BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Kultura

Teatri Kombëtar program me krijimtarinë e Pëllumb Kullës, vjen dhe komedia “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”

Teatri Kombëtar program me krijimtarinë e Pëllumb Kullës,

 Teatri Kombëtar vjen këtë javë me program krijimtarinë e autorit të njohur Pëllumb Kulla. Është java e pestë që Teatri Kombëtar po vijon programin artistik me aktorët, që prezantohet online për publikun dhe këtë herë është zgjedhur krijimtaria e autorit Pëllumb Kulla. Mbrëmja e së enjtes datë 7 maj sjell aktorët Indrit Çobani, Flaura Kureta, Niada Saliasi, Laert Vasili dhe Genti Deçka me “Pëllumb Kulla-Nëpër shkrime, nëpër vite”, që do të jetë në orën 19:00 në Facebook dhe në kanalin Youtube të teatrit. Këtë javë të pestë të këtij programi artistik, mbrëmja e së premtes do të vijojë me "Pëllumb Kulla - Një autor, një jetë në gjah", ku do të interpretojnë Pëllumb Kulla dhe Xhuljeta Kulla. Ndërsa mbrëmja e së shtunës vijon me komedinë e njohur “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë" shkruar nga autori Pëllumb Kulla, vepër teatrore e vitit 1989. Kjo komedi ka një shënuar një sukses në krijimtarinë e autorit Pëllumb Kulla. Komedia është shpallur fituese e 9 çmimeve në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesionistë. Komedia shqiptare “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë” është një bashkëpunim i regjisorit të Teatrit Kombëtar Spiro Duni dhe teatrit “Skampa” të Elbasanit. Në vijim të programit të fundjavës në Teatrin Kombëtar do të jetë dhe “Anatomia e aktorit në karantinë”, me aktorin e njohur Lulzim Zeqja. Shfaqjet online vazhdojnë të jenë nga institucionet gjatë kësaj kohe, ku artistët po punojnë nga shtëpitë e tyre duke xhiruar dhe prezantohen para publikut me një krijimtari të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Sa i takon komedisë që do të sjellë Teatri Kombëtar “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”, ajo u luaj në skenë nga aktorët e teatrit “Skampa" si Astrit Çerma, Veronika Papa, Zef Mosi, Zamira Begolli, Hysen Biza, Naim Teqja, Piro Kita, Sokol Bace, Shpëtim Shemili, Arben Mata etj.

Krijimtaria dhe vlerësimi ndër vite

Pëllumb Kulla përfundoi arsimin e mesëm në degën mekanike të Politeknikumit "7 nëntori"(1957) dhe studimet e larta i kreu në Shkollën e Lartë Teatrale "Aleksandër Moisiu" më 1964. U emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të teatrit të atij qyteti. Më 1972 emërohet aktor në teatrin e Fierit, me pas regjisor dhe punoi aty 18 vjet, si regjisor i estradës dhe teatrit. Nën drejtimin e Kullës, estrada e Fierit është më e mira në vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët "Çobo Rrapushi me shokë" (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë. Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në televizion. Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga shtëpia botuese "Naim Frashëri" nën titujt "Lipe Shtogu në listë" (1979), "Shoku Niqifor" (1981), "Portrete pa makiazh" (1983), "Po martojmë Malon" (1984), "Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç" (1988), si edhe në buletinin "Teatër". Më të plotë letërsinë e tij për skenën e gjejmë në pesë vëllime, në një botim të financuar nga bashkia e qytetit të Fierit, me titullin "Teatri kjo lojë magjepsëse". Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri. Më 1987 i jepet çmimi "Naim Frashëri" i Klasit të Dytë. Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen "Shoku Niqifor", "Dy krismat në Paris", "E bukur shtëpi e vjetër". Në vitet '80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë "Telat për violinë" dhe "Stolat në park" pa llogaritur pastaj angazhimin si autor dhe regjisor i skenarëve me metrazh të mesëm televiziv, në televizionin shtetëror. Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Është vlerësuar me titullin "Nderi i Qarkut" Fier në 2005 dhe me dekret të presidentit Alfred Moisiu i është akorduar titulli "Mjeshtër i Madh" në 3 dhjetor 2003.