BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

Teatri “Migjeni” me dramën “Jugori”, në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu on”

Teatri “Migjeni” me dramën “Jugori”, në

Teatri “Migjeni” i Shkodrës merr pjesë me shfaqjen teatrore “Jugori”, në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu on”, që nis me datë 23 shkurt. Artistët e teatrit “Migjeni” do të jenë në datën 2 mars, me shfaqjen teatrore “Jugori”. Drama e autorit gjerman Rainer Werner Fassbinder është shkruar në vitin 1968 dhe në skenën e teatrit në vendin tonë është me regji nga regjisori i njohur Dino Mustafiç. Festivali zhvillohet online në një kohë të vështirë pandemie, ku do të jenë në konkurrim shfaqje të ndryshme teatrore jo vetëm nga institucionet e teatrit, por dhe nga skena e pavarur. Përmes një videomesazhi, Rita Gjeka drejtoreshë e teatrit “Migjeni” gjithashtu dhe aktore e kësaj trupe artistike, mes të tjerave shprehet se festivali që po zhvillohet ka rëndësi, pasi spektatori ka një vit që mungon në skena. “Ndihem mirë që në këtë kohë të vështirë pandemie teatri “Migjeni” do të marrë pjesë në konkursin mbarëkombëtar të teatrove “Moisiu on”, për të qëndruar sa më afër spektatorit, që tashmë ka një vit që na mungon. Teatri “Migjeni” do të marrë pjesë në këtë festival me shfaqjen e autorit të madh Fassbinder, me regji të Dino Mustafiç. I uroj rrugëtim të mbarë këtij festivali me shpresën, që festivali tjetër të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar”, thotë Gjeka në mesazhin e saj. Teatri “Migjeni” i Shkodrës merr pjesë me shfaqjen “Jugori”, por drejtoresha Rita Gjeka uron që kjo shfaqje të pëlqehet nga publiku mbarëkombëtar ashtu si e ka pëlqyer edhe ai shkodran kur vepra ishte në skenë. “Kjo shfaqje merret me ksenofobinë dhe mënyrën se si ajo lind, gjithashtu se si nga steriotipi lind paragjykimi, nga frika lind urrejtja dhe nga urrejtja lind dhuna. Unë uroj që shfaqja jonë të pëlqehet nga spektatori mbarëkombëtar ashtu siç është pëlqyer nga spektatori shkodran”, thotë drejtoresha Rita Gjeka.

Në qendër të dramës

Në qendër të dramës së autorit gjerman Fassbinder, të shkruar në vitin 1968, është një refugjat. Vepra ka në qendër të saj diskriminimin, si një nga fenomenet me të cilat po përballet Europa në ditët e sotme. Vepra i vendos ngjarjet në Gjermani dhe në tërësinë e saj e tregon diskriminimin jo vetëm për arsye të individëve me kombësi të huaj, por dhe për arsye të besimit fetar, individualiteteve të ndryshme kulturore. Kjo vepër teatrore erdhi në skenën e teatrit “Migjerni” në dhjetor të 2018. Në dramën “Jugori” luajnë Tristan Halilaj, Rita Gjeka, Jozef Shiroka, Krist Lleshi, Merita Smaja, Pjerin Vlashi, Linda Jarani, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Nancy Bakalli, Oliver Ymeri. Asistent regjisore në dramë është Melisa Becovic, skenograf Sadik Spahija, koreografia Gjergj Prevazi dhe kostumografe Merita Spahija. Përkthyese Nancy Bakalli, kompozitor Zef Çoba. Për koreografin Gjergj Prevazi ky bashkëpunim me regjisorin Dino Mustafiç vjen në vijim dhe të veprave të tjera, që janë vënë në skena të ndryshme në Shqipëri, por dhe në shtete të tjera. I lindur në Bosnje, Dino Mustafiç, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vitesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë ai solli një nga veprat më të vështira të Peter Shaffer “Equus”, që autori e shkroi në vitin 1973. Po në Tiranë ai solli në skenë edhe shfaqjen “Mamaja dhe fëmijë” shkruar nga Jon Fosse. Por edhe më herët regjisori Mustafiç ka bashkëpunuar dhe me teatro të tjerë shqiptare. Me Teatrin Shqiptar në Shkup ka ngjitur në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka ngjitur në skenë veprën teatrore “Rock’N’Roll”. Po ashtu, sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup, ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. Në aktivitetin e tij, regjisori Dino Mustafiç me teatrin e Shkodrës solli premierën teatrore “Jugori”.