BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Teatri i Operës dhe Baletit: Pjetër Gaci, gjithë jetën e tij ia dedikoi muzikës

Teatri i Operës dhe Baletit: Pjetër Gaci, gjithë jetën e tij

Pjetër Gaci “Artist i Popullit” është një nga emrat e mëdhenj të muzikës sonë. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit nga krijimtaria e Pjetër Gacit solli në 90- vjetorin e lindjes së tij (27 mars 1931) disa foto nga operat “Përtej mjergullës” (1971) dhe “Toka jonë”(1981). TKOB shprehet se Pjetër Gaci lëvroi pothuajse të gjitha zhanret e muzikës. “Pjetër Gaci është një nga emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare. Mjeshtri që hodhi bazat e krijimtarisë muzikore për violinë dhe orkestër dhe gjithë jetën e tij ia dedikoi muzikës. Vepra e tij krijuese është një gur i çmuar në historinë e muzikës shqiptare. Ai lëvroi pothuajse të gjitha zhanret e muzikës duke krijuar vepra të mrekullueshme. Shkroi vepra simfonike, kantata, opera, muzikë skenike (tabllo koreografike), romanca, muzikë filmash, këngë të lehta, këngë popullore, këngë për fëmijë. Shkroi muzikë instrumentale ku spikasin koncertet për violinë e orkestër, të cilat jo vetëm i interpretoi vetë, por janë të përhershme edhe sot në repertorin e orkestrave tona”, shprehet Tetari Kombëtar i Operës dhe Baletit, duke shtuar që për kontributin e tij në fushën e krijimtarisë dhe interpretimit është nderuar me çmime e urdhra të ndryshëm, dhe në vitin 1989 me titullin e lartë “Artist i Popullit". Pjetër Gaci, (27 mars, 1931 - 27 mars, 1995), ishte kompozitor shkodran, violinist dhe pedagog i muzikës klasike. Ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”. Pjetër Gaci u lind në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës më 27 mars të 1931. Në Shkodër kreu arsimin fillor. Studimet për violinë i nisi në Liceun Artistik "J. Misja", në vitet 1948-1952, për t'i vazhduar në Konservatorin e Moskës “P. I. Çajkovski” në të cilin edhe u diplomua në pranverë të vitit 1967. Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u përkujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike "Prenk Jakova" të këtij qyteti. Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptarë, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956).