Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Teatri Metropol sjell dramën “Loja e mbasdrekës”, me ngjarje që zhvillohen në malësinë e Dukagjinit

Teatri Metropol sjell dramën “Loja e mbasdrekës”, me

Teatri Metropol nxjerr nga arkivat dhe sjell për herë të parë si premierë online dramën “Loja e mbasdrekës”, një produksion i festivalit “MetroFest”. Drama e shkruar nga Martin Camaj me regji nga Shkëlzen Berisha do të jetë për publikun nga mbrëmja e së enjtes deri të dielën në Facebook dhe në kanalin e institucionit në YoyTube. Për këtë vepër më herët studiuesi Behar Gjoka është shprehur se publiku do të njohë një tjetër dimension të gjakmarrjes. “Drama e Camajt, është nder për teatrin, nder për artistët, nder për publikun, të cilët do të njohin një dimension tjetër të gjakmarrjes”, pohon studiuesi Gjoka. “Loja e mbasdrekës” me autor Martin Camaj dhe regji nga Shkëlzen Berisha luhet nga aktorë të njohur të teatrit si dhe të rinj. Rolet në vepër interpretohen nga aktorët Mehmet Xhelili, Ema Vogli, Julinda Emiri, Ketjona Pecnikaj, Engjëll Hoxha, Shkëlzen Berisha, Besmir Bitraku dhe Ergys Bamçi. Drama “Loja e mbasdrekës” e autorit Martin Camaj ka në qendër të saj një fenomenin e  gjakmarrjes. Në materialin e teatrit, thuhet se vepra është shkruar në vitin 1981, dhe është botuar në vitin 1995. Ngjarjet në veprën “Loja e Mbasdrekës” zhvillohen në një fshat të malësisë së Dukagjinit, duke nxitur ndjesinë e lartësisë që vjen prej klimës së alpeve. “Loja” përdoret me mjeshtri në këtë shfaqje si nocion që e vendos njeriun mes “sajimit” dhe “së vërtetës”. E konsideruar nga regjisori jo vetëm si proces krijues, por si proces kulturimi e zgjerimi të dijeve gjuhësore, historike e sociale, puna  për realizimin e kësaj shfaqjeje ka qenë një rrugëtim mjaft i fuqishëm dhe nxitës, që ngre pyetje që çojnë në një hapësirë të re thellimi e jo që gjen dhe jep përgjigje statike: Çfarë është drejtësia? Çfarë është padrejtësia? Cila vijë i ndan këto të dyja e si gjendet individi dhe subjektiviteti i tij mes këtyre rrjedhave kur hapësirat e ligjit të shkruar dhe ligjit zakonor thërrasin për interpretim? Kostumografia në veprën që do të shfaqjet nga e enjtja deri të dielën në orën 19:00 është realizuar nga Ina Elezi dhe skenografia nga Hysni Loka. “Metro Fest” është një festival i dramës shqipe zhvilluar në teatrin e Metropolit.

Aktiviteti i Camajt

Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik të vitit 1925, vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih. Ishte shkrimtar dhe albanolog, një figurë e madhe e letrave dhe pedagogjisë shqipe. Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit mori edukatë klasike dhe më tej studioi në Beograd, ku studioi romanistikën, por mori mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më për së afërmi me botën arbëreshe. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Në Munih, ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në vdekje. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër pas të cilit mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.