Terezina Dema, Meropi Xhoja, Aishe Stari, Drita Nikolla, Vera Urumi, Marta Burda, Rexhina Shiroka, Drita Nikolla, Filika Ujka, Ëngjëllushe Xhixho, Donika Barçi, Liri Lushi, Sanie Hoti, Elda Muho, Merita Xhani, Lumturi Dashi, Violeta Dede, Dardana Berdyna, Katerina Kotte e shumë e shumë të tjera. Jetë të gjatë teatrit!”, shprehet institucioni. Në këtë përvjetor të teatrit mbrëmë u shfaq online një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, ajo me titull “Ëndrra e një nate vere” me regji nga Driada Dervishi. Një produksion i vitit 2013 nga trupa e aktorëve të teatrit "Aleksandër Moisiu" me pjesëmarrjen e veçantë të Aishe Starit, Lutfi Hoxhës dhe Hysen Bashhysës, nën regjinë e Driada Dervishit. Në role Roland Koça, Mimoza Marjanaku, Adelina Muça, Andia Xhunga, Ervin Doko, Besmir Bitraku, Eralda Çaushi, Xhejni Fama, Gjergj Doçi, Marsel Rupi e Muharrem Asllani. Kostumet nga Keidi Sejdiu. Shfaqja e parë e këtij teatri ka qenë komedia "Vajza nga fshati" e shkrimtarit Fatmir Gjata, vënë në skenë nga regjisori Pandi Stillu në 11 janar të vitit 1953. Regjisorët Panajot Kolo, Sokrat Mio, Misto Zoto, Kadri Pirro, Haxhi Rama, Mario Ashiku, Kujtim Spahivogli, Serafin Fanku, Enver Plaku, Driada Dervishi, etj, kanë sjellë ndër vite në skenën e teatrit “A. Moisiu” drama dhe komedi mjaft të dashura për publikun.