BREAKING NEWS

‘S’do lemë gur pa luajtur’, kryeministri Rama niset drejt SHBA dhe jep lajmin e madh për qytetarët

‘S’do lemë gur pa luajtur’, kryeministri Rama niset drejt
x

Kultura

Thesare të Bibliotekës Kombëtare në COD, libra të rrallë e dorëshkrime që ekspozohen për herë të parë

Thesare të Bibliotekës Kombëtare në COD, libra të

Ekspozita e librave të rrallë "Verba Volant, Scripta Manent - Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë" u çel për kremtimin e 100 -vjetorit të Bibliotekës Kombëtare. Ekspozita është organizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe publiku do të mund të shohë jo vetëm botime historike, por libra të vyer që për herë të parë shohin dritën e ekspozimit. Në ceremoninë e hapjes së saj në COD te kryeministria merrni pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, si dhe personalitete të tjerë. Kryeministri Edi Rama i pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite u shpreh se Biblioteka Kombëtare numëron sot 1 milion e 300 mijë libra dhe digjitalizimi do të mundësojë aksesin në këto libra nga e gjithë bota. Eridana Çano, drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje (COD) në fjalën e saj në hapjen e ekspozitës tha se zbulohen përpara publikut një korpus libror i pasur për promovimin e thesareve të bibliotekës si inkunabula, antikuarë, dorëshkrime, vepra të albanologëve të spikatur e shumë të tjera. Drejtori i BKSH Piro Misha u shpreh se "Verba Volant, Scripta Manent - Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë” është një ekspozitë unikale në llojin e vet, së paku në vendin tonë, e cila përbën aktivitetin kryesor të organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të saj. “Një ndër vendimet e para të marra nga qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, në vitin 1920, që pikërisht ai i krijimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Është një ekspozitë që sjell rrugëtimin e gjatë të kësaj biblioteke, që nga fillimet e saj me vetëm 3 000 libra në vitin 1920, kur u krijua, në rreth 1.300.000 njësi bibliotekare (libra, dorëshkrime, koleksione gazetash, harta) që ajo ka sot”, tha Misha. Sipas tij, një nga qëllimet e ekspozitës është të arrijë një efekt surprizë, duke ekspozuar një numër të madh librash e dorëshkrimesh me vlerë të madhe, disa prej të cilave vërtet të rralla, të cilat fatkeqësisht, kanë mbetur deri tani fare pak në mos aspak të njohura nga publiku, madje dhe nga vetë studiuesit. “Është fjala për një thesar të vërtetë që vlen të njihet, të studiohet, njohja e të cilit do t’i japë BKSH një dimension e prestigj të ri. Vlen këtu të theksohet se rreth 80 për qind e librave e dorëshkrimeve të kësaj ekspozite, ekspozohen për herë të parë. Pjesa dërrmuese e tyre janë botime te para viteve 1800”, tha drejtori Misha.

Prezantimi në COD

Inkunabulat e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë prezantohen me disa njësi, ku mund të veçohet libri më i vjetër, “Letra mbi Kuvendin e Mantovës” e Papa Piut II, bashkëkohës i Skënderbeut, botuar në 1473 dhe libri i Bartolomeo Platinës, humanist me ndikim të madh në Rilindjen Italiane, botim i vitit 1485. Në ekspozitë prezantohen dhe dokumentet e para të botimeve në gjuhën shqipe, gramatika e fjalorë të gjuhës shqipe të botuara jashtë Shqipërisë, si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit etj. Libra antikuarë kushtuar Skënderbeut, vepra të humanistëve shqiptarë e të huaj. Po ashtu në ekspozitë janë dhe hartat e përpiluara nga hartografët më në zë të kohës si Koronelli, Barbie du Bokazh, Merkator, Rozaçio, Kluveri, Katip Çelebi etj. Në materiale janë dhe dorëshkrime shqipe dhe në gjuhë të huaj, që trajtojnë çështje me rëndësi historike, gjuhësore, etnografike etj, apo dhe dorëshkrime orientale, me përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore e letrare të dorëshkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab. Pjesë e rëndësishme e ekspozitës janë edhe veprat e shkruar në shqip të autorëve të Rilindjes Shqiptare, si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jeronim De Rada, Dora D’Istria dhe Dhimitër Kamarda. Ekspozita "Verba Volant, Scripta Manent - Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë" në COD, që u hap më datë 22 do të qëndrojë për publikun deri në 31 tetor.