Kultura

Tenori Saimir Pirgu shkëlqen në Arenën e Veronës në Itali

Tenori Saimir Pirgu shkëlqen në Arenën e Veronës në

Artisti i njohur shqiptar Saimir Pirgu ka shkëlqyer me interpretimin e tij, me një arie nga vepra “Ballo me maska” të Xhuzepe Verdi në Verona. Teatri i Operës dhe Baletit shkruan se mes artistëve italianë, artisti shqiptar shkëlqeu në skenën antike të Veronës në Itali. TOB vijon se kjo që ndodhi në Verona ishte dhe një model se si mund të përshtatet dhe arti në këto kushte të pazakonta, që po jeton bota për shkak të pandemisë. “Dritë jeshile në Arenën e Veronës. 24 artistë lirikë në skenën antike italiane, ku ka shkëlqyer artisti shqiptar Saimir Pirgu me një arie nga vepra e Verdit, “Ballo me maska”. Uria e etja për art, bashkuar me disiplinën e publikut për të respektuar çdo protokoll të sigurisë së shëndetit, kanë ofruar një model, se si mund të përshtatet edhe arti në këto kushte të pazakonta që po jeton bota në të gjitha fushat e saj”, shprehet Teatri i Operës dhe Baletit. Pas “mbylljes së madhe” më 25 korrik, Arena e Veronës hapi kalendarin veror me një festë që ngjiti në skenë 24 këngëtarë lirikë italianë. I lindur në vitin 1981 në qytetin e Elbasanit (Shqipëri), Saimir Pirgu në moshë shumë të re nis mësimet e muzikës, duke u diplomuar si violinist në qytetin e tij të lindjes kur kishte vetëm 16 vjeç. Në moshën 21 vjeçare diplomohet për kanto në konservatorin "Claudio Monteverdi" të Bolzanos, nën drejtimin e Vito Maria Brunetti-t. Ende student, Saimir Pirgu pati fatin të takonte e të njihej nga afër me Luciano Pavarottin, i cili i mundësoi perfeksionimin e roleve më të rëndësishme të repertorit të tij, me anë të një lidhjeje të ngushtë që për fat të mirë zgjati deri në ditët e fundit të jetës së tenorit të madh. I duartrokitur tashmë dhe i respektuar nga publiku dhe kritika e mbarë botes, Saimir Pirgu konsiderohet si një nga artistët që ka pasur ngjitjen më të shpejtë në karrierë në qarqet operistike dhe koncertale, duke u konsideruar sot si një nga tenorët më të shquar në peisazhin e lirikës ndërkombëtare. Vlerësuar për autoritetin dramatik dhe skenik të interpretimeve të tij, ai është cituar në shtypin ndërkombëtar si një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot dhe si një nga interpretuesit më të rëndësishme botërorë të roleve të tenorit lirik, etj. Me një aktivitet shumë të vlerësuar nga kritika dhe publiku, tenorit Saimir Pirgu në shtator të vitit 2013 iu dha çmimi prestigjioz "Pavaroti D'Oro" (Pavaroti i Artë).