BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Kultura

Teatri Kombëtar, dy mbrëmje kushtuar gjenive të skenës Naim Frashëri dhe Aleksandër Moisiu

Teatri Kombëtar, dy mbrëmje kushtuar gjenive të skenës Naim

Teatri Kombëtar këtë javë vjen me programin artistik kushtuar dy gjenive të skenës. Mbrëmja e së enjtes iu dedikua aktorit Naim Frashëri, ndërsa mbrëmja e së premtes i kushtohet aktorit Aleksandër Moisiu. Institucioni shprehet se janë mbrëmje që nuk duhen humbur, ku së bashku me interpretimin e këtyre kolosëve të skenës janë edhe aktorët e Teatrit Kombëtar, në një takim mes historikes dhe bashkëkohores. Mbrëmja e së enjtes kishte në program Naim Frashëri - poezi nga Marika Kallamata, Lule për mik - poezi nga Azem Shkreli, Shënime nga Sergej Jutkeviç, Kol Jakova, Eglantina Kume, Esat Oktrova, Sandër Prosi. Interpretimet e Naim Frashërit tek filmat “Skënderbeu”, “Ngadhnim mbi vdekjen” nga shfaqja “Familja e peshkatarit”. Po ashtu pjesë e programit ishte dhe interpretimi i jashtëzakonshëm i “Hamleti - Të rrosh a të mos rrosh “, “Bagëti dhe bujqësi” interpretuar nga Dritan Boriçi, Elia Zaharia Zogu, Genti Deçka dhe Donald Shehu dhe studentët e Universitetit Europian të Tiranës Glejvis Lleshaj, Kristiana Nushi. Në vijim të këtij programi online, Teatri Kombëtar shprehet me falënderime edhe për “Klubin e autorit tonë të madh Naim Frashëri” për këtë bashkëpunim artistik. Mbrëmja nisi në orën 19:00 dhe programi vijoi online në faqen Facebook të Teatrit Kombëtar, si dhe në kanalin YouTube të institucionit. Naim Frashëri lindi në Leskovik më 15 gusht të vitit 1923 dhe vdiq më 18 shkurt të vitit 1975, ishte aktor i njohur shqiptar. Karrierën profesionale si aktor e filloi në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin i lindi që në 1942. Naim Frashëri do të luante me sukses një sërë rolesh kryesore e të suksesshme. Valeri në "Tartufi", Smithi në "Çështja ruse", Gjoni "Trimi i mirë me shokë shumë", Selimi "Familja e peshkatarit", gjenerali "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", Leka "Përkolgjinajt", Nikolla "Armiqtë", Sasha Ribakov "Orët e Kremlinit", Lubeni "Proçesi i Lajpcigut", Ferdinandi "Intrigë dhe dashuri", Hauardi "Rrënjët e thella”, Hamleti "Hamleti”, Jonuz Bruga "Familja e Peshkatarit". Për fat të keq roli i Jonuzit ishte i 80 dhe i fundit i tij. Ka interpretuar 8 role ne filma artistikë. Naim Frashëri është nderuar me shumë tituj dhe çmime të ndryshme. Mbetet nga ikonat e teatrit shqiptar, si dhe mban titullin "Artist i Popullit".

 Aktiviteti artistik ndër vite

Këtë mbrëmje në programin artistik të Teatrit Kombëtar janë interpretimet e Aleksandër Moisiut, që vijnë me “Në hënë”- Goethe, “Balsazar, “Mbreti Erik”, “Era e nëntorit”, “Hamleti - Të rrosh apo të mos rrosh”, “Prometeu”- Goethe. Për të vijuar me Aleksandër Moisiu - poezi nga Halil Qëndro, debutimi im në Teatrin Kombëtar Austriak kujtim nga Aleksandër Moisiu, Kainc- monolog nga drama "Hero i skenës, fantazma e dashurisë", “Një vajzë” tregim nga Aleksandër Moisiu si dhe Urimi i Moisiut për djalërinë shqiptare. Po ashtu janë dhe foto dhe artifakte të rralla nga ekspozita mbi Moisiun e studiuesit Pjetër Logoreci, ku Teatri Kombëtar shpreh falenderimin për këtë bashkëpunim. Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste dhe vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë, ishte aktor austriak me origjinë shqiptare. Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”. Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Lufta e Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë. Moisiu sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit.