Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Teatri “Migjeni” në harresë, artistët: Shteti të ndërhyjë, ka akoma karrige 60 vjeçare

Postuar: 06/11/2019 - 07:26

Teatri “Migjeni” në Shkodër, një institucion kulturor ku prej dekadash në skenën e tij janë ngjitur aktorë të njohur. Shfaqje të ndryshme teatrore mbajnë emrin e regjisorëve të njohur shqiptarë, që kanë dhënë një kontribut të madh në jetën artistike. Teatri “Migjeni” u nderua së fundmi me titullin “Nderi i Kombit”, në 70-vjetorin e themelimit të tij si teatër profesionist. Por për teatrin pak është bërë ndër vite nga shteti. Godina e tij kërkon një ndërhyrje për të qenë me standardet e kohës. Një fazë punimesh u bë disa vite më parë, por për fazën e dytë ende nuk është bërë gjë. Të gjendur në këtë situatë, artistë të teatrit shprehen se jeta artistike vazhdon, suksesi me shfaqjet nuk ka munguar, por nga shteti duhet bërë më shumë për këtë teatër. Sipas tyre, deri tani Bashkia e Shkdorës ka bërë sa ka mundur, por ndërhyrjen e plotë duhet ta ketë dhe me ndihmë nga shteti. Drejtoreshë e teatrit, aktorja Rita Gjeka “Mjeshtre e Madhe”, pohon se punimet nuk mund ti bëjë vetëm bashkia. “Çfarë t’i themi më ne Ministrisë së Kulturës? Unë kam folur jo pak. Rikonstruksionin e teatrit nuk e bën dot vetëm bashkia, por dhe te qeveria unë nuk kam shumë besim t’ju them të drejtën. Uroj të gjendet ndonjë fond ndërkombëtar për rikonstruksionin e teatrit “Migjeni”. Bashkia e Shkodrës po bën hapa të vogla dhe ne rregullojmë çdo ditë gjëra të vogla në teatrin tonë, por thjesht mirëmbajnë, kurse gjërat fondamentale nuk i bën dot”, tregon drejtoresha Rita Gjeka. Teatri i “Shkodrës” është në pritje të një faze tjetër punimesh, por brenda tij ka jo pak probleme në godinë. Sipas drejtoreshës Rita Gjeka, problemet janë jo vetëm me karriget e ndriçimin, por dhe foninë etj. “Ne kemi karrige në teatër 60- vjeçare. Në teatër ka nevojë për karrige të reja, për sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes, teatri kërkon më tepër ndriçim, kërkon foninë më të mirë. Ne me paratë e bashkisë jemi munduar pak nga pak për të plotësuar foninë. Nuk është e denjë ajo foni. Ne jemi një teatër, që meritojmë një foni të mirë. Jemi një teatër, që meritojmë një ndriçim të mirë, karrige të mira, etj. Jo se mbesin bosh karriget tona, por meritojmë më të mira”, shton më tej drejtoresha e teatrit të Shkodrës.

Të ruhen vlerat e teatrit

Jeta artistike vazhdon me premiera, por sipas drejtoreshës së teatrit Rita Gjeka, shteti duhet të kthejë vështrimin nga ky institucion. “Faza e parë e rikonstruksionit ka qenë në vitin 2016 dhe nga 2017 duhej të niste e dyta, por asgjë nuk u bë. Teatri “Migjeni” është monument kulture, godinën e ka bërë gjyshi i ministres aktuale të Kulturës. Një shtet normal duhet ta kthejë vështrimin nga teatri “Migjeni””, pohon drejtoresha Gjeka. Titulli “Nderi i Kombit”, por në reagimin e saj drejtoresha e teatrit shprehet se në 70 -vjetor munguan përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, edhe pse ftesa drejt tyre ishte nisur më parë. “Ministrisë së Kulturës i kemi çuar ftesë për të ardhur në 70- vjetorin e teatrit “Migjeni” në Shkodër, dhe nuk erdhi asnjë përfaqësues i ministrisë”, thotë ajo. Zef Deda, një nga artistët më të vlerësuar thotë se teatri “Migjeni” ka vlera të mëdha. Por sipas tij, këto vlera duhet të ruhen nga shteti dhe jo të jenë vetëm në kujdes të bashkisë. “Teatri i Shkodrës 70 vjet, por duhet ruajtur sepse ka vlera të mëdha. Ka një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të artistëve të vendit. Është nder i madh të japësh shfaqje në këto salla, relike të historisë dhe artit skenik në vend. Këto godina duhen ruajtur dhe kërkon këmbëngulje të jashtëzakonshme, vullnet në rradhë të parë, sepse nuk ka gëzim tjetër ky vend vetëm duke i ruajtur historinë e bukur të artit të kulturës. Në teatër, punët e fazës së parë kanë shkuar mirë shumë, por duhet të vazhdojë ndërhyrja, duhen kryer punimet e tjera dhe besoj ti bëjnë. Por mungon vullneti. Nuk ka rëndësi kush e ka teatrin bashkia apo qeveria”, pohon aktori i njohur “Mjeshtër i Madh”. Aktori Zef Deda, që në skenën e këtij teatri ka marrë shumë vlerësime dhe duartrokitje pa fund, pohon se shteti është kryesori që mban institucionet e artit në vend. “Për çdo gjë ndërhyn shteti dhe është komandanti i parë, por ka disa ushtarë siç janë bashkitë që zbatojnë të gjitha urdhrat. Teatri “Migjeni” po qëndron i fortë me aq sa ai ka kushtet dhe mbrojtjen ekonomike nga bashkia, që punon për mirë për teatrin. Por patjetër duhet dhe shteti të investojë”, vijon aktori Zef Deda. Për herë të parë në Shqipëri trupat teatrale u krijuan ne Shkodër para 120 vitesh. Godina aktuale e Teatrit “Migjeni”, me një arkitekturë të veçantë, u ndërtua në vitin 1958, me një kapacitet prej 500 vendesh. Në këtë teatër është vënë në skenë opera e parë muzikore shqiptare “Mrika”, me autor kompozitorin shkodran Prenk Jakova, ekzekutuar nga orkestra simfonike dhe interpretues vokal të Shkodrës. Trupa teatrore ka vënë në skenë shumë vepra të repertorit kombëtar dhe të huaj, autorë klasikë e bashkëkohorë.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2019 - 07:36

Mbi 1 milionë vizitorë të huaj kanë vizituar monumentet tona të kulturës, sitet arkeologjike, kishat etj, nga janari deri në tetor të këtij viti.

Postuar: 13/11/2019 - 07:34

 “Përsëri bashkë” titullohet ekspozita e artit pamor e liceistëve të vitit 1976,

Postuar: 13/11/2019 - 07:33

Galeria Kombëtare e Arteve zhvillon të premten një bisedë, me studiuesin Stefan Çapaliku.

Postuar: 13/11/2019 - 07:31

Specialistë të trashëgimisë kulturore shprehen se ekspeditat arkeologjike vazhdojnë të zhvillohen

Postuar: 12/11/2019 - 07:42

E hëna për muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”, është dita që i kushtohet publiki

Postuar: 12/11/2019 - 07:39

Panairi i Librit në Tiranë mbërrin në edicionin e tij të 22.

Postuar: 12/11/2019 - 07:38

Kalaja e Beratit është vizituar nga 131.157 vizitorë në dhjetë muaj.