BREAKING NEWS

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton deklaratën e bujshme të Ilir Metës, zbërthen skenarin e presidentit me Sali Berishën: O pushtetin o kokën e Lulit!

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton
x

Kultura

Tiranë, “Biblioteka Moikom Zeqo” çel dyert për lexuesit

Tiranë, “Biblioteka Moikom Zeqo” çel dyert për

Biblioteka me emrin e shkrimtarit dhe studiuesit Moikom Zeqo u inaugurua të premten, në Tiranë. “Biblioteka Moikom Zeqo” ndodhet në rrugën “Tefta Tashko”, pranë sheshit “Avni Rustemi”, dhe që nga e premtja ka hapur dyert për lexuesit. Një projekt i Bashkisë së Tiranës, inaugurimi i bibliotekës u bë mes miqve e familjarëve, ndërsa bashkëshortja Lida Miraj shpreh mirënjohjen për këtë nderim, që iu bë studiuesit dhe historianit. “Moikomi meritonte shumë, por vlerësoj Erion Veliaj, që e bëri”, shprehet Miraj për bibliotekën, që mban emrin e eruditit të shquar, poetit, shkrimtarit dhe historianit. Moikom Zeqo lindi në Durrës, 3 qershor 1949 dhe u nda nga jeta më 15 qershor 2020 pas një lufte disa vjeçare me leuçeminë. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori -Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën Gjuhë-Letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-‘76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar. Është Doktor i Shkencave dhe mban urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, gjermanisht, etj. Është autor i tre ekspozitave vetjake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Moikom Zeqo është një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare.