BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Kultura

Teqeja e Dollmës në restaurim, vendoset sistem digjital monitorimi

Teqeja e Dollmës në restaurim, vendoset sistem digjital monitorimi

Teqeja e Dollmës në Krujë është një prej monumenteve të kulturës, që u dëmtua nga tërmeti i nëntorit të 2019. Në këtë objekt CHwB Albania bën me dije se puna për restaurimin ka nisur para 7 javësh. “Jemi në kantierin e Teqesë të Dollmës, në Kalanë e Krujës. Një prej monumenteve të rëndësishme, të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 2019ës. Puna me restaurimin dhe riaftësimin strukturor të teqesë ka filluar prej 7 javësh”, shprehet CHwB Albania, që ka publikuar dhe një video në Facebook për punën që po bëhet në këtë monument kulture. Puna ka sjellë dhe vendosjen e sistemit digjital të monitorimit. Sipas CHwB Albania, në vendin tonë një sistem i tillë është për herë të parë. “Në këtë moment jemi duke vendosur sistemin digjital të monitorimit. Këto pajisje që shikoni, janë pjesë e këtij sistemi. Ato do të dërgojnë, në kohë reale, të dhëna të sakta në kompjuterat tanë, për çdo tronditje apo lëvizje të strukturës, ndërkohë që ne punojmë me restaurimin. Në dijeninë tonë, ky sistem zbatohet për herë të parë dhe ne shpresojmë që të kthehet në një standard për restaurimin e monumenteve, me probleme strukturore”, shprehet organizata CHwB Albania, postimin e së cilës e ka publikuar dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në Facebook. Teqeja e Dollmës, që është në Kalanë e Krujës, mori statusin monument kulture në vitin 1973. Kala e Krujës me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 metra, zë një sipërfaqe prej 2.5 hektarë tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r., ndërsa kalaja është ngritur në shekullin V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek. IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shekullin XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë krye-fortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Edhe në ditët e sotme është një ndër vendet më të njohura dhe më të vizituar nga turistët. Hamami ndodhet në skajin jugperëndimor të kalasë, afër Teqesë së Dollmës. Ky objekt përbëhet nga katër ambiente.