BREAKING NEWS

Yuri Kim nxjerr foton dhe paralajmëron ndryshimin e madh në Shqipëri

Yuri Kim nxjerr foton dhe paralajmëron ndryshimin e madh në
x

Kultura

Teatri “Zihni Sako” prej vitesh pa rregullime, nisin punimet e restaurimit 

Teatri “Zihni Sako” prej vitesh pa rregullime, nisin punimet e

Në godinën e teatrit “Zihni Sako” në qytetin e Gjirokastrës kanë nisur këto ditë punimet për restaurimin. Teatri për të cilin prej vitesh ka munguar ndërhyrja, pritet që të kthehet në një hapësirë të rëndësishme për jetën kulturore e artistike të qytetit të gurtë. Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi shprehet se për vite me radhë në këtë godinë nuk janë bërë rregullime thelbësore, por sipas tij thjesht janë bërë arnime. “Jam shumë i lumtur që më në fund nisëm punimet për restaurimin e teatrit “Zihni Sako”, të kësaj hapësire kaq shumë të rëndësishme për jetën kulturore e artistike të Gjirokastrës. Për vite me radhë në këtë teatër nuk është bërë asnjë rregullim thelbësor, por thjesht arnime aty-këtu sa për të thënë se diçka po bëhej edhe për trupën e aktorëve, të cilët i kanë dhuruar Gjirokastrës shfaqje dhe emocione për vite me radhë, por për fat të keq kurrë nuk kanë pasur ambiente pune dinjitoze. E po kështu as spektatorët që shkonin në teatër nuk kishin kushte komoditeti”, shkruan kryetari i bashkisë Flamur Golemi, në një status të tij në Facebook. Punimet sipas tij po bëhen me ndihmën e italianëve, si dhe një pjesë buxheti nga të ardhurat që ka Bashkia e Gjirokastrës. Sipas kryetarit Golemi, deri në pranverë punimet priten që të përfundojnë. “Me ndërhyrjen që po bëjmë falë ndihmës së çmueshme të miqve tanë italianë, përmes programit IADSA dhe një pjesë të buxhetit nga vetë të ardhurat e bashkisë, nëse gjithçka shkon sipas planit, jam i bindur në pranverë ky investim i shumëpritur do të përfundojë”, vijon më tej Golemi, ndërsa ka publikuar dhe foto për punimet në këtë teatër. Teatri “Zihni Sako” u themelua në 27 nëntor të vitit 1968 nën udhëheqjen e regjisorit Bernard Kokalari, i cili vuri për herë të parë në skenë premierën dramatike me titull “Shokët”. Plejada e aktorëve të teatrit “Zihni Sako” ka dhënë ndër vite mbi 100 premiera dhe ka marrë pjesë në takimet kombëtare, ku ka merituar edhe çmime të ndryshme. Për godinë  e teatrit të qytetit të Gjirokastrës herë pas here janë shprehur dhe artistë të ndryshëm, regjisorë dhe aktorë që kanë qenë në pritje të rikonstruksionit. Por edhe pse me kushte që linin për të dëshiruar sipas tyre, jeta artistike ka vijuar me shfaqje të ndryshme, ku nuk kanë munguar dhe festivalet për teatrin.