BREAKING NEWS

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit të Ekspertëve: Duke nisur nga nesër do të...

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit
x

Kultura

Teatrot pa aktivitet artistik, aktorët: Kemi mall për skenën, nuk është normale kjo gjendje

Teatrot pa aktivitet artistik, aktorët: Kemi mall për skenën, nuk

Teatrot në vend pa aktivitet në skena, dhe sipas aktorëve një gjendje e tillë nuk ka qenë deri më sot në teatrin shqiptar. Në reagimet e tyre ata shprehen se për shkak të pandemisë problemet nuk janë pak, ndërsa janë me shpresën që të ketë një përmirësim të situatës, që të mund të nisin aktivitetin në skenat e teatrit në vendin tonë. Teatrot kudo kanë pezulluar aktivitetin artistik me premierat teatrore dhe shfaqjet e tjera, ndërsa për artistët edhe ato pak aktivitete online që po zhvillohen cilësia diskutohet jo pak. Aktorë të ndryshëm në Tiranë, por dhe në rrethe që janë të punësuar në institucionet tona të artit, shprehen se ende nuk dinë se si do të vijojë dhe ky vit me jetën artistike. Aktori i teatrit të Vlorës Ilirian Ali thotë se teatri është art kolektiv, kërkon skenën dhe nuk është art individual. Në një reagim të tij përballë kësaj gjendje të teatrit në vend, aktori Ilirian Ali thotë më tej se edhe pse artistët po përpiqen me ndonjë aktivitet online në Tiranë, në rrethe kjo nuk bëhet. “Teatri nuk ka aktivitet këtë kohë që të bëhet në salla teatrore, ky është dhe informacioni që kam unë. Por teatri do skenën që të bëhet si duhet, ndryshe jemi në pritje të ikë pandemia. Edhe pse artistët janë përpjekur siç kemi parë në Tiranë përshembull me ndonjë aktivitet online, ndonjë shfaqje rrallë në skena jashtë, por ne në rrethe nuk kemi pasur aktivitete me teatrin. Arti jonë është art kolektiv jo individual dhe duhet që të organizohesh për ta bërë këtë gjë”, shprehet mes të tjerave aktori Ilirian Ali. Situata e pandemisë artistët i përballi me mungesën e teatrit në aktivitetin e tyre artistik. Vjet në mars aktivitetet në skena u ndërprenë, ndërsa kur jemi në mars të 2021 situa vijon pa ndryshim. Por sipas aktorëve, shpresa mbetet vetëm përmirësimi i kësaj gjendje. Aktori Ilirian Ali thotë se sytë e artistëve janë nga vendimet që do të marrin ekspertët, dhe të ketë një përmirësim të situatës. “Situata e pandemisë është në çdo vend të botës. Një vit i vështirë, por shpresoj që deri sa të fillojë stina e pranverës apo fillimi i verës gjendja të ketë pak përmirësim dhe të jemi më të lirë. Por kjo është vetëm shpresa ime”, shprehet aktori i njohur në një reagim të tij.

Një kohë e vështirë

Aktorët pohojnë se pandemia ka qenë një goditje për aktivitetin artistik. Aktori Ilirian Ali në reagimin e tij shprehet se teatri është art kolektiv, dhe ka shumë rëndësi që të iki siç thotë ai kjo flamë. “Ne sytë i mbajmë nga vendimi që do ketë qeveria, duke marrë edhe mendimin e ekspertëve. Nuk është problemi se dua unë të luaj në skenë, por arti jonë është kolektiv, ka të bëjë me kolektivin, regjinë, etj, që ka shumë rëndësi të iki dhe kjo flamë që po na merr dhe miq e shokë. Pandemia ka qenë një goditje e rëndë në aktivitetin artistik. Si institucion teatri nuk ka filluar asgjë, jo se na privon qeveria, por kjo është në përgjithësi sepse është problem mbarëbotëror”, thotë më tej aktori. Eliona Thomaraj aktore pranë teatrit të Vlorës, por që me aktivitetin e saj nuk ka munguar dhe në skenat e Tiranës me regji dhe role, shprehet se është një gjendje që kurrë nuk e kanë hasur më parë artistët. Sipas saj, edhe ky vit që ka nisur duhet të ishte me shfaqjet teatrore, por për shkak të pandemisë çdo gjë është e bllokuar. “Ne me teatrin kemi ngrirë, jemi duke lozur ngriva- shkriva. Ne jemi akoma ngriva. Pandemia ka goditur rëndë teatrin në vend, por deri tani jemi të ngrirë deri në një situatë tjetër. Një gjendje që nuk e kam hasur kurrë më parë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë të kemi një bllokim të tillë të teatrit me jetën artistike, si tani për shkak të pandemisë. As në vitin e mbrapshtë 1997 nuk ka ndodhur si tani, madje që kur është krijuar teatri e deri më sot nuk ka ndodhur ndonjëherë një bllokim i tillë me aktivitetin e tij në Shqipëri. Aktorët kanë mall për skenën, nuk është normale kjo gjendje”, shprehet aktorja. Aktivitetet në skena janë pezulluar, por ndërkohë disa institucione po mundohen të angazhojnë artistët me aktivitete online.