Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Kultura

Teatri i Operës dhe Baletit me tre shfaqje mbyll sezonin artistik online, Eva Golemi: Shërbeu të mbanim gjallë jetën artistike

Teatri i Operës dhe Baletit me tre shfaqje mbyll sezonin artistik online,

Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me tre shfaqje nga trupat artistike mbylli sezonin artistik online “Opera me pizhama”. Një program artistik, që u përgatit në kushte e pandemisë dhe prej disa muajsh artistët vijuan me prezantime artistike online për artdashësit. Mbrëmja e fundit e sezonit artistik online “Opera me pizhama”  ishte me tre trupa artistike dhe me tre orë program muzikor. Programi artistik nisi me performancat e orkestrës së harqeve dhe solistëve të vokalit të Teatrit të Operës dhe Baletit, për të vijuar me solistët e trupës së baletit dhe për ta mbyllur me orkestrën, trupën e valleve dhe solistët e Ansamblit Popullor. Drejtoresha e TOBAP Zana Çela më herët u shpreh se publiku i ka ndjekur artistët këto muaj të vështirë, duke i mbështetur në këtë sezon artistik online, që u zhvillua këtë kohë. Por dhe sopranoja e njohur Eva Golemi thotë se gjatë kësaj kohe artistët janë bërë bashkë për të përcjellë një program të realizuar sa më mirë në kushtet, që ata punonin nga shtëpitë. Sopranoja Eva Golemi ka qenë ndër artistet aktive gjatë kësaj kohe me performancat e saj dhe shprehet se mezi pret, që të rikthehet sërish në skenë para publikut. “Ky sezon online shërbeu se mbajtëm jetën artistike gjallë. Kishim publik që na ndiqte online nëpërmjet YouTube dhe Facebook. Ishte maksimumi, që mund të bënim në këto kushte. Shpresojmë në një hapje të shpejtë dhe të suksesshme të sezonit artistik. Mezi pres të përballem me publikun pas kësaj periudhe tejet stresuese e të vështirë për të gjithë ne artistët. Unë kam qenë e pranishme që në mars dhe nuk kam munguar në asnjë propozim online. Pasi pasioni është tepër i madh dhe më mungon publiku”, thotë sopranoja Eva Golemi, një nga zërat më të vlerësuar të skenës sonë për rolet e saj në shfaqjet e operës.

Program në ditë izolimi

Gjatë ditëve të izolimit shumë nga artistët vijuan punën e tyre, sigurisht në kushte jo shumë të favorshme, por megjithatë ata morën iniciativa të ndryshme për të qenë pranë publikut edhe online. Teatri i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor prej datës 11 prill vijoi me sezonin artistik online “Opera me pizhama”. Ky program erdhi me opera, balete, koncerte, performanca soul nga artistët e trupave artistike, ku shfaqjet e fundit ishin më datë 8 gusht. Teatri i Operës dhe Baletit shprehej më herët se ky kalendar artistik bëri të mundur, që programi artistik me artistët të ndiqej dhe nga shtëpitë përmes rrjeteve sociale. “ Ndiq “Opera me pizhama” është kalendari online i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i cili u krijua në gjendjen e izolimit si pasojë e pandemisë botërore të shkaktuar nga Covid- 19. Duke dashur që fanatikët e operës të mos na mungojnë për asnjë moment të vetëm, krijuam këtë kalendar online i cili do të përfshijë opera, balet, koncerte dhe shfaqje shpirti nga të gjitha grupet TKOBAP, të gjitha këto mund t’i shikoni në komoditetin e shtëpisë tuaj pa u shqetësuar për kostum apo fustanin që do të vishni. Të gjitha shfaqjet transmetohen në faqen e YouTube të TKOBAP dhe do të gjeni linqet përkatëse në faqen e internetit, dhe faqet tona në Facebook dhe Instagram”, lajmëronte muaj më parë institucioni. Gjatë këtyre muajve nga institucioni janë shfaqur jo vetëm programe artistike, që janë xhiruar dhe nga shtëpitë, por dhe shfaqje të operës dhe baleti që janë zhvilluar më parë në skena. Po ashtu nuk kanë munguar në këtë program artistik në kohë pandemie edhe koncertet, që janë bërë më parë nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Për shkak të pandemisë aktivitetet në skenat tona u ndërprenë në jetën artistike, duke lënë pa zhvilluar dhe projektet e premierave të ndryshme në institucione.