BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

Teatri “Zihni Sako” i Gjirokastrës me tragjikomedinë “Fqinjët”, në "Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Online"

Teatri “Zihni Sako” i Gjirokastrës me tragjikomedinë

"Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit Online" sjell 20 shfaqje teatrore nga trupa të ndryshme artistike, si dhe nga skena e pavarur. Teatri i Gjirokastrës “Zihni Sako” merr pjesë në festival me tragjikomedinë “Fqinjët”. Vepër teatrore shqiptare e autorit të njohur Ruzhdi Pulaha dhe vënë në skenë me regji nga Milot Kurali. Vepra teatrore “Fqinjët”, që nga koha kur u vu në skenë është mirëpritur nga publiku më parë dhe është vlerësuar dhe në festivale të ndryshme të teatrit. Shfaqja teatrore “Fqinjët” me aktorët e teatrit të Gjirokastrës konkurron këtë herë në “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Online”, që organizohet nga Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Kudret Alikaj përgjegjës i teatrit të Gjirokastrës shprehet se festivali, që do të nisë pas disa ditësh shërben edhe për të mbajtur komunikimin me publikun. “Në festival ne jemi me veprën “Fqinjët”, dhe shumë mirë që po zhvillohet një festival mbarëkombëtar teatri. Kjo dhe për të mbajtur komunikimin me publikun, sepse u bë kohë që teatrot nuk kanë pasur aktivitete në skena për shkak të pandemisë”, thotë ai. Më herët si autor i veprës, Ruzhdi Pulaha është shprehur se për këtë pjesë teatrore është frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë. “Teatri vazhdon” ky është slogani i festivalit, në të cilin do të marrin pjesë 20 trupa nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe nga skena e pavarur, me shfaqjet e tyre më të mira. Nga 23 shkurti çdo ditë në orën 19:00, “teatri vjen në shtëpi” nëpërmjet një dritare virtuale, livestream në Facebook të Teatrit Kombëtar dhe në Facebook të teatrove pjesëmarrëse.

 Shfaqja dhe aktorët

Në tragjikomedinë “Fqinjët” shkruar nga Ruzhdi Pulaha interpretojnë aktorët Kudret Alikaj, Liliana Kumbaro, Rrapo Kapurani, Dajana Nenaj, Alisa Gushi, Viktor Çaro, Mimoza Kola, Erdit Asllanaj, Serkida Rapollari, Erion Hinaj dhe Delvis Bejleri. “Fqinjët”, me regji nga Milto Kutali, erdhi në skenë si një vepër aktuale jo vetëm për kohën në të cilën jetojmë, por edhe për problematikën dhe idetë që transmetohen. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Greqisë së Veriut, në shtëpinë e një fermeri grek. Barba Kosta jeton me familjen e tij, dhe në kantinën e verës ka punësuar një familje të re shqiptare. Dashuria e nipit Marko me Borën, motrën e Beharit (Lefterit), përbën ngjarjen shkakore që nxit zhvillimin dramaturgjik. Konflikti bazë është kombësia e dy të dashuruarve. Konflikti bëhet shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë krijon edhe situatë me shumë humor, por dy të rinjtë kanë një aleat shumë të fortë, Barba Kostën dhe Jaja Aspasinë, e cila e do Bardhën si vajzën e saj. Me ardhjen e prindërve të Bardhës, Vasilit dhe Shegës, vepra merr një zhvillim të ri, por pa anashkaluar dashurinë e dy të rinjve, e cila vendoset në një situatë vërtetë të vështirë. Tragjikomedia “Fqinjët” me regji të Milto Kutalit dhe me autor Ruzhdi Pulahën, e interpretuar nga trupa e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës u shpall shfaqja më e mirë e festivalit të teatrit “Kadri Roshi” në tetor të vitit 2019. Juria e përbërë nga emra të njohur si Birçe Hasko, Mevlan Shanaj, Rajmonda Bulku, Petrit Ruka dhe Suela Konjari ndanë 12 çmime për trupat pjesëmarrëse. Tragjikomedia “Fqinjët” u vlerësua edhe me çmimin si shfaqja më e mirë në edicionin e 18-të të Festivalit e Teatrit Shqiptar, në Dibër të Madhe. Ruzhdi Pulaha (lindur më 1942 në Korçë) është shkrimtar shqiptar, që ka krijuar kryesisht në gjininë e dramës. Dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në Korçë e teatro të tjerë të vendit.