BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

Teatri Kombëtar: “Njeriu që pa vdekjen me sy”, një komedi brilante me në role emra të mëdhenj të skenës shqiptare

Teatri Kombëtar: “Njeriu që pa vdekjen me sy”, një

Komedia “Njeriu që pa vdekjen me sy” ishte në rubrikën “Nostalgjia e teatrit”, nga Teatri Kombëtar. TK në vijim të aktivitetit artistik që po zhvillon online, vazhdon edhe me rubrikën “Nostalgjia e teatrit”. Teatri Kombëtar publikon materiale për vepra të ndryshme që janë vënë dekada më parë në skenën e tij. Një prej tyre është dhe komedia e autorit Viktor Eftimiu “Njeriu që pa vdekjen me sy”, që erdhi dekada më parë për spektatorët me regji nga Sandër Prosi. “Të dashur miq, rikujtojmë së bashku shfaqjen “Njeriu që pa vdekjen me sy”, një kryevepër e Viktor Eftimiut, me regji të Sandër Prosit. “Njeriu që pa vdekjen me sy”, premierë më 22 janar të 1974”, shkruan Teatri Kombëtar për këtë shfaqje teatrore, që erdhi në skenë dekada më parë. Një shfaqje që u mirëprit nga publiku dhe Teatri Kombëtar shkruan se u shfaq në skenë për publikun 47 herë. “Ishte një komedi brilante, e cila u shfaq 47 herë në Teatrin Kombëtar dhe u ndoq nga rreth 18.535 spektatorë. Në këtë shfaqje interpretuan emra të mëdhenj të skenës shqiptare si: Robert Ndrenika, Fitnete Tiço, Fatos Haxhiraj, Drita Haxhiraj, Ilia Shyti, Roland Trebicka, Pandi Siku. Piktor Niko Progri”, shprehet Teatri Kombëtar. Ngjarjet në vepër zhvillohen në një qytet. Dy burra dhe një post kryetari. Një vajzë dhe një djalë në kërkim të kurorëzimit të dashurisë së tyre. Një grua me qëllimin e vetëm për të jetuar në kryeqytet, dhe një vagabond. Të mbetur pezull prej kohësh dhe në kërkim të një ndryshimi, por monotonia po i mbyt. Një ditë duket sikur dikush i dëgjon thirrjet dhe lutjet e tyre: Aleksandër Filimon shpëton një njeri,vagabondin. Me hyrjen e personazhit tonë futen dhe një sërë situatash nga ato më komiket e më të pa imagjinuara.

Jeta e autorit

Viktor Eftimiu (1889 - 1972) është shkrimtar i përmasave të mëdha, si poet me 60 mijë vargje të botuara, prozator me disa romane e vëllime me tregime, dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë, eseist, etj. Viktor Eftimiu shkroi në gjuhën rumune, botoi dhe i vuri në skenë veprat e tij në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa syresh u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë. Veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë edhe në kryeqytete të tjera të Evropës e më gjerë. Viktor Eftimiu nga Boboshtica e Korçës, që u bë figurë e rëndësishme e kulturës rumune, është edhe më tepër se përfaqësues i kulturës rumune dhe shqiptare. Fama e tij është mbarë evropiane, prandaj shqiptarë e rumunë kanë të drejtë të krenohen me emrin e tij. Më 27 nëntor 1972, në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, një nga qendrat më të njohura të veprimtarisë atdhetare, politike, shoqërore e kulturore të shqiptarëve në të kaluarën, ndërroi jetë shkrimtari i madh rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu, i cili prej vitit 1905, kur botoi vjershën e parë, e deri në vdekje, shkroi më shumë se 120 vepra të ndryshme, duke e pasuruar letërsinë rumune dhe atë të përbotshme me vepra të një niveli të lartë artistik. Për ndihmesën shumë të madhe e të çmueshme që i ka dhënë letërsisë rumune, Viktor Eftimiu është nderuar me tituj të lartë, si akademik, kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, ka qenë anëtar nderi i disa akademive evropiane dhe ka qenë shkrimtari i vetëm në Rumani, të cilit i është ngritur busti në të gjallë të tij.